Ruben Amorim pritet të marrë drejtimin e gjigantit evropian pas shkarkimit nga Man United

Ish-trajneri i Manchester United, Ruben Amorim, pritet të bëhet drejtuesi i një klubi të madh evropian para sezonit 2026/27.
Edhe pse erdhi te ‘Old Trafford’ me një reputacion të shkëlqyer, pas dy titujve të ligës portugeze me Sporting Lisbonën gjatë kohës së tij në Lisbonë, periudha 14-mujore e Amorimit në krye të United nuk shkoi ashtu siç ai do të kishte dëshiruar.
41-vjeçari drejtoi Manchester United në 63 ndeshje, me 25 fitore, 15 barazime dhe 23 humbje, para se të shkarkohej nga klubi më 6 janar. Pas tij, Michael Carrick mori drejtimin e ekipit.
Megjithatë, 41-vjeçari pritet të ruajë ambiciet për një karrierë të suksesshme si trajner, pavarësisht dështimit në Ligën Premier.

Amorim ka fituar tre herë Kupën e Portugalisë, dy herë me Sportingun dhe një herë me Bragën si dhe dy tituj të kampionatit me Sporting Lisbonën.
Por gjatë karrierës së tij si futbollist, e cila zgjati 13 vjet, ai zhvilloi 154 paraqitje për rivalët e Sporting, Benfica, dhe mund të marrë së shpejti drejtimin e tyre.
Sipas raportimit të ESPN, Benfica pret që trajneri aktual, Jose Mourinho, të largohet në verë, para se të marrë drejtimin e kombëtares së Portugalisë kur kontrata e Roberto Martinez të skadojë pas Botërorit 2026 në korrik.
Nëse Mourinho bëhet trajner i kombëtares, Amorim pritet të zëvendësojë atë në ‘Estadio da Luz’.
ESPN raporton se Amorim ka “mbështetje të konsiderueshme” mes vendimmarrësve të klubit, ndërsa ruan një reputacion të shkëlqyer në vendin e tij.
Amorim ka zbuluar më parë se është rritur duke mbështetur Benficën, edhe pse më vonë u bë trajner i Sporting./Telegrafi/























































