LAJMI I FUNDIT:

SBASHK-u fiton një rast në gjykatë për arsimtarët pensionistë

SBASHK-u fiton një rast në gjykatë për arsimtarët pensionistë

Sindikata e Bashkuar e Arsimit të Kosovës njofton se ka fituar një rast në Gjykatë që ka të bëjë me pagat e arsimtarëve të pensionuar.

Sipas SBASHK-ut Gjykata Themelore në Mitrovicë, dega në Vushtrri ka aprovuar si të bazuar kërkesëpadinë e SBASHK-ut ku ka fituar në gjykatë betejën e parë me komunat dhe të 13 anëtarët e pensionuar të kësaj sindikate do të marrin vlerën e 3 pagave në emër të shpërblimit jubilar dhe vlerën e 3 pagave në emër të pagave përcjellëse me rastin e pensionimit.


“SBASHK-u kishte provuar që përmes takimeve e me dialog me institucionet e pushtetit lokal të realizojë të drejtën e garantuar në nenin 36 të Kontratës Kolektive për të punësuarit në arsim, që janë anëtarë të SBASHK, që me rastin e pensionimit të gëzojnë shpërblimet jubilare dhe tri pagat me rastin e pensionimit . Qeveritë komunale kishin hezituar ta kryenin këtë obligim dhe prandaj SBASHK-u kishte grumbulluar dokumentacionin e duhur për anëtarët e vetë të pensionuar në vitet 2015 e 2016 dhe kishte ngritur padi në gjykatat gjegjëse në të gjitha komunat e Kosovës”, thuhet në njoftim.

E para ka nisur procedurën dhe ka mbajtur dy seanca lidhur me padinë e SBASHK-ut ndaj komunave Dega në Vushtrri e Gjykatës Themelore në Mitrovicë.

“Kjo gjykatë pasi ka dëgjuar mbrojtjen e SBASHK-ut dhe ka administruar provat ka aprovuar si të bazuar kërkesëpadinë e SBASHK-ut . Në këtë mënyrë SBASHK-u fitoi në gjykatë betejën e parë me komunat dhe të 13 anëtarët e pensionuar të kësaj sindikate do të marrin vlerën e 3 pagave në emër të shpërblimit jubilar dhe vlerën e 3 pagave në emër të pagave përcjellëse me rastin e pensionimit.

SBASHK-u pret që shumë shpejtë edhe gjykatat nëpër komunat tjera të nisin me seancat dhe me procedurën e dëgjimit të palëve dhe të administrimit të provave në mënyrë që gjithë anëtarët e kësaj sindikate të pensionuar në vitet 2015 e 2016 të marrin shumën e 6 pagave , ashtu si ua garanton Kontrata Kolektive e nënshkruar nga SBASHK dhe MASHT”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/