Selena Gomez flet për vështirësitë me peshën, shëndetin dhe romancën me Benny Blanco

Selena Gomez ka rrëfyer hapur për përballjen e saj me luhatjet e peshës, shëndetin dhe komentet e ashpra të publikut, në një intervistë të re për kopertinën e revistës Allure.
Këngëtarja dhe aktorja 33-vjeçare pranoi se vërejtjet rreth trupit të saj kanë qenë shpesh shumë të dhimbshme, duke shtuar se humbja e peshës së fundit u shoqërua me thashetheme për përdorimin e ilaçit Ozempic.
Gomez shpjegoi se terapia dialektike e sjelljes e ka ndihmuar të kuptojë se këto ndjesi lidhen me betejat e saj shëndetësore, përfshirë lupusin, trajtimet mjekësore dhe ilaçet që kanë ndikuar në peshën e saj, shkruan DailyMail.

“Kam pasur shumë probleme me peshën në jetën time dhe kjo është diçka ndaj së cilës jam shumë e ndjeshme”, u shpreh ajo.
Artistja foli edhe për marrëdhënien e saj me producentin Benny Blanco, duke theksuar se koha e lidhjes së tyre ishte vendimtare.

Ajo e përshkroi Blanc-on si një nga njerëzit më të përulur që ka njohur ndonjëherë dhe si personin që e bën të ndihet “normale”, larg presioneve të famës.
Selena nënvizoi se sot po përpiqet të qëndrojë e përqendruar në të tashmen dhe të ndjejë kënaqësi në çdo fazë të jetës së saj, duke marrë edhe pushime të rregullta nga rrjetet sociale.

Ajo foli gjithashtu për dokumentarin My Mind & Me, ku u trajtuan betejat e saj me lupus, çrregullimin bipolar dhe stigmatizimin për shkak të pamjes. “Asnjë njeri nuk meriton të ndihet më pak vetëm për shkak të trupit të tij,” theksoi këngëtarja.
Në fund, Gomez u shpreh se ndihet më e fortë dhe më e sigurt për veten, duke mos pasur më nevojë të kërkojë falje për zgjedhjet e saj.
“Kam mbaruar me turpërimin. Dua të jem e pranishme dhe të bëj më të mirën që mundem”, përfundoi ajo. /Telegrafi/












































