“Tash e tutje do të punojë vetëm në Përfaqësuese, pasi e kemi afër ndeshjen e dytë miqësore dhe duhet të angazhohemi sa më shumë të jetë e mundur. Nga skuadra e Gjilanit vendosa të largohem pasi nuk është e drejtë të mungojë disa herë në javë, prandaj e pashë të arsyeshme të largohem”, ka thënë Sahiti për “Epokën e re”, duke mohuar zërat për mosmarrëveshje me drejtuesit e klubit.

Sahiti ka bërë me dije që sërish do ta ndihmojë skuadrën e Gjilanit kur të është nevoja. Më pas Muharrem Sahiti, i cili është ndihmës i përzgjedhësit Albert Bunjaku, ka folur edhe për kritikat e mëdha që janë bërë në drejtim të shtabit teknik lidhur me mosftesën për disa nga lojtarët e Raiffeisen Superligës. Ai ka ripërsëritur se përgatitja fizike ka qenë faktori kryesor që nuk janë ftuar lojtarët që luajnë në kampionatin vendor. “Nuk kisha dashur shumë të merrem me akuzat që janë bërë për arsye të ndryshme. Në ndeshjen e parë kemi pasur vetëm një lojtar të Superligës për shkak se përgatitja e lojtarëve nuk ka qenë në nivel të duhur për shkak të pushimit. Nuk mund ta bëjmë listën e lojtarëve vetëm që disa persona të kënaqen dhe lista të formohet vetëm sa për të thënë kemi edhe lojtarë vendorë, por gjithmonë do të ftohen lojtarët që e meritojnë”, ka deklaruar ai.


I pyetur se a do të ftohen lojtarët e Superligës së Kosovës dhe lojtarët që luajnë në Superligën e Shqipërisë, Sahiti është përgjigjur: “Kjo nuk varet nga ne, por nga përgatitja e tyre. Çdo lojtar që ka kualitete dhe është i përgatitur do ta ketë vendin e sigurt në Përfaqësuesen e Kosovës”. Në fund, Muharrem Sahiti e ka përshëndetur paraqitjen e futbollistëve në ndeshjen e parë miqësore historike kundër Haitit (0-0).

Pajaziti zëvendëson Sahitin

Muharrem Sahiti do të zëvendësohet në postin e trajnerit në KF Gjilani nga Sadat Pajaziti. Trajnerin nga Tërnoci e pret një mision i cili veç se është në gjysmë, tashmë duhet ta përmbushë deri në fund të sezonit, atë të cilin janë duke e pritur të gjithë sportdashësit gjilanas, inkuadrimi në elitë. “Ju premtoj punë dhe angazhim maksimal, mbi të gjitha lojë të bukur. Kjo do të jetë staza në të cilën do të kalojmë për ta arritur qëllimin që kemi pranë vetes. Lojtarët nuk duhet të kenë presion, por vetëm punë”, ka thënë Pajaziti. /Epokaere/Telegrafi/ 

telegrafi sport app