LAJMI I FUNDIT:

Salvini akuzon BQE-në për gjendjen e bankave në Itali

Salvini akuzon BQE-në për gjendjen e bankave në Itali

Zëvendëskryeministri italian dhe kreu i ekstremit të djathtë, Matteo Salvini, ka akuzuar Bankën Qendrore Evropiane se kjo e fundit e ka sulmuar sistemin bankar të Italisë, nëpërmjet kërkesës që i ka bërë huadhënësve vendas që të ruajnë më shumë para për të mbuluar huat e dëmtuara.

Sipas Salvinit kjo kërkesë do t’i kushtonte vendit 15 miliardë euro. Ai gjithashtu tha në një deklaratë se lëvizja e BQE-së tregoi se bashkimi bankar i bllokut po krijon paqëndrueshmëri dhe tha se më shumë transparencë ishte e nevojshme për të larguar çdo dyshim që banka qendrore ishte politikisht e motivuar.


“Sulmi i ri i mbikëqyrësit të BQE-së në sistemin bankar italian tregon edhe një herë se bashkimi bankar, jo vetëm që nuk e bën sistemin tonë financiar më të qëndrueshëm, por shkakton paqëndrueshmëri”, tha Salvini, shkruan Reuters, përcjell Telegrafi.

Ai akuzoi BQE-në për vendimet mbizotëruese të bëra nga Komisioni Evropian, duke shtuar se ai ngriti një “pyetje themelore” rreth paanshmërisë së supozuar të bankës.

“Pavarësia nuk nënkupton papërgjegjshmëri. Kjo transparencë është e nevojshme për të larguar dyshimin se BQE po përdor politikën për shkak të kompetencave që i janë dhënë asaj. Kjo lojë e keqe e BQE mund t’i kushtojë Italisë 15 miliardë euro”, tha ai. /Telegrafi/