Muzeu Historik Kombëtar hapi dje ekspozitën me titull, “Kongresi i Arsimit Mbarëkombëtar Shqiptar”.

Kjo ekspozitë fotografike dhe dokumentare shpalos rrugëtimin e shkrimit të gjuhës shqipe si dhe momente nga Kongresi i Elbasanit.

Kongresi i Elbasanit u thirr me nismën e klubit shqiptar të Selanikut, ndërsa me përgatitjen e tij të drejtpërdrejtë u morën klubet “Bashkimi” e “Vllaznia” të Elbasanit. Kongresi u hap më 2 shtator të vitit 1909 dhe i vijoi punimet deri më 8 shtator.

Në ekspozitë u prezantuan objekte nga fondi i Muzeut Historik Kombëtar. Këto ishin objekte të disa prej delegatëve pjesëmarrës në Kongres apo patriotëve që kanë shërbyer si mësues në Normalen e Elbasanit, si: Luigj Gurakuqi, Thanas Floqi, Kristo Dako etj.

Kongresi i Elbasanit, përveç rëndësisë historike kulturore e politike shqiptare, ka edhe rëndësi për afirmimin ndërkombëtar të kombit shqiptar.