LAJMI I FUNDIT:

Rusia shfrytëzoi pandeminë për të shpërndarë lajme të rreme

Rusia shfrytëzoi pandeminë për të shpërndarë lajme të rreme

Në kohën kur shumica e vende të botës po përballen me pandeminë e coronavirusit të ri, Rusia ka shfrytëzuar hapësirën për të përhapur lajme të rreme, vlerësojnë zyrtarët amerikanë.

Ushtrues i detyrës së ndihmëssekretarit amerikan të Shtetit për Evropën dhe Euro-Azinë, Philip Reeker, në një konferencë virtuale me gazetarë, tha se synimi i Rusisë është që të ngjallë dyshime dhe t’i pengojë aleancat e SHBA-së.


Por, Reeker tha se së bashku me partnerët, sidomos vendet e BE-së, kanë bashkëpunuar në menaxhimin e situatës gjatë pandemisë duke ndarë informacione të përbashkëta.

“Një nga çështjet kryesore në këtë fazë ka qenë sfida e keqinformimit, por ne jemi të dedikuar të gjithë së bashku që të kundërshtojmë përdorimin e keqinformimit dhe të ofrojmë informacione të sakta për situatën rreth COVID-19 [sëmundja që e shkakton coronavirusi]. Kjo është pjesë e traditës dhe transparencës dhe qeverisjes demokratike dhe vlerave të shoqërive tona të lira”, tha Reeker.

Presidenti amerikan, Donald Trump, ditë më parë ka deklaruar se virusi mund të ketë dalë nga një laborator sekret kinez, gjë të cilën e kanë mohuar autoritetet kineze.

OBSH-ja gjithashtu është kritikuar nga presidenti amerikan, Trump, i cili pezulloi fondet e dedikuara për këtë organizatë.

I pyetur për këto veprime të administratës amerikane, Reeker tha se duhet vazhdohet me hetime sa i takon përhapjes së coronavirusit dhe se ka nevojë për më shumë transparencë nga ana e shtetit kinez.

“Ne i kemi bërë të qarta shqetësimet tona tek OBSH-ja. Ne besojmë se duhet të ketë hetime të vazhdueshme për origjinën e këtij virusi dhe pandemisë. Ne ende nuk kemi qasje të plotë. Ne ende nuk kemi transparencë nga Partia Komuniste në Kinë”, tha Reeker.

Reeker foli edhe për përpjekjet për të shtrirë influencën nga ana e Rusisë dhe Kinës në vendet e Ballkanit Perëndimor, duke thënë se këto vende e shohin të ardhmen në drejtim të Bashkimit Evropian.

Propaganda ruse në Ballkan mbetet një çështje në të cilën duhet punuar së bashku me aleatët, tha Reeker.

Ndërkohë, e dërguara speciale e SHBA-së, njëherësh koordinatorja e Qendrës për Përfshirje Globale, Lea Gabrielle, e cila ishte pjesë e konferencës, tha se Rusia dhe Kina kanë shfrytëzuar situatën e pandemisë së shkaktuar nga coronavirusi për të rritur keqinformimin përmes lajme të rreme.

Ajo tha se gjatë kësaj periudhe, Rusia përmes lajmeve të rreme ka tentuar që të çojë përpara narrativë të rrejshme se SHBA-ja ka prodhuar coronavirusin si një armë biologjike.

“Kanë qenë narrativë e rrejshme se COVID-19 [sëmundja që shkakton coronavirusi] ishte krijuar nga SHBA-ja si një armë biologjike. Ata e kanë shtyrë përpara narrativë të rrejshme që SHBA-ja dhe qeveri të tjera perëndimore kanë bërë përpjekje që të qëndrojnë pjesë e një skeme për të rritur kontrollin qeveritar mbi popullatën”, tha Lea Gabrielle.

Gabrielle tha se Kina dhe Rusia janë përpjekur që të shtyjnë përpara përmes keqinformimit narrativën që këto dy shtete janë liderë në menaxhimin e coronavirusit derisa SHBA-ja dhe vendet të tjera perëndimore nuk duan apo nuk kanë mundësuar që të adresojnë problemin e shkaktuar nga pandemia.

Coronavirusi besohet se për herë të parë u shfaq në qytetin kinez Wuhan, qytet ky që ka rreth 11 milionë banorë.

Kina është kritikuar vazhdimisht për mungesë transparence rreth sëmundjes dhe mosraportim të shifrave të personave të prekur nga coronavirusi.

Qeveria kineze vazhdimisht ka mohuar akuzat për manipulim me numra. /Rel/