Një muzikant enigmatik ka publikuar një nga LP-të më të lavdëruara të kohëve të fundit, por e ka bërë këtë pa marketing apo intervista – dhe sigurisht që nuk do ta gjeni në Spotify.
Nga: Shaun Curran / BBC
Përkthimi: Telegrafi.com
Nga të gjitha aktet muzikore që u shfaqën vitin e kaluar, asnjë nuk ishte më magjepsës – apo më misterioz – sesa projekti Cindy Lee. Në marsin e kaluar, Diamond Jubilee – një album dy orësh, me të meta në incizim, me 32 këngë që pasqyrojnë tingujt formues të rokut dhe popit – u shfaq sikur me magji: një zhytje e gjerë, e pasur dhe ëndërrimtare në këngë të bukura melodike, shpesh të trazuara nga ndjesia e humbjes dhe dëshirës. Por, ky album i vetëpublikuar nuk ishte i lehtë për t’u gjetur, pasi nuk ishte i qasshëm në shërbimet e transmetimit ose në ndonjë format fizik.
Muzika ishte magjepsëse dhe kaleidoskopike, duke kaluar nga bërthama estetike e grupeve me vajza si The Supremes, te folku, psikodelia, glem-roku, rokabili, du-vupi, roku në stilin e [grupit] Velvet Underground dhe baladat në frymën e [duetit] Righteous Brothers. Por, për ta dëgjuar duhej të shkoje në një faqe interneti të modeluar në stilin e viteve ’90, të ngjashme me GeoCities, dhe të shkarkoje përmes një shërbimi të quajtur Mega, me një donacion të sugjeruar prej 30 dollarësh; më pas, albumi u ngarkua në YouTube.
Njerëzit u përfshinë gjithashtu në një kërkim të ethshëm për të zbuluar: kush është Cindy Lee? Nuk pati asnjë fushatë promovuese, asnjë intervistë dhe asnjë prani në rrjetet sociale. Në fakt, siç u zbulua më vonë, Cindy Lee është alter egoja enigmatike dhe drag e kantautorit të rokut alternativ kanadez, Patrick Flegel, i cili dikur ishte pjesë e grupit Women, një projekt i vlerësuar i indi-rokut në vitet 2000, që publikoi dy albume të suksesshme përpara se të shpërbëhej pas një sherri fizik gjatë një koncerti.
Flegeli e nisi projektin Cindy Lee në vitin 2012. Pak pas performancës së tyre të parë para publikut, duke luajtur basin në një grup të një miku, ai u shfaq me pamjen tashmë të njohur të Cindy Lee-së: parukë, fustane me shkëlqim në ngjyrë ari ose argjendi, çizme deri te gjunjët dhe pallto. Në një intervistë të rrallë në vitin 2020, ai ka thënë: “Në kontekstin e dragut modern, mënyra se si e bëj unë dragun është kaq e butë, konvencionale, bazike dhe tradicionale. Jam si një mbretëreshë e fshehur e dragut të viteve 1960 … në një traditë të arketipeve të divave si Patsy Cline, Tammy Wynette, Diana Ross.” Flegeli shpjegoi, gjithashtu, në një intervistë të vitit 2022, se muzika dhe pamja nuk ishin domosdoshmërisht të lidhura në një mënyrë të qëllimshme. “Fillimisht nuk kishin ndonjë lidhje me njëra-tjetrën, thjesht u ndërthurën natyrshëm. Por, kjo është një gjë afatgjatë, nuk është thjesht një ide që kam shkruar në letër – është thjesht jeta ime.”
Gjashtë albumet e mëparshme si Cindy Lee kishin bërë pak bujë; unikaliteti i çuditshëm i Diamond Jubilee-ut mund të ishte një tjetër sfidë për të depërtuar në publik. Por, kur dashamirësit e mëdhenj të muzikës zbuluan albumin, nuk mundën të ngopeshin me të. Ndërsa zhurma e fjalëve të përhapura gojë më gojë po rritej, forumet në internet, si Reddit, u mbushën me lëvdata; seksioni i komenteve në YouTube ishte unanimisht entuziast (një koment tipik ishte: “Ky është një nga albumet më të mira që kam dëgjuar gjatë një dekade. Uou.”). “Ishte një ndjenjë e caktuar misteri që e bënte të ndihej unik,” thotë Steven Hyden, autor dhe kritik muzike, i cili bashkëprezanton podkastin e indi-rokut – Indiecast në Uproxx. “Kjo e shtoi hijeshinë. Ndjehet si një kompilim kasete me këngë që mund të kishin qenë hite 40 ose 50 vjet më parë, por askush nuk i kishte dëgjuar. Ky ishte elementi që tërhoqi shumë njerëz. Dhe, megjithëse Patricku kishte këtë histori në indi-rok, ndjesia ishte sikur albumi doli nga hiçi.”
Kur, tetorin e kaluar, një shkarkim më konvencional u bë i qasshëm për blerje në Bandcamp – një dyqan muzikor në internet dhe një komunitet që lidh artistët e pavarur me adhurues besnikë që paguajnë për muzikën – ai rezultoi i suksesshëm; më pas, albumi më në fund u publikua në format fizik, në vinil dhe CD. “Pothuajse menjëherë u bë një nga artikujt më të shitur në faqe,” thotë Aly Gillani, përfaqësuesi evropian i artistëve dhe kompanive në Bandcamp dhe themelues i produksionit të pavarur First Word Records. “Është shitur shumë mirë dhe vazhdon të shitet.”

Ky sukses u ndihmua nga lëvdatat e fuqishme të shtypit muzikor në internet në ShBA; njëra faqe, Aquarium Drunkard, e quajti albumin Diamond Jubilee “një rikthim në një epokë tjetër, më të çuditshme, më interesante dhe më të mirë të muzikës së pavarur.” Revista e njohur në internet, Pitchfork, i dha albumit një vlerësim prej 9.1 – më i larti për një album të ri në katër vjetët e fundit, duke e shtyrë Cindy Lee-në përpara në një mënyrë që kujton ditët e lavdishme të faqes në vitet 2000, kur recensionet e saj shpesh ndihmonin në promovimin e artistëve të indi-rokut, si Arcade Fire. Ndërkohë, The Guardian e shpalli Diamond Jubilee-un albumin e dytë më të mirë të vitit 2024, pas monstrës kulturore dhe kryeveprës së dance-pop-it të Charli xcx-it, Brat.
Ishte e pazakontë të shihje Diamond Jubilee-un dhe Brat-in të renditeshin krah për krah. Brat përfaqësonte përkufizimin e një albumi të shekullit XXI, me një fushatë promocionale po aq bashkëkohore: marketing agresiv dhe të projektuar në mënyrë të zgjuar, me dominim në diskursin në internet përmes memeve dhe momenteve virale, që funksionoi aq mirë saqë arriti deri te Kamala Harrisi. Nga ana tjetër, Diamond Jubilee-u refuzoi pothuajse të gjitha teoritë bashkëkohore mbi mënyrën se si muzika duhet të shitet dhe të konsumohet në epokën moderne, duke nxitur një debat mbi praktikat e industrisë muzikore dhe marrëdhënien midis artistëve dhe adhuruesve, që shkon shumë përtej vetë albumit.
Për një kategori të caktuar adhuruesish – të angazhuar dhe koleksionistë – procesi i zbulimit të albumit ishte një pjesë e madhe e magjisë së Diamond Jubilee-ut, për të mos përmendur përkushtimin që kërkohej për ta gjetur dhe për të përthithur vizionin ambicioz artistik të Patrick Flegelit. “Kjo i përgjigjet dëshirës së disa adhuruesve të muzikës për t’u kthyer pas në kohë,” thotë Gillani. “Në një kohë kur mund të gjenin një album, të emocionoheshin dhe të zhyteshin thellë në të, në vend që të kalonin menjëherë tek ai i radhës. Njerëzit dëshirojnë të përjetojnë art të madh në mënyrë të drejtpërdrejtë.”
“Njerëzit ndiheshin sikur po hynin në një fenomen të ri, në një mënyrë që nuk ndodh shpesh në internet këto ditë,” thotë Steven Hyden. “Dhe, meqë ky album nuk po u imponohej njerëzve nga rrjetet sociale, nga shtëpitë diskografike apo mediat korporative, gjithçka u kombinua për ta bërë të ndihej si një ngjarje e veçantë – edhe pse mbetej ende një fenomen i kufizuar për një audiencë specifike.”
Sigurisht, nuk është diçka e re kur artistët eksperimentojnë me mënyra të ndryshme për të shitur dhe promovuar muzikën e tyre. Nga Beyoncé, e cila publikoi në befasi albumin e saj të pestë të titulluar me emrin e saj, në vitin 2013, te Jack White i cili promovoi albumin No Name duke shpërndarë fillimisht kopje vinili të paetiketuara në qese plastike për blerësit e rastësishëm në dyqanet e tij Third Man Records – një qasje inovative mund të ndezë një fushatë promovuese dhe të krijojë bujë të madhe. “Nëse je një artist i njohur me një platformë të fortë, mund të përballosh të marrësh rreziqe që ndoshta artistët më të vegjël nuk mund t’i marrin,” thotë Gillani, duke shtuar se edhe muzikantët më pak të njohur mund të përdorin strategji të pazakonta të publikimit, por me një efekt të fuqishëm.
Gillani përmend gjithashtu kolektivin misterioz neo-soul londinez, Sault, i cili për vite me radhë refuzoi të zbulonte identitetin, nuk dha intervista dhe madje publikoi pesë albume për shkarkim falas – brenda një periudhe pesëditore. “Si Cindy Lee ashtu edhe Sault bënë ca gjëra që normalisht nuk do të këshilloheshin,” thotë Gillani, “dhe padyshim që ndihmoi fakti që muzika e tyre është e jashtëzakonshme. Por, si adhurues i muzikës, kjo më magjeps. Dhe, një qasje e tillë mund të jetë një mënyrë vërtet efektive për të anashkaluar të gjitha gjërat që supozohet se ‘duhet’ bërë për të publikuar muzikën tënde.”
Teoria thotë se, nëse njerëzit duhet të përpiqen më shumë për të dëgjuar diçka, kjo mund të shpërblehet. “Ti dëshiron që njerëzit të lidhen me të në një nivel emocional,” thotë Gillani. “Dhe, mendoj, se, duke krijuar disa barriera për këtë lidhje, po, ka një rrezik, sepse ato mund të mos kapërcehen. Por, nëse ia dalin, lidhja emocionale dyfishohet, trefishohet. Dhe, kjo është e vështirë për t’u mposhtur.” E, pavarësisht se si mund të duket, Gillani këmbëngul se Diamond Jubilee kishte me të vërtetë një strategji marketingu. “Është një strategji me rrezik të lartë, absolutisht, por megjithatë është një strategji.”
Sidoqoftë, nuk është një strategji që shihet shpesh në botën tonë të sotme me përmbajtje për shpërndarje dhe me ekspozim të tepërt: fjala është për një artist që jep përshtypjen se nuk shqetësohet nëse muzika e tij dëgjohet apo jo. Fushatat e shtrenjta të marketingut, me një prani të fortë në rrjetet sociale, janë norma për artistët të cilët përpiqen me dëshpërim të mbërthejnë vëmendjen tonë. “Në vitet ’80 dhe ’90 [të shekullit XX], artistët nuk e kërkonin famën në mënyrë kaq të hapur siç bëjnë tani,” thotë Hyden. “Nuk po i fajësoj ata që sot kërkojnë famë, sepse jemi në një mjedis ku thjesht përpiqesh që muzika jote të dëgjohet mes një oqeani të madh përmbajtjeje në internet. Por, fakti që Patricku nuk e ndoqi këtë rrugë, ky ishte një rikthim në një epokë tjetër.”

Refuzimi i Flegelit për Spotify dhe platformat e tjera të transmetimit – ata dikur deklaruan në faqen e tyre të internetit, për CEO-n e Spotify-it, Daniel Ek, se “[ai] është një hajdut dhe një derr lufte” – lidhet me një debat gjithnjë në rritje mbi gjendjen e industrisë muzikore dhe ekonominë e transmetimit në veçanti (dikush mund të paramendojë reagimin e Flegelit kur një version i paligjshëm i Diamond Jubilee-ut u ngarkua papritur në Spotify, vetëm për t’u fshirë menjëherë pas). Për më tepër, kriza globale e kostove të turneve po i godet veçanërisht artistët më pak të njohur. Një sondazh i ri nga Ditto Music tregon se 84 për qind e artistëve të pavarur në Mbretërinë e Bashkuar nuk mund të përballojnë më shpenzimet për të shkuar në turne. Ata që kanë parë rënien e shitjeve fizike, tani praktikisht nuk kanë asnjë fitim nga transmetimi. Spotify raportohet se paguan midis 0.003-0.005 dollar për një dëgjim (që më pas ndahet mes të gjithë mbajtësve të të drejtave, përfshirë produksionet, promovuesit dhe artistët).
Ndërsa avantazhet për përdoruesit janë të qarta – kostoja e ulët dhe komoditeti – kjo ka bërë që puna e artistëve të zhvlerësohet. “Spotify është bërë një vend mjaft negativ për artistët që nuk kanë miliona dëgjime,” thotë Hyden. “Njerëzit e trajtojnë Spotify-in sikur të ishte Netflix. Dhe, është si puna që, nëse një film nuk është në Netflix, atëherë ai film nuk ekziston. Ka një iluzion që kjo është e gjithë bota. Do të doja që njerëzit ta kuptonin nga Diamond Jubilee-u se jo gjithçka që ia vlen të dëgjohet gjendet në platformat e transmetimit. Ka shumë artistë që zgjedhin të operojnë jashtë këtij sistemi.”
Në përputhje me fushatën fillestare të albumit, ose mungesën e tij, Cindy Lee nuk ka treguar asnjë interes për të përfituar nga profili i tyre i rritur në famë. Madje, para se turneu i tyre në ShBA të anulohej papritur në mes të majit, për arsye të panjohura personale, një mesazh në faqen e tyre të internetit thoshte: “Ky do të jetë turneu i fundit amerikan i Cindy Lee-së.” Kritikët që ndoqën koncertet që u mbajtën – solo 45-minutëshe, ku Flegel, i veshur me parukën e njohur dhe fustanin e artë, luante mbi një sfond të gatshëm muzikor – raportuan një audiencë të magjepsur, duke parë një talent fenomenal në kitarë. Meaghan Garvey, nga NPR, shkroi se “Flegeli luajti ‘me një mjeshtëri të rrallë që do të mendoja se i përket vetëm atyre që kanë bërë marrëveshje me djallin’.” Por, u vu re gjithashtu një hezitim për të performuar në koncerte: në San Diego, Ian Cohen nga Stereogum-i raportoi se Flegeli tha gjatë performancës: “Ndihem si një kafshë e mallkuar në kafaz.”
“Fakti që Patricku ndihet i parehatshëm me ekspozimin, ka bërë që Cindy Lee të mbetet në atë nivel kulti,” thotë Hyden. “Dhe, ndoshta aty duhet të jetë. Ndoshta disa gjëra janë thjesht të destinuara për një audiencë të përbërë nga njohës dhe vlerësues të vërtetë. Por, në epokën e internetit, ne nuk jemi mësuar me këtë mënyrë të të menduarit. Para internetit, nëse ishe në botën e indi-rokut, kuptohej që nuk po përpiqeshe të arrije një audiencë masive, dhe kjo të lejonte të angazhoheshe në një mënyrë krejt tjetër. Tani të gjithë janë në të njëjtën platformë. Nëse je një artist me vetëm 100 mijë dëgjues mujorë në Spotify, mediat të trajtojnë sikur nuk ke rëndësi, sepse të krahasojnë me Coldplay-in. Dhe, kjo nuk ndihmon aspak.”
Kjo do të thotë se historitë si ajo e Cindy Lee-së po bëhen gjithnjë e më të rralla – edhe pse jo të pamundura. “Por, varet nga fakti që shumë gjëra duhet të shkojnë në drejtimin e duhur,” thotë Gillani. Dhe, edhe pse askush nuk po sugjeron që artistët e tjerë duhet të kopjojnë strategjinë e Cindy Lee-së pikë për pikë – “Diamond Jubilee-u është një album unik në këtë aspekt,” thotë Hyden – ka gjithsesi mësime për t’u nxjerrë prej tij nga artistët.
“Mendimi im është se mësimi më i madh është të jesh i qëllimshëm në atë që bën,” thotë Gillani. “Industria është plot me njerëz që të thonë: ‘duhet të bësh këtë, duhet të bësh atë’. Por, është arti dhe shprehja jote; mendo me kujdes se çfarë bën me të. Mos bëj diçka në mënyrën më standarde të mundshme.”
Askush nuk mund ta akuzojë Cindy Lee-në për këtë. Dhe, tani që Flegeli është tërhequr nga vëmendja në kulmin e famës, është e paqartë se çfarë do të sjellë e ardhmja për të. Por, qëllimi i strategjisë së Diamond Jubilee-ut u realizua plotësisht sipas kushteve të tij. Muzika do të vazhdojë të jetojë, pavarësisht mënyrës se si zgjedh ta përjetosh atë. Siç thotë Hyden: “Duket si një nga ato albume që njerëzit do të vazhdojnë ta zbulojnë ndër vite.” /Telegrafi/
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumë
Luigji Pirandelo, ambivalenca ndërmjet aktorit dhe personazhit

Vdiq poeti i mirënjohur Din Mehmeti

Pse parapëlqehet kaq shumë në rrjetet sociale, shkrimtari i shekujve të kaluar?
“Në dekë të shoqit tim” - një poezi rrethane

Ramiz Alia pas rënies së Murit të Berlinit: Të shtojmë propagandën dhe forcojmë partinë

SEPSE!

104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja

Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140

Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254

Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253

Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123

Për vetëm 29.95€ me Telegrafi Deals dhe Melodia PX, këto patika bëhen tuajat!

Marrëveshje: Melodia Px dhe Telegrafi Deals janë dakordu që atletet Nike për femra ti ofrojnë për vetëm 69.95€, deri më 09 mars!

A do të shihemi në Balkan eCommerce Summit 2025?

Ekskluzivisht në Telegrafi Deals – Nike REAX nga 101€ në 79.95€!

Çfarë do të thotë DeepSeek AI për marrëdhëniet e SHBA me Kinën?
Më të lexuarat

Shokuese për Eglin, i publikohen në studio deklaratat e Gjestit në dhomën e rrëfimit ku ai thotë se nuk e dashuron dhe do të zhduket nga ajo kur të dalë jashtë

Trump kërkon mbylljen dy e mediave, veprimtarët shqiptarë: Për ne, roli i Zërit të Amerikës dhe Radios Evropa e Lirë do të mbetet historik

Moment i çuditshëm nga protesta në Beograd - rruga e mbushur me njerëz u zbraz në pak sekonda

Herët e fundit që Ukraina dhe Rusia ranë dakord për një marrëveshje armëpushimi - çfarë shkoi keq?

Real Madridi do të bëjë përpjekje konkrete për transferimin e yllit të Arsenalit

Protesta masive në Beograd - gjithçka ndodhi atje, MINUTË PAS MINUTE