LAJMI I FUNDIT:

“Ruaj traditën, festo shqip”, mbledh bashkë studiues të folklorit dhe artistë

“Ruaj traditën, festo shqip”, mbledh bashkë studiues të folklorit dhe artistë

Një grup studentësh të Gazetarisë mblodhën në një tryezë studiues si dhe artistë në kuadër të fushatës “Ruaj traditën, festo shqip” që synon ndërgjegjësimin e të rinjve në ruajtjen e folklorit.

Kjo fushatë është iniciuar në lëndën Konceptim dhe Menaxhim Fushatash. Pedagogia Edlira Mali është njëkohësisht edhe këshilltarja e studentëve gjatë këtij projekti.


Studiuesit janë shprehur të shqetësuar në lidhje me vështirësinë e tejkalimit të folklorit nga brezi në brez. Gati të gjithë nga ta ranë dakord për se bartësit po humbasin, e ndërkohë po humbim edhe një trashëgimi kulturore.

Rahim Ombashi dha një mesazh shumë të vyer për të gjithë të pranishmit, duke vënë në pah edhe rëndësinë e këtij takimi: “Marrim nisma të tilla sepse kemi mundësi e mbi të gjitha ndjejmë përgjegjësi për të ardhmen. Nuk harron shqiptari lahutën, traditën; pa ato do të ishte një diçka që ecte pa shpirt”. Ndërkohë, Agron Tufa u ndal në elementët e veçantë të folklorit shqiptar të cilat i bëjnë rrënjët tona të thella dhe impresionuese për këdo që i përjeton.

Një pjesë të rëndësishme të takimit e zuri dhe rëndësia e lahutës. Koleksionisti dhe instrumentisti Ermal Sela bëri dallimin mes lahutës shqiptare dhe asaj serbe. Ndër të tjera ai tha se për shkak të masivizimit po prodhohen lahuta serbe si të ishin shqiptare

Armanda Hysa u shpreh se folklori i vërtetë nuk gjendet në festivalet folklorike, por tek festat familjare dhe dasmat. Ndërkaq Genc Kastrati foli për vallet popullore shqiptare duke treguar veçantitë e tyre, meqë lëviz çdo gjymtyrë e trupit. Ai shton shpjegimin e fjalës valle, me anë të fjalës arbëreshe valë, duke treguar ndjesinë që jep vallja shqipe – dinamike dhe elegante.

Fushata do të vazhdojë me një konkurs vallesh, ku ftohen të gjithë të interesuarit që të aplikojnë për të marrë pjesë. /ata/