Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës e Kosovës (SBASHK), Rrahman Jasharaj, gjatë një takimi me ministrin e Arsimit, Shyqiri Bytyqi, shprehu kundërshtimet e punëtorëve të arsimit për shkak të rangimit në tabelorin e Projektligjit për pagat, duke thënë se mësimdhënësit nuk janë radhitur në vendin meritor dhe kërkon që këto lëshime të përmirësohen.

Ai paralajmëroi me këtë rast se nëse kjo nuk realizohet, atëherë do të pasojnë reagime dhe veprime sindikale si shprehje e  pakënaqësisë dhe kundërshtimit ndaj versionit, siç është tani në diskutim publik të Projektligjit për pagat.

SBASHK-u vlerëson se projektligji për pagat bashkë me tabelorin, si i tillë, demanton deklarimet e institucioneve të Kosovës  se arsimin e kanë prioritet të parë, ngase nga 73 grupet e pozitave në tabelor, punëtorët e arsimit  janë ranguar në pozicionet 60, 61 dhe 63 duke i barazuar kështu me profesionet për të cilat kërkohet vetëm arsimi elementar, gjegjësisht arsimimi i mesëm.

SBASHK-u uron që këto  lëshime të  përmirësohen dhe  punëtorët e arsimit të jenë të ranguar në vend meritor, në të kundërtën do të pasojnë reagime.

Ndryshe, projektligji për pagat bashkë me dy projektligje të tjera të Ministrisë së Administratës Publike janë në diskutim publik deri më 28 qershor. /Telegrafi/