LAJMI I FUNDIT:

Sekretari Rashkovski i përfshirë në kurdisje tenderi?

Sekretari Rashkovski i përfshirë në kurdisje tenderi?

Sekretari i Përgjithshëm i Qeverisë, Dragi Rashkovski, i gjendur mes akuzave për rregullim të një tenderi pas bisedës së incizuar në zyrën e tij dhe të publikuar në disa portale, vazhdon të sqarohet duke e konsideruar bisedën si të shtrembëruar.

Në tetor të 2018-tës Rashkovski ka takuar në zyrën e tij kreun e bordit drejtues të M-Nav Nikollçe Taseski dhe shefin e kabinetit të ministrit të transportit Mitko Tajçuleski kurse biseda është incizuar, sipas Rashkovskit, nga drejtori i teknikës M-Nav, tashmë i shkarkuari Kliment Çepunovski që gjithashtu thuhet se ka qenë i pranishëm në takim. Sipas tij, biseda nuk ka të bëjë me rregullimin e tenderit për firmën shtetërore italiane “Leonardo” për furnizimin me pajisje për sistemin e radarëve por ka të bëjë me vetë procedurën e dorëzimit të pajisjeve nga tenderi i vendosur që në vitin 2016. Ai akuzon Çepunovskin se për publikim të bisedës dhe shtrembërimin e saj, është nxitur nga arsye të tjera.


“Duke pasur parasysh se pajisja është e nevojshme për funksionimin normal të komunikacionit ajror, me autorizim të qeverisë dhe jo me vullnetin tim, u organizua takim në zyrën time (të cilin e incizon Klimenti por me qëllim e ka prerë pjesën ku ai flet) dhe në takim nuk është marrë vendim për ndonjë tender por flitet për dinamikën e dorëzimit të procedurës tashmë të përfunduar nga viti 2016, për të cilën, për fajin e Kliment Çepunovskit, nuk nënshkruhet marrëveshja për dorëzim”, ka shkruar Dragi Rashkovski, sekretar i Përgjithshëm i Qeverisë.

Shumë portale, një ditë më parë kanë publikuar bisedën audio dhe të transkriptuar mes të lartpërmendurve në zyrën e Rashkovskit. Ata pretendojnë se në këtë bisedë Rashkovski dhe të pranishmit merren vesh që të refuzohen ofertat tjera në tender duke u favorizuar firma italiane Leonardo. Biseda, sipas këtyre portaleve, është bërë më 18 tetor edhe pse afati i fundit i tenderit dhe përzgjedhjes së firmës ka përfunduar tre ditë më herët. Ata shkruajnë se vlera e përgjithshme e tenderit ka qenë 7 milion euro të financuara nga Banka Evropiane për Ripërtrirje dhe Zhvillim. Të njëjtat media madje shkruajnë se në bisedën e publikuar, Rashkovski i quan me nofka të caktuara ofenduese qytetarët e shteteve nga të cilat kanë ardhur ofertat për tenderin. Sekretari i përgjithshëm i qeverisë Rashkovski njofton se bëhet analizë më e hollësishme e bisedës, do të publikohen fakte të tjera për të vërtetuar pretendimet e tij dhe do të mbajë konferencë për media./alsat/