Selmanaj për zgjedhjet në Prizren: Garë e pabarabartë, jam përballur me dy pushtete

Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për kryetar të Komunës së Prizrenit, Driton Selmanaj, ka shprehur mirënjohjen e tij ndaj qytetarëve për përkrahjen që i është dhënë gjatë procesit zgjedhor.
Në një reagim pas përfundimit të numërimit të votave, Selmanaj tha se gara në Prizren ka qenë e vështirë dhe e pabarabartë, duke theksuar se përballja ka qenë “jo vetëm me kundërshtarët politikë, por edhe me dy pushtete – atë nacional dhe atë lokal”, raporton Telegrafi.
Ai u shpreh krenar për fushatën e zhvilluar nga LDK në Prizren, duke e cilësuar atë si një model dhe duke theksuar se partia kishte programin më të mirë politik dhe listën më të mirë të kandidatëve për asamble.
“Fakti që 8,255 votues zgjodhën të na besojnë, duhet të na shërbejë si tregues se në Prizren ekziston një dëshirë për një vizion tjetër për të ardhmen”, tha Selmanaj.
Ai rikujtoi periudhën kur LDK kishte qeverisur më parë në Prizren, duke e vlerësuar atë si një kohë të standardeve të forta institucionale dhe vizionit zhvillimor.
“Ky nuk është fundi i rrugëtimit tonë, përkundrazi është vetëm fillimi. Nuk do të dorëzohemi, sepse besoj se Prizreni meriton më shumë – meriton zhvillim, transparencë dhe mirëqenie për të gjithë”, përfundoi Selmanaj, duke falënderuar qytetarët dhe simpatizantët për mbështetjen dhe besimin e dhënë. /Telegrafi/

















































