LAJMI I FUNDIT:

Sa janë kosovarët të rrezikuar nga radoni, gazi radioaktiv i cili konsiderohet si shkaktari i dytë i kancerit të mushkërive – pas tymit të duhanit?

Sa janë kosovarët të rrezikuar nga radoni, gazi radioaktiv i cili konsiderohet si shkaktari i dytë i kancerit të mushkërive – pas tymit të duhanit?

Edhe pse në shumë vende nuk është diçka e panjohur, në Kosovë shumë pak është dëgjuar për radonin, një gaz radioaktiv i cili sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë konsiderohet të jetë shkaktar i dytë kancerit të mushkërive – pas tymit të duhanit.

Popullata e gjerë janë të vetëdijshëm se tymi i duhanit në mjedise të mbyllura paraqet rrezik serioz për shëndetin e njeriut por për hulumtuesit të cilët janë ekspertë në fushën e rrezatimeve është mirë e njohur se përveç duhanit, në mjedise të mbyllura rrezik potencial paraqet edhe radoni, i cili edhe pse në nivele të ndryshme, është prezent në të gjitha llojet e mjediseve të mbyllura, qofshin ato vendbanime, shkolla, shtëpi banimi apo edhe objekte tjera të çfarëdo lloji.


Përderisa rreziqet shëndetësore të shoqëruara nga ekspozimet e larta me radon në miniera nëntokësore kanë qenë të njohura shumë herët, ekspozimit ndaj radonit në mjedise tjera si vendbanime, vende të punës, shkolla etj., deri në vitet 1970 i është kushtuar pak vëmendje, kur disa shkencëtarë vlerësuan se ekspozimet ndaj radonit brenda hapësirave të mbyllura të çfarëdo objekti mund të kenë në disa raste rrezikun e krahasueshëm me minierat nëntokësore.

Që nga atëherë rritja e interesimit dhe informacioneve rreth radonit fillon të shtohet me anë të shumë studimeve, punimeve dhe konferencave të shumta.

Kujdes i veçantë në nivelin e përqendrimit të radonit brenda mjediseve të mbyllura në të gjithë botën i kushtohet shkollave.

Vlera të larta të përqendrimit të radonit në shumë klasë të shkollave janë gjetur në vende të ndryshme të botës.

Ne nuk mund ta shohim, prekim, ose ndjejmë radonin në ambientet e shkollave dhe e vetmja mënyrë që të sigurohemi se klasët në shkollat tona janë të sigurta nga nivele të larta të radonit është testimi me metoda të shumta që sot ekzistojnë.

Një studim mbarëkombëtar në SHBA tregoi se çdo e pesta klasë kishte të paktën një nga klasët përqendrimin e radonit mbi nivelin e lejuar sipas Agjensionit për Mbrojtjen e Mjedisit në SHBA.

Si rrjedhim, të gjithë prindërit, nxënësit dhe mësimdhënësit duhet të njohin këtë rrezik potencial dhe është detyrë e tyre që të pyesin drejtuesit e shkollave se si qëndron shkolla e tyre lidhur me testimin për nivelin e radonit.

Prandaj, mënyra më e mirë për tu mbrojtur nga ekspozimi ndaj niveleve të larta të radonit është vetëdijesimi dhe testimi.

Fushatat e ndërgjegjësimit dhe matjes së radonit nëpër shkolla kanë për qëllim përmirësimin e mbrojtjes shëndetësore duke u dhënë përfaqësueseve të shkollave, mësimdhënësve dhe nxënëseve njohuri dhe vetëdije për të siguruar që asnjë individ të mos jetë i ekspozuar ndaj niveleve të larta të gazit të radonit.

Sipas kryeshefit të Agjensionit për Mbrojtjen nga Rrezatimi dhe Siguri Bërthamore z. Beqir Mezelxhiu i kontaktuar me datë 29.08.2019, ligji i ri Nr. 06/L-029 për Mbrojtje nga Rrezatimi dhe Siguri Bërthamore i miratuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës është publikuar në gazetën zyrtare me 27 prill të vitit 2018.

Sipas kryeshefit Mezelxhiu, AMRrSB ka përgatitur rregulloret të cilat mbështesin implementimin e ligjit si: Rregullorja Nr. 18/2018 për Burimet dhe Praktikat e Rrezatimit Jonizues, miratuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës në tetor të vitit 2018, qëllimi i së cilës është vendosja e kontrollit rregullator mbi praktikat dhe burimet e rrezatimit që mund të përbëjnë rrezik për njerëzit dhe mjedisin dhe: Rregullorja Nr. 24/2018 për Autorizime, miratuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës në dhjetor të vitit 2018, qëllimi i së cilës është njoftimi i praktikave dhe dhënia e autorizimit ndërmarrjeve për ushtrimin e praktikave me burime të rrezatimit për të cilat kërkohet autorizimi. Këto rregullore janë në përputhshmëri me direktivën për standardet bazë të sigurisë (Direktiva 2013/59/ EUROATOM). Ligji dhe rregulloret janë hartuar në harmoni të plotë me legjislacionin e BE-së në fushën e mbrojtjes nga rrezatimi dhe sigurisë bërthamore dhe të cilat do të vendosin standardet bazë të sigurisë për të gjitha kategoritë dhe situatat e ekspozimit nga rrezatimi jonizues dhe jojonizues.

Gjithashtu AKMRrSB thotë se është duke përgatitur dhe finalizuar: Draft rregulloren për Kufijtë e Dozave dhe Mbrojtjen nga Rrezatimi, qëllimi i së cilës është të përcaktojë nivelet e referencës dhe kufizimet e dozave për ekspozime profesionale, publike dhe mjekësore, kufijtë e dozave për: punëtorët e ekspozuar, praktikantët dhe studentët, punëtorët e jashtëm, punëtoret shtatzënë dhe gjidhënëse, punëtorët e ekspozuar të angazhuar në situata emergjente dhe anëtarë të publikut. Kjo rregullore parasheh edhe nivelet e ekspozimit nga radoni në vendet e punës dhe anëtarët e publikut.

Sipas AMRrSB-së, në Draft rregulloren për Kufijtë e Dozave dhe Mbrojtjen nga Rrezatimi përcaktohen edhe limitet e përqendrimit të radonit në mjedise të mbyllura.

Sa i përket “vetëdijesimit të publikut lidhur me radonin në shkolla”, AKMRrSB thotë se deri më tani nuk ka hartuar ndonjë plan komunikimi apo edukimi me publikun por kjo do të bëhet në të ardhmen.

Ndërsa sipas ekspertit Meleq Bahtijari, profesor i Biofizikës dhe Fizikës Mjekësore në Fakultetin e Mjekësisë, hulumtimet rreth nivelit të radonit në shkolla në Kosovë kanë filluar shumë vonë, për shkak të mungesës së përkrahjes institucionale dhe mungesës së legjislacionit që e rregullon këtë çështje.

Megjithatë sipas profesorit Bahtijari ka pasur shumë hulumtime individuale nga ekspertë të fushës së rrezatimeve duke përdorur metodat moderne të matjeve.

Bahtijari tregon se nga hulumtimet e kryera duke përdorur metoda standarde të matjeve nëpër shkolla të ndryshme në Kosovë si në disa shkolla fillore dhe të mesme të komunave të Dragashit, Malishevës, Suharekës, Prizrenit, Prishtinës etj., në shumë klasë janë gjetur vlera të nivelit të radonit që i kalojnë limitet për shkolla.

Të gjitha këto rezultate të hulumtimit janë të publikuara në revista ndërkombëtare të fushës së rrezatimeve se bashku me ekspertë nga Sllovenia.

Një studim i kryer nga disa mësimdhënës të Departamentit të Biologjisë në FSHMN – UP, Fetah Halili, Kemajl Bislimi, Jeton Halili dhe Ilir Mazreku është përqendruar në matjen e parametrave respiratorë po në të njëjtat shkolla të mesme të Prizrenit në të cilat nivelet e radonit kanë kaluar limitet nga matjet e kryera në to.

Rezultatet e hulumtimit kanë treguar se krahasuar me nxënësit e të njëjtës moshë por të cilët kanë qëndruar në klasë me nivele më të ulëta të radonit, nxënësit e klasave me përqendrime të radonit mbi vlerat e lejuara kanë shfaqur ulje të vlerave të parametrave respiratorë (vëllimi tidal dhe kapaciteti vital).

Sipas mjekut specialist Behar Raci, onkolog-radioterapeut, shumë studime epidemiologjike kanë bërë lidhjen e ekspozimit ndaj dozave të larta të rrezatimit jonizues dhe shfaqjes së llojeve të ndryshme të kancerëve.

Masat për të parandaluar dhe reduktuar ekspozimin ndaj niveleve të larta të radonit në mjediset e brendshme të shkollave

Një studim kombëtar nëpër shkolla në SHBA nxori disa rezultate alarmante në lidhje me përqendrimet e radonit nëpër klasat e shumë shkollave ku mësonin fëmijët.

Më shumë se 70,000 klasë dolën të kenë nivelin e përqendrimit të radonit mbi limitin e lejuar për shkolla sipas Agjensisë për Mbrojtjen e Mjedisit në SHBA.

“Duhet të rritet ndërgjegjësimi publik në lidhje me rreziqet nga ekspozimi ndaj radonit për të shpejtuar përpjekjet për të zvogëluar rrezikun. Të gjitha shkollat duhet të testohen për të përcaktuar nivelin e ekspozimit ndaj radonit, dhe shkollat duhet të informojnë prindërit për rezultatet. Ne nuk mund ta injorojmë këtë problem”, ka thënë në atë kohë Kathryn Whitfill, Presidenti Kombëtar i PTA – Shoqata e Prindërve dhe Arsimtarëve në SHBA.

“Të gjithë nxënësit kanë të drejtë të mësojnë në një mjedis të sigurtë dhe të shëndetshëm. Mësuesit dhe punonjësit e tjerë të shkollës duhet të inkurajojnë drejtuesit e shkollave të tyre të bëjnë teste të radonit dhe të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për të përmirësuar situatën. Shëndeti i fëmijëve tanë kërkon jo më pak”, ka thënë në atë kohë Keith Geiger, President i AKM – Shoqata Kombëtare e Arsimit në SHBA.

Sipas profesorit universitar Meleq Bahtijari, ekspert për mbrojtje nga rrezatimi, vetë radoni nuk ka jetë të gjatë, ai zbërthehet dhe prodhon grimca të tjera që janë gjithashtu radioaktive. Këto grimca mund të merren me frymëmarrje, të rrezatojnë qelizat e ndjeshme në mushkëri dhe të rrisin rrezikun e kancerit të mushkërive. Radoni është prezent në të gjitha llojet e ndërtesave, qofshin ato shtëpi, vende të punës, shkolla etj. Por, niveli i përqendrimit ndryshon nga vendi në vend dhe nga objekti në objekt. Ai futet brenda objekteve përmes çarjeve apo plasaritjeve të ndryshme që ndodhen në dysheme dhe pastaj mund të ngjitet edhe në katet tjera.

Meqë secila ndërtesë mund të ekspozohet ndaj radonit, e vetmja mënyrë për të vërtetuar nëse ndërtesa përmban nivele të lejueshme të radonit është testimi. Prandaj studimi i nivelit të radonit në hapësirat ku frekuentimi i popullatës është i madh siç janë shkollat, mbetet një prej standardeve ndërkombëtare për sa i përket rrezikut shëndetësor që vjen nga përqendrimi i lartë i këtij elementi në këto hapësira të mbyllura.

Sipas mjekut specialist onkolog-radioterapeut Behar Raci, fëmijët janë më të ndjeshëm në ekspozimin ndaj rrezatimit se sa të rriturit. Kjo për shkak të numrit më të lartë të respiracioneve që kanë të vegjlit. Dyshohet se qelizat e fëmijëve janë më pak të mbrojtura ndaj dëmtimeve si pasojë e rrezatimit për shkak se qelizat e tyre ndahen më shpejtë se ato të të rriturve.

Nivele të larta të radonit janë gjetur në shumë shkolla nëpër vende të ndryshme të botës. Si rrjedhim, është e rëndësishme që nxënësit, mësuesit dhe prindërit të jenë të vetëdijshëm se radoni mund të paraqet një problem potencial në shkolla.

Studimet rreth përqendrimit të radonit në Kosovë deri më tani nuk janë bërë në një mënyrë sistematike. Megjithatë ka pasur disa programe studimore rreth përqendrimit të radonit në shtëpi, shkolla të caktuara, institucione publike e shpella nëntokësore. Përveç ekspertizës në këtë fushë, matja e radonit kërkon edhe pajisje moderne si dhe sistemin për përpunimin kompjuterik të të dhënave. Matja e nivelit të radonit në mënyrë sistematike është një domosdoshmëri dhe një gjë e tillë do duhej të bëhej në pajtim me protokollet dhe standardet ndërkombëtare.

Në një hulumtim të kryer në një numër të shkollave në Kosovë përgjatë vitit 2015 në kuadër të një projekti të përkrahur nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë dhe i realizuar nga ekspertët e Universitetit të Prishtinës në bashkëpunim edhe me institucione tjera të fushës së rrezatimit në Kosovë është gjetur se vlerat e përqendrimit të radonit kanë kaluar limitet për shkolla sipas standardeve të lejuara në një numër të madh të klasëve.

Sipas kryeshefit të Agjensionit për Mbrojtjen nga Rrezatimi dhe Siguri Bërthamore z. Beqir Mezelxhiu i kontaktuar me datë 29.08.2019, Ligji për Mbrojtjen nga Rrezatimi dhe Siguria Bërthamore, neni 10 trajton mbrojtjen nga rrezatimi jonizues në të cilin bën pjesë edhe ekspozimi ndaj radonit, neni 10, pika 1.8.

Po sipas tij, AKMRrSB në kuadër të hartimit të legjislacionit sekondar dhe harmonizimit me legjislacionin e BE-së, ka përgatitur edhe rregulloren për “Kufijtë e Dozave dhe Mbrojtje nga Rrezatimi”, në të cilën përcaktohen edhe limitet e përqendrimit të radonit në mjedise të mbyllura.

Sipas AKMRrSB-së, neni 12 i ligjit për Mbrojtjen nga Rrezatimi dhe Siguria Bërthamore thotë se vlerësimi i shkallës së dozës, vlerësimi i dozës, radoni në hapësira të brendshme, ose identifikimi i radionukleideve duhet të kryhen nga organizatat e akredituara.

Por sipas AKMRrSB-së në mungesë të institucioneve të akredituara në Kosovë dhe legjislacionit përkatës, hulumtimet rreth përqendrimit të radonit në hapësira të mbyllura janë bërë nga ekspertët e fushës së mbrojtjes nga rrezatimi duke u bazuar në legjislacionin ndërkombëtar si ICRP 65, BSS etj. Këta ekspertë janë të njohur edhe nga AKMRrSB si ekspert për mbrojtje nga rrezatimi bazuar në ligjin për Mbrojtjen nga Rrezatimi dhe Siguria Bërthamore, neni 4, pika 1.19.

Sa i përket “vetëdijesimit të publikut lidhur me radonin në shkolla”, AKMRrSB thotë se deri më tani nuk ka hartuar ndonjë plan komunikimi apo edukimi me publikun por kjo do të bëhet në të ardhmen.

Por cili është niveli i njohurive të nxënësve dhe mësimdhënësve në vendin tonë rreth rrezikut të ekspozimit ndaj rrezatimit dhe në veçanti radonit në mjediset e brendshme të shkollave?

Rezultatet e hulumtimit dhe intervistave të kryera me 90 nxënës dhe 11 mësimdhënës në dhjetë shkolla të ndryshme në Komunën e Prishtinës nuk kanë qenë të kënaqshme.

Numri më i madh i mësimdhënësve dhe nxënësve, apo mbi 50% janë përgjigjur se nuk janë të informuar rreth rrezikut të ekspozimit ndaj rrezatimit brenda mjediseve të shkollave. Pjesa tjetër ka dalë se janë pak të informuar ose aspak. Për sa i përket limitit të vlerave të lejuara (vlerë që nuk duhet të kalohet) të dozës së rrezatimit, rezultatet tregojnë se të intervistuarit kanë pak njohuri se ekziston një vlerë-kufi i rrezatimit që nuk duhet të tejkalohet. Megjithatë, ekziston nivel i mirë i vetëdijes se rrezatimi bën pjesë në nivel të njëjtë apo edhe më të lartë krahas ndotësve tjerë, si tymi i duhanit, pluhuri, asbesti etj.

Edhe pse ka pasur disa hulumtime në Kosovë dhe shumë hulumtime nëpër vende të tjera për sa i përket vlerave të rrezatimit brenda mjediseve të mbyllura të shkollave, vendeve të punës dhe vendbanimeve, të gjeturat e hulumtimit tregojnë se informimi i publikut rreth tyre është i ulët. Mbi 50% e të përfshirëve në hulumtim janë përgjigjur se nuk kanë dëgjuar në media vendore apo edhe të huaja për problemin e ndotjes nga rrezatimi në mjedise të brendshme. Gjithashtu ka informacion të mangët rreth programeve shtetërore për sa i përket aktiviteteve që kanë të bëjnë me mbrojtjen e mjedisit nga rrezatimi. Për më tepër, hulumtimi tregon se ka pak informacion në lidhje me efektet shëndetësore të ekspozimit ndaj rrezatimit, edhe pse Organizata Botërore e Shëndetësisë e konsideron rrezatimin nga radoni si një ndër faktorët kryesorë që shkaktojnë kancerin e mushkërive. Nxënësit ka dal të jenë pak të vetëdijshëm se popullata më e re, e në veçanti fëmijët, kanë ndjeshmëri më të lartë në ekspozimet ndaj rrezatimeve.

Megjithëse hulumtimi është kryer në shkollat e Komunës së Prishtinës, të gjeturat lënë të kuptohet se mund të kemi nivel të ulët të vetëdijes ndaj ekspozimit nga radoni edhe tek shkollat tjera në Kosovë.

Andaj, të gjeturat e këtij hulumtimi mund të shërbejnë si pikënisje që komunat e Kosovës në bashkëpunim me Agjensionin e Kosovës për Mbrojtje nga Rrezatimi dhe Siguri Bërthamore, Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe Ministrinë e Shëndetësisë të hartojnë një plan të veprimit rreth një hulumtimi gjithëpërfshirës për sa i përket niveleve të ekspozimit ndaj radonit në të gjitha shkollat e Kosovës. Gjithashtu rekomandohet që të realizohen aktivitete dhe programe të caktuara vetëdijesuese me ekspertë të fushës për sa i përket rrezikut shëndetësor nga ekspozimet ndaj niveleve jo të lejueshme të rrezatimit dhe masave që duhet të merren për reduktimin e nivelit të përqendrimit në vlera të lejueshme.

(Ky hulumtim është realizuar në kuadër të projektit “Ngritja e vetëdijes për rreziqet shëndetësore të ekspozimit ndaj rrezatimit në shkollat e Prishtinës”, i financuar nga Bashkimi Evropian dhe i zbatuar nga BIRN. Botimi është përgjegjësi e autorit Gazmend Nafezi dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Evropian apo BIRN).

Në trend Lajme

Më shumë
Pahor po përgatit një draft për dialogun Kosovë-Serbi, fillimisht dëshiron të koordinohet me Borrellin dhe vendet e QUINT-it

Pahor po përgatit një draft për dialogun Kosovë-Serbi, fillimisht dëshiron të koordinohet me Borrellin dhe vendet e QUINT-it

Lajme
“Kursi më i vështirë i ushtrisë, stërviten deri në rraskapitje”, oficeri i FSK-së përfundon me sukses trajnimin Ranger në ShBA

“Kursi më i vështirë i ushtrisë, stërviten deri në rraskapitje”, oficeri i FSK-së përfundon me sukses trajnimin Ranger në ShBA

Siguri
Në sy të mbesës 8-vjeçare, çifti i të moshuarve nga Kosova arrestohen sapo zbresin në Gjermani

Në sy të mbesës 8-vjeçare, çifti i të moshuarve nga Kosova arrestohen sapo zbresin në Gjermani

Lajme
Mbi 1600 persona të zhdukur nga lufta, Rohde thotë se në tri vitet e fundit nuk është bërë asnjë progres si shkak i bllokadës politike

Mbi 1600 persona të zhdukur nga lufta, Rohde thotë se në tri vitet e fundit nuk është bërë asnjë progres si shkak i bllokadës politike

Lajme
Sa realist është anëtarësimi i Kosovës në KiE?

Sa realist është anëtarësimi i Kosovës në KiE?

Lajme
Masakra në Mejë “Srebrenica e Kosovës” - thirrja më e fuqishme e Kosovës për drejtësi

Masakra në Mejë “Srebrenica e Kosovës” - thirrja më e fuqishme e Kosovës për drejtësi

Lajme
Kalo në kategori