“Fillimisht duhet të kem të dhënat rreth asaj se çfarë ka ndodhur. Kosova është një vend që reflekton në mënyrën më të mirë të mundshme për relacione të mira me fqinjët. Natyrisht është tepër e paarsyeshme të ndodhë diçka që është jashtë rregullave të kodit të mirësjelljes. Për ne është e rëndësishme që duhet të ecim në ndërtimin e marrëdhënieve të mira në mes të dy vendeve, por edhe vendeve tjera që kemi përreth”, ka deklaruar presidenti Sejdiu.

Ndërkaq, sa i përket kërkesës së shqiptarëve të Maqedonisë për tërheqjen e enciklopedisë, Sejdiu tha se “historia duhet të shkruhet e drejtë dhe me argumente”.

Ndërsa, kryeministri Hashim Thaçi deklaroi se institucionet e vendit mbesin të përkushtuara për vendosje të marrëdhënieve diplomatike me të gjitha vendet e rajonit.

“Kosova është duke investuar në marrëdhëniet e shkëlqyeshme me gjitha vendet e rajonit. Republika e Maqedonisë e ka njohur shtetin e Kosovës, edhe Shqipëria edhe Mali i Zi. Tani do të kemi avancimin e këtyre raporteve, pra në raportet diplomatike. Ne duhet të fokusohemi në agjendën tonë të ardhshme dhe assesi nuk duhet të vemi në agjendë ato çështje që përkojnë me periudhën e realitetit të së kaluarës, dhe, raportet e Kosovës vetëm sa do të njohin avancim”, ka theksuar kryeministri Thaçi.

Krerët vendorë, Sejdiu e Thaçi, duke paralajmëruar edhe një herë për njohje të reja të pavarësisë së Kosovës, i kanë falënderuar të gjitha vendet që e kanë mbështetur Kosovën në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë. /RTK/Telegrafi/