Rusia dhe Ukraina kanë njoftuar se civilë janë plagosur nga sulmet ajrore ndërkufitare gjatë natës, që kanë goditur infrastrukturën dhe zona të banuara.

Rajoni i Krasnodarit në Rusi u godit nga një sulm “masiv” me dronë nga Ukraina, ku u plagosën dy persona, sipas guvernatorit rajonal Veniamin Kondratjev.


“Situata më e vështirë është në fshatin Vollna. Atje u dëmtuan një depozitë me produkte nafte, një magazinë dhe terminale. U plagosën dy persona”, tha ai.

Sipas Kondratjevit, sulmi shkaktoi disa zjarre, ndërsa në qytetin turistik Soçi u goditën një ndërtesë banimi dhe sistemet e ngrohjes.

Ndërkohë, guvernatori i rajonit Belgorod, Vjaçesllav Gladkov, tha se disa objekte do të mbeten pa ngrohje pas sulmeve ukrainase, të cilat kanë shkaktuar dëme “shumë të mëdha dhe shumë serioze”.

Nga ana e Ukrainës, administrata ushtarake e rajonit të Zaporizhjës njoftoi se tre persona u plagosën nga një sulm me dronë rusë gjatë natës.

Kryetari i Kievit, Vitali Klitschko e përshkroi situatën në qytet si “në prag të katastrofës”, duke përmendur ndërprerje masive të energjisë elektrike, ngrohjes dhe furnizimit me ujë.

Klitschko kritikoi gjithashtu presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, duke thënë se ndërhyrja presidenciale në pushtetin lokal ka “dobësuar reformat e rëndësishme të decentralizimit”.

Forcat Ajrore të Ukrainës njoftuan se sistemet e mbrojtjes ajrore kanë shkatërruar 55 nga 83 dronë të lëshuar nga Rusia gjatë natës. /AA/