Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, pasi u takua me homologun rus, Vladimir Putin në Turkmenistan, ndihet optimist në përfundimin e luftës midis Ukrainës dhe Rusisë.

Ai tha se dëshiron të diskutojë planin për paqe edhe me presidentin e Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.


“Paqja nuk është larg, ne e shohim atë”, tha lideri turk në një deklaratë gjatë kthimit nga udhëtimi, raporton reuters.

Gjatë bisedimeve, Erdogan theksoi rëndësinë e një armëpushimi të kufizuar, veçanërisht për të mbrojtur infrastrukturën e energjisë dhe portet.

Ai tha se Deti i Zi nuk duhet të shihet si një fushë beteje, sepse një gjë e tillë do të dëmtonte si Rusinë ashtu edhe Ukrainën.

Udhëheqësi turk gjithashtu theksoi nevojën që rrugët detare të jenë të sigurta për lëvizje.

Ndryshe, Rusia raportohet se ka sulmuar dy porte ukrainase, duke dëmtuar tre anije të pronarëve turq, përfshirë një anije që transportonte ushqime - një zhvillim që nxit përpjekjet diplomatike për të ruajtur sigurinë detare dhe për të ulur tensionet. /Telegrafi/