Gjiganti koreano-jugor Samsung ka prezantuar zyrtarisht gjeneratën e re të telefonave të palosshëm Galaxy Z.

Kompania e përshkroi serinë e re si ofertën e saj më të kompletuar deri më tani, duke sjellë dy modele të reja: Galaxy Z Fold8 dhe modelin më të avancuar Galaxy Z Fold8 Ultra.


Galaxy Z Fold8 – dy pajisje në një

Galaxy Z Fold8 sjell një dizajn të ri, duke krijuar një ekuilibër mes një telefoni kompakt dhe një tableti të vogël. Ekrani i jashtëm është 5.5 inç, ndërsa kur hapet pajisja ofron ekran të brendshëm LTPO OLED prej 7.6 inç me frekuencë rifreskimi deri në 120 Hz.

Telefoni fuqizohet nga procesori Snapdragon 8 Elite Gen 5 for Galaxy, me deri në 16 GB RAM dhe 1 TB memorie të brendshme. Bateria ka kapacitet 4.800 mAh dhe mbështet karikim të shpejtë 45W.

Në pjesën e kamerave, Z Fold8 vjen me kamerë kryesore 50 megapikselë, kamerë ultra të gjerë 50 megapikselë dhe dy kamera selfie nga 10 megapikselë.

Galaxy Z Fold8 Ultra – modeli pa kompromise

Modeli Ultra synon përdoruesit që kërkojnë performancën maksimale. Ai sjell kamerë kryesore 200 megapikselë, kamerë ultra të gjerë 50 megapikselë dhe telefoto me zmadhim optik 3x. Gjithashtu ka bateri më të madhe prej 5.000 mAh dhe karikim të përmirësuar.

Samsung ka përdorur teknologjinë Flex Titanium, e cila synon të rrisë qëndrueshmërinë e ekranit të palosshëm dhe të zvogëlojë dukshmërinë e vijës së palosjes. Të dy modelet vijnë me sistemin operativ Android 17 dhe ndërfaqen One UI 9, si dhe mbështetje për Wi-Fi 7, Bluetooth 6.0 dhe certifikimin IP48 për rezistencë ndaj ujit dhe pluhurit.

Çmimet dhe disponueshmëria

Porositë paraprake për Galaxy Z Fold8 dhe Galaxy Z Fold8 Ultra kanë nisur, ndërsa blerësit gjatë periudhës promovuese përfitojnë edhe periudhë prove për paketën Google AI Pro me hapësirë në cloud.

Sipas raportimeve, çmimi fillestar i Galaxy Z Fold8 është rreth 1.899 dollarë, ndërsa versioni Ultra nis nga rreth 2.099 dollarë.

Me këto modele, Samsung synon të forcojë pozicionin në tregun e telefonave të palosshëm, i cili vazhdon të rritet, megjithëse pajisjet mbeten në segmentin premium për shkak të çmimeve të larta. /Telegrafi/