LAJMI I FUNDIT:

Rukiqi kritikon Qeverinë: Nuk kemi ndalje të “gjakderdhjes financiare”, por “kapsllëk financiar”

Rukiqi kritikon Qeverinë: Nuk kemi ndalje të “gjakderdhjes financiare”, por “kapsllëk financiar”

Ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Berat Rukiqi, ka kritikuar Qeverinë për keqmenaxhim me paranë publike.

Sipas tij, nuk bëhet fjalë për ndarje të “gjakderdhjes financiare”, siç është deklaruar nga zyrtarët e ekzekutivit, por për “kapsllëk financiar”.

Kjo pasi siç ka thënë Rukiqi, Qeveria po merr taksat dhe kontributet tjera nga qytetarët dhe bizneset, por nuk po i shpenzon fare në dobi të tyre.

Se Qeveria nuk po e shpenzon buxhetin, ish-kryetari i OEK-ut pati deklaruar edhe para disa javësh në emisionin “Përballje” në Telegrafi.com me kryeredaktorin Muhamet Hajrullahu.

“Para disa javësh në një intervistë ne telegrafi.com, kam paralajmëruar që Qeveria nuk po shpenzon asnjë cent. Në numra dhe me pamje grafike, këtë paralajmërim e faktoj Instituti GAP, me përqindjen e frikshme të realizimit të investimeve kapitale në 6 mujorin e parë të vitit 2022: vetëm 9%”, ka shkruar ai në Facebook.

Abdixhiku: Fukarallëku mendor i kësaj Qeverie po prodhon tkurrje kolektive të shoqërisë
Lexo po ashtu Abdixhiku: Fukarallëku mendor i kësaj Qeverie po prodhon tkurrje kolektive të shoqërisë

“Të marrësh taksa dhe kontribute tjera nga qytetarët dhe bizneset, dhe të njëjtat t’i mos i shpenzosh fare, në dobi të qytetarëve dhe bizneseve, është keqmenaxhim me paranë publike, ne radhë të parë. Keqmenaxhim i parasë publike është edhe kur kjo para shkon në destinim të gabuar (rastet korruptive dhe klienteliste, edhe në rastet kur nuk ka destinim fare, siç po ndodh tani”.

Mes tjerash, Rukiqi ka thënë se nuk mund të ketë “gjakderdhje financiare”, derisa nuk qarkullon “gjak”.

“Ka një narrativë nga Qeveria, që vazhdimisht thotë që kemi arritur të ndalim “gjakderdhjen financiare” në vend. Në fakt, “gjakderdhje” nuk do të këtë fare, nëse nuk qarkullon “gjak”. Nëse bëjmë anologji me situatën që e kemi me financat publike, i bie që “gjaku” i ekonomisë (qarkullimi i parasë) është ndalur së qarkulluari”.

“Nëse flasim me gjuhën e shkencës mjekësore, epilogu është ky: nuk kemi ndalje të “gjakderdhjes financiare”, por kemi “kapsllëk financiar”. P.S. Krejt vitin ka pas thirrje për përdorim më efiçient të energjisë, e në anën tjetër, nuk është shpenzuar asnjë cent nga buxheti, për investime në projekte të efiçencës”, ka përfunduar ai. /Telegrafi/