LAJMI I FUNDIT:

Sa janë optimistë njerëzit në botë? Të përfshira edhe Kosova e Shqipëria!

Sa janë optimistë njerëzit në botë? Të përfshira edhe Kosova e Shqipëria!

Studimi i fundit i Asociacionit Gallup International në mbarë globin ku merr pjesë edhe Kosova dhe Shqipëria përmes Kantar TNS Index Kosova, anëtare e këtij asociacioni, nxjerr në pah se optimizmi vazhdon të mbretërojë në botë, megjithatë pesimizmi është në rritje.

Sipas një publikimi, përcjell Telegrafi – studimi i fundvitit i Asociacionit Gallup International regjistron një paradoks: njerëzit që jetojnë në vende më të pasura kanë tendencë të jenë më pesimistë për vitin e ardhshëm dhe e kundërta.


Megjithatë, ka indikatorë që tregojnë se në fakt optimizmi i qytetarëve është më tepër i lidhur me ndryshimet ekonomike dhe politike në vend, sesa me vetë gjendjen aktuale të vendit dhe shembulli më i mirë për këtë është Kosova.

“Kosova në periudhat më të vështira ekonomike dhe politike, për disa vite rresht ishte shteti më optimist në botë, ku 90% e popullatës konsideronin se viti i ardhshëm do të jetë më i mirë se viti paraprak, përderisa sot vetëm 51% e popullatës pajtohen me këtë deklaratë”, thuhet në publikim.

Në fakt, siç shtohet tutje, niveli i optimizmit në Kosovë tre vitet e fundit ka ngelur në pozitë të njëjtë, që tregon se siç duket popullata ka arritur një ‘komoditet’ të përgjithshëm, ‘jo aq keq sa për t’u ankuar dhe jo aq mirë sa të shfaqim entuziazëm’.

“Në këtë trend konstant ka ndikuar sigurisht edhe fakti që në vend nuk ka pasur ndryshime tunduese viteve të fundit për të lëvizur trendin e shpresës, siç ishte bllokimi institucional në vitin 2014, por as zhvillime signifikante pēr të shfaqur entuziazëm”.

Në anën tjetër, vihet në pah se, edhe pse është matur vetëm në tri vitet e fundit, trendi i nivelit të optimizmit në Shqipëri ka ngritje të vazhdueshme që nga viti 2016, i cili rezultat mund t’i atribuohet zhvillimeve ekonomike në Shqipēri, si dhe gatishmërisë së perceptuar së udhëheqësisë së Shqipërisē në adresimin e problemeve.

“Shpresa se 2019-ta do të jetë vit më i mirë se viti 2018 është në ngritje në Afrikë (pavarësisht kushteve të jetesës), në Indi, në mesin e shteteve të Evropës që nuk janë në BE, në SHBA dhe Amerikën Latine, përderisa pesimizmi vazhdon ngritje evidente në shtetet e Lindjes së Mesme, Rusi dhe në pjesën më të madhe të Evropës Perëndimore”.

“Banorët e Bashkimit Evropian dhe Rusisë vazhdojnë të jenë akoma më pesimistë, përderisa banorët e SHBA-së nuk kanë qenë më optimistë sesa këtë vit në dekadën e fundit, ku faktor kyç mund të konsiderohet performanca e ekonomisë Amerikane”, vlerësohet në publikim.

Studimi i fundit i Gallup International (EoY) është traditë vjetore e inicuar dhe disenjuar nga udhëheqësia e Dr. George Gallup në vitin 1977. Që nga ky vit, studimi realizohet një herë në vit.

Bëhet e ditur se këtë vit u realizua nga Asociacioni Gallup International në partneritet me WIN në 55 shtete të botës.

Në Kosovë dhe Shqipëri studimi u realizua nga Kantar TNS Index Kosova dhe Be Research.

Gjithsejtë 48,745 individ në mbarë botën u intervistuan. Secili shtet u përfaqësua me mostër reprezentative me rreth 1000 të intervistuar ballë për ballë (27 shtete; n=28,063), përmes telefonit (7 shtete; n=5,922) apo online (16 shtete; n=14,760). Mbledhja e të dhënave në terren u realizua gjatë muajve tetor-dhjetor 2018.

Vlerësohet se margjina e gabimit për këtë studim është 3-5% në nivel të besueshmërisë 95%. /Telegrafi/

Në trend Lajme

Më shumë
Qeveria e RMV-së vendosi: 24 prilli dhe 8 maji ditë jo pune për të gjithë qytetarët

Qeveria e RMV-së vendosi: 24 prilli dhe 8 maji ditë jo pune për të gjithë qytetarët

Lajme
Kurti: Zëvendësdrejtori i policisë që u ndalua dje nga Serbia, është dërguar në Rashkë

Kurti: Zëvendësdrejtori i policisë që u ndalua dje nga Serbia, është dërguar në Rashkë

Lajme
Lirohen policët e ndaluar në Serbi, përveq zv.drejtorit Jankoviq

Lirohen policët e ndaluar në Serbi, përveq zv.drejtorit Jankoviq

Lajme
Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Johnson: Putini mund të synojë Ballkanin, nëse lejohet

Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Johnson: Putini mund të synojë Ballkanin, nëse lejohet

Lajme
Pronari i “Zhitia Turist” tregon se çfarë u është thënë udhëtarëve të ndaluar nga Serbia në kufi

Pronari i “Zhitia Turist” tregon se çfarë u është thënë udhëtarëve të ndaluar nga Serbia në kufi

Lajme
Shpërthen një granatë dore në oborrin e një shtëpie në Zveçan

Shpërthen një granatë dore në oborrin e një shtëpie në Zveçan

Lajme
Kalo në kategori