“Në kuadër të mandatit tonë, bazuar në Rezolutën 1244, dhe tek parimet udhëheqëse të Grupit të Kontaktit për procesin e statusit, jemi të përkushtuar ndaj tërësisë tokësore të Kosovës. Kur them ne, e kam fjalën për KFOR-in, UNMIK-un dhe institucionet e Kosovës”, ka thënë Ruecker.

I pyetur nëse do të mbetet Mitrovica edhe më tej një çështje e pazgjidhur, pas statusit, Ruecker ka thënë: “Rajoni i Mitrovicës veriore është pjesë e Kosovës dhe ne synojmë të zbatojmë mandatin tonë siç ka ndodhur në të kaluarën dhe kështu do të jetë edhe në të ardhmen”.

Shefi i UNMIK-ut po ashtu ka thënë se nuk sheh ndonjë lidhje të drejtpërdrejtë në mes të zgjedhjeve në Serbi më atë çfarë po ndodh në Kosovë.

Ndërkaq, i pyetur nëse misioni i tij merr fund në Kosovë me shpalljen e pavarësisë nga Prishtina, Ruecker ka thënë: “Pas statusit, sigurisht që do të kemi një periudhë kalimtare. Dhe nëse plani i zotit Ahtisaari është zgjidhja, atëherë ju e dini se është paraparë një periudhë katërmuajshe. Diku pas statusit do të fillojë periudha 120 ditëshe dhe vetëm kur të përfundojë periudha kalimtare do të jetë e mundur që të kalohen përgjegjësitë nën kuadrin ligjor dhe kjo duhet të përcaktohet”.