LAJMI I FUNDIT:

Sekretari amerikan i Shëndetësisë: Vaksinimi mund të fillojë para Krishtlindjeve

Sekretari amerikan i Shëndetësisë: Vaksinimi mund të fillojë para Krishtlindjeve

Pas festës së “Falënderimeve”, kur numri i njerëzve që kalonin nëpër aeroportet e SHBA-së ishte më i lartë që nga mesi i muajit mars, Ministri i Shëndetësisë, Alex Azar tha se disa amerikanë mund të fillonin të vaksinoheshin para Krishtlindjeve.

Azar tha se vaksina kundër COVID-19 e kompanisë farmaceutike të Pfizerit mund të aprovohet dhe dorëzohet pas 10 dhjetorit, pas një takimi ekspertësh nga Administrata e Ushqimit dhe Barnave (FDA) për të vlerësuar rezultatet e provave klinike dhe për të vendosur nëse vaksina meriton dritën jeshile, raporton cnn.


Azar gjithashtu kujtoi se kompania amerikane e bioteknologjisë Moderna njoftoi se po u dërgonte një kërkesë rregullatorëve në SHBA dhe Evropë për të aprovuar urgjentisht vaksinën e saj, transmeton Telegrafi.

Është treguar të jetë jashtëzakonisht efektive (94.1 për qind) në provat klinike dhe është e krahasueshme me rezultatet e vaksinës Pfizer.

“Është e mundur që të kemi të dy vaksinat në dispozicion para Krishtlindjeve”, theksoi Azar.

Vaksinat do të furnizohen nga qeveria federale dhe guvernatorët e shteteve federale do të vendosin se si t’i shpërndajnë ato.

Në SHBA, 4.2 milionë raste të reja të infeksionit dhe më shumë se 36 mijë vdekje u raportuan në nëntor. Numri i të shtruarve dhe të vdekurve është më i larti në gjashtë muajt e fundit. /Telegrafi/