LAJMI I FUNDIT:

Rrugë dhe kampe ilegale në Maqedoni (Video)

Rrugë dhe kampe ilegale në Maqedoni (Video)

Pas zbulimit të kampit të improvizuar të refugjatëve pranë fshatit Llojan dhe Miratoc, në afërsi të kufirit me Serbinë, TV21 kërkoi prononcimin e ministrit të brendshëm Mitko Çavkov.

Ai thotë se ministria është duke punuar intenzivisht në parandalimin e grupeve kriminale që merren me trafikimin e emigrantëve. Siç deklaroi vetë, refugjatët janë viktima të grupeve kriminale dhe MPB-ja po punon në luftimin e tyre dhe në rritjen e sigurisë në atë rajon.


“Ne ishim të vetëdijshëm se me reduktimin e hyrjeve apo me mbylljen e shtegut ballkanik, problemet nuk do të zgjidhen. Vlerësuam saktë se tani, në kushtet e reja, do të aktivizohen aktivitetet e rrjeteve të organizuara kriminale. Me intensitet të fortë dhe rilokim të zyrtarëve policorë, po punojmë në parandalimin dhe identifikimin e grupeve të organizuara kriminale”, u shpreh Mitko Çavkov, Ministër i Punëve të Brendshme.

Pas mbylljes së shtegut ballkanik, numri i refugjatëve në kampin në Tabanoc, po zvogëlohet gjithnjë e më shumë. Udhëheqësi i qendrës për menaxhim me krizat në këtë kamp, Goran Stojanovski konfirmoi se refugjatët kufijtë i kalojnë në rrugë ilegale, për të arritur në vendet evropiane.

“Sigurisht se ata në mënyrë ilegale përpiqen të hyjnë në Maqedoni. Kërkojnë shteg të përshtatshëm dhe të pasiguruar nga shërbimet maqedonase dhe serbe të sigurisë. Informacionet që i kam, flasin se këta, kufirin me Serbinë e kalojnë në mënyrë ilegale dhe pastaj, për fat të mirë, pranohen në qendrën tranzitore në Preshevë”, tha Goran Stojanovski, nga QMK.

Përndryshe, në mars, policia bëri kontroll në kampin e improvizuar, të cilin TV21 e zbuloi në fshatrat e Kumanovës – Vaksincë dhe Llojan. Disa muaj më vonë, ekipi ynë zbuloi një kamp të ri të improvizuar, kësaj radhe pranë fshatrave Llojan dhe Miratoc, në afërsi të kufirit serbo-maqedonas.

Ata janë pa ushqim dhe pa rroba adekuate, ndërsa ka zëra që thonë se në kamp shpërndahet drogë dhe se është përhapur edhe prostitucioni. Vendi ku ndodhen këta emigrantë, nuk është i rastësishëm, për arsye se pikërisht ky lokacion është rruga e vetme të cilën emigrantët ilegalë e përdorin për ta kaluar kufirin me Serbinë. /Telegrafi/