Sa i rëndësishëm është gjumi për shëndetin mendor? - Neurologu shpjegon pasojat që nuk merren seriozisht

Në podcastin “Shëndeti në rend të parë”, të përkrahur nga United Hospital, neurologu Blerim Myftiu ka folur gjerësisht për rëndësinë e gjumit dhe ndikimin e tij në shëndetin mendor dhe neurologjik.
Sipas tij, në kohën moderne, truri ynë po përballet me një dinamikë të vazhdueshme që ndikon drejtpërdrejt në cilësinë e gjumit dhe në shfaqjen e shumë problemeve shëndetësore.
“Nëse truri lodhet, ne nuk kemi mënyrë ta masim këtë lodhje. Por shenjat janë aty – migrena, marramendja, kokëdhimbjet dhe çrregullimet neurologjike si epilepsia apo skleroza multiple mund të përkeqësohen ndjeshëm nga mungesa e gjumit të rregullt e cilësor”, theksoi Myftiu.
Ai sjell një shembull konkret: “Tash imagjinoni një pacient epileptik, i cili e ka një telefon në dorë dhe me atë telefon habitet dhe qëndron deri në dy të të natës i zgjuar. Fleni në ora dy-tre të natës, nesër ndoshta do të shkoj në shkollë ose do të shkoj në punë, zgjohet në ora shtatë të mëngjesit, keni katër-pesë orë gjumë jo kualitativ në kohën kur nuk duhet të bëhet gjumi, mas orës 2 ose 3, dhe sigurisht që e keni porositë sulmin epileptik”.
Shpesh njerëzit fokusohen vetëm te sasia e gjumit – sa orë duhet të flemë? Sipas neurologut, një i rritur mes moshës 20 deri në 60 vjeç ka nevojë për 7-8 orë gjumë, por ai thekson se cilësia e gjumit është po aq e rëndësishme sa edhe sasia.
“Dikush funksionon mirë me 6 orë gjumë, dikush me 8. Por problemi kryesor është se nuk flemë më në oraret natyrore. Jemi të ekspozuar ndaj dritës artificiale, teknologjisë dhe detyrimeve sociale që e shtyjnë gjumin vonë natën. Kështu e prishim ritmin biologjik të trupit tonë”, tha Myftiu.
Një nga shqetësimet më të mëdha të neurologut është prania e pajisjeve elektronike në dhomën e gjumit.
“Në anën tjetër cilësia është po ashtu e rëndësishme sepse tash në kohën moderne nuk flemë në kohën në të cilën duhet të flemë. Normalisht, me errësimin e ditës, fillojnë mekanizmat, meratonina dhe tjera, është koha kur trupi ynë përgatitet për gjumë. Dhe ne zgjohemi atëherë kur fillon agimi i ditës. Mirëpo tash jemi të vetëdijshëm që ndeshja e futbollit fillon në orën 21:00, koncerti fillon në ora 21:00, një program televiziv në prime-time, zakonisht fokusohet në orën 20:00 deri në orën 22:00 ose 23:00. Normalisht jeta, oraret e punës na diktojnë medoemos që ne mos të flemë, të mos kemi mundësi të flemë në atë kohë, sepse ashtu janë imponime të ëmbla, janë imponime sociale, janë imponime që po të shqyejnë drejt asaj që të mos flesh...Ne bëjmë një kompromis, atëherë flemë pak më vonë dhe zgjohemi pak më vonë, domethënë kjo është mundësia për me e kthye gjumin në kohën fiziologjike, është e pamundur.
Për të përmirësuar gjumin, neurologu rekomandon disa hapa të thjeshtë por efektivë:
“Higjiena e ashtuquajtura e gjumit, që neve do të na mundësojë një gjumë të rehatshëm, është po ashtu me rëndësi, e kjo nënkupton mos konsumin e ushqimit disa orë para gjumit, mos përdorimin e lëngjeve ose ushqimeve stimuluese disa orë para gjumit, shpesh dëgjojmë njerëz, nëse pi kafe nuk fle, nëse pi çaj nuk fle, nëse pi atë nuk fle, që është pjesërisht e vërtetë. Dhe po ashtu edhe tash prapë po i kthehemi modernes e dinamikes, mos bartjen e pajisjeve elektronike në dhomën e gjumit, në shtrat. Pra telefonit të televizorit në dhomë të gjumit e kështu me radhë që janë të gjitha këto mjete të cilat neve na pamundësojnë të flemë, ose na pamundësojnë të flemë në mënyrë kualitative”, u shpreh Myftiu.
Myftiu gjithashtu shtoi se çrregullimet e gjumit mund të jenë edhe shenja të hershme të sëmundjeve neurologjike.
Siç tha ai te sëmundja e Parkinsonit, para se të shfaqen simptomat klasike, mund të paraqiten probleme me nuhatjen dhe cilësinë e gjumit.
“Ka persona që flasin ose lëvizin në mënyrë të pavetëdijshme gjatë gjumit. Këto janë shenja që mund të paralajmërojnë çrregullime neurologjike, dhe nuk duhet të injorohen”, paralajmëron Myftiu.
Podcasti "Shëndeti në rend të parë", mbështetet nga United Hospital. /Telegrafi/


















































