Rudiger dhe Alaba do të largohen, Reali gjen mbrojtësin në Bundesliga

Real Madridi vazhdon kërkimin për një qendërmbrojtës të nivelit të lartë që do të formojë partneritetin e së ardhmes me Dean Huijsen në qendër të mbrojtjes. Një nga emrat që po fiton gjithnjë e më shumë peshë në listën e dëshirave të klubit është ai i Nico Schlotterbeck.
Mbrojtësi gjerman po tregohet i rezervuar për rinovimin e kontratës me Borussia Dortmund, gjë që ka tërhequr vëmendjen e bordit të “Los Blancos”. Sipas “Defensa Central”, Real Madridi po e monitoron me kujdes situatën e tij dhe mund të veprojë nëse hapet një mundësi e favorshme në merkato.

Skuadra e drejtuar nga Xabi Alonso po zhvillon një sezon të shkëlqyer, megjithëse humbja 5-2 në derbin ndaj Atletico Madrid i la në pah dobësitë mbrojtëse. Soliditeti që ishte bërë armë e fortë e madrilenëve u shemb brenda 90 minutave, ndërsa edhe Huijsen u kritikua për humbjen e shumë dueleve ajrore.
Përkundër kësaj, Real Madridi ka treguar stabilitet në prapavijë falë paraqitjeve të shkëlqyera të Thibaut Courtois, që shpeshherë ka qenë shpëtimtari i skuadrës. Huijsen dhe Eder Militao kanë formuar një dyshe premtuese në qendër, ndërsa Alvaro Carreras po shkëlqen në krahun e majtë. Në anën tjetër, dëmtimet e shpeshta të Dani Carvajal dhe Trent Alexander-Arnold kanë ndikuar në vazhdimësinë e lojës.
Problemet më të mëdha qëndrojnë në mungesën e thellësisë në mbrojtje. David Alaba dhe Antonio Rüdiger ende nuk janë rikuperuar plotësisht nga dëmtimet në gju, dhe për shkak të moshës dhe pagave të larta, drejtuesit e klubit po shqyrtojnë mundësinë e largimit të tyre në afatin kalimtar e verës.

Kjo do të hapte rrugën për një investim të ri, të përqendruar në një mbrojtës të ri dhe afatgjatë, ku Schlotterbeck shihet si kandidati ideal për t’u bashkuar me Huijsen.
Mbrojtësi 25-vjeçar ka lënë pas dëmtimin afatgjatë dhe është rikthyer në formë të shkëlqyer. Sezonin e kaluar, ai zhvilloi 37 ndeshje për Borussia Dortmund në të gjitha garat, me mbi 3,200 minuta të luajtura dhe pesë asistime në total.
Megjithatë, sfida kryesore për Schlotterbeck është përshtatja me filozofinë e Xabi Alonsos, pasi profili i tij është i ngjashëm me atë të Huijsen. Për momentin, Real Madridi do të ndjekë nga afër zhvillimet e ardhshme përpara se të marrë një vendim përfundimtar. /Telegrafi/



















































