LAJMI I FUNDIT:

Rukiqi: Janë vetëm dy rrugë për kalimin e Projektligjit për Rimëkëmbjen Ekonomike

Rukiqi: Janë vetëm dy rrugë për kalimin e Projektligjit për Rimëkëmbjen Ekonomike

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi ka thënë se është momenti vendimtar për kalimin e Projektligjit për Rimëkëmbjen Ekonomike nga pandemia COVID-19.

Rukiqi në një shkrim në Facebook, ka treguar se janë vetëm dy rrugë për ta kaluar këtë Projektligj.

“Nesër, në seancën e radhës të Kuvendit, është në rend dite, Ligji për Rimëkëmbjen Ekonomike. Janë veç dy rrugë për kalimin e këtij Ligji: 1) miratimi në lexim të parë dhe pastaj amandamentimi përmbajtjesor në leximin e dytë dhe 2) tërheqja e versionit aktual të Ligjit nga ana e Qeverisë dhe fuzionimi i dy versioneve (të pozitës dhe opozitës) në një ligj të vetëm”, shkruan Rukiqi, përcjell Telegrafi.

Në mungesë të kuorumit, javën e kaluar deputetët e Kuvendit të Kosovës sërish kishin dështuar të miratojnë Projektligjin për Rimëkëmbjen Ekonomike nga pandemia COVID-19. Në seancë kishin marr pjesë në votim vetëm 41 deputetë, ndërsa votimi për këtë Projektligj është bartur për seancën e radhës.

Ky Projektligj, po ashtu nuk kishte marrë votat në lexim të parë as në muajin gusht, pasi Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Demokratike e Kosovës refuzuan ta votojnë ndonëse ministrja e Financave, Hykmete Bajrami bëri thirrje për votimin e tij.

Me anë të këtij Projektligji parashihet zbatimin e Pakos së Rimëkëmbjes Ekonomike në vlerë prej 365 milionë euro. /Telegrafi/