LAJMI I FUNDIT:

Rruga drejt dashurisë

Rruga drejt dashurisë

Vetëm dashuria mund ta ndërtojë brenda një nate Murin Kinez.
(proverb korean)

Studiuesit, psikologët kanë konstatuar se njeriu i zakonshëm jeton shfrytëzon jetën vetëm dhjetë për qind, merr frymë me dhjetë për qind, dashurohet me dhjetë për qind, kënaqet me dhjetë për qind, thjesht nëntëdhjetë për qind të jetës së tij nuk e shfrytëzon.


Abdirahim Idrizi
Poliklinika “Galaxy”
abdirahimidrizi@gmail.com

Njeriu do të duhej t’i shfrytëzonte 100% të mundësive të tij, vetëm atëherë ai është i lirë dhe i lumtur. Kjo është e vërtetë, nëse ti je edukuar gabimisht, je arsimuar gabimisht, atëherë mos prit edukatë dhe arsimim të drejtë. Atëherë ti do të bëhesh i luhatshëm, indiferent, humb besimi, humb dashuria. Ti jeton, e ndjen veten por nuk je i lirë, nuk ke besim në veten tënde, ti vazhdon jetën me dyshime, tërë kohën ti fajëson të tjerët, e zhvendos vëmendjen, kërkon ndihmë atje ku nuk ekziston.

Kjo ndodh me personat që nuk kanë guxim të përballen me të vërtetën. Ndërgjegjësimi është shumë i vështirë: kontrolli, ligjet, zakonet, tradita, është lehtë të kontrollohen dhe të zbatohet te shumica. Ti vetëm praktiko zakonet, praktiko ligjet, impono kontrollin dhe këta do të të respektojnë ty. Ti je i detyruar të adaptohesh në ato kushte, do të vazhdosh ta pranosh gjendjen që të imponohet, ti nuk ke zgjidhje tjetër.

Të gjitha këto masa, këto rregulla, këto ligje krijojnë çrregullime, të ndrydhin, janë të imponuara nga jashtë, ashtu edhe ne jemi të ndrydhur, energjia e ndrydhur, marrëdhëniet janë të lënduara: kërkesa, nevoja jonë është e ndrydhur, varet nga faktori i jashtëm dhe ti je i pafuqishëm të ndërhysh. Ai ka arritur ta kontrollojë mendjen tënde, ti je peng, ai mendon për ty, ta ka marrë lumturinë, gëzimin, ti tash je serioz, ti je i ftohtë, ti je instrument për manipulim.

Prandaj shumica janë mësuar që të tjerët të mendojnë për të. Ne jemi të frikësuar, nuk e shikojmë njëri-tjetrin në sy. Por nëse ti je i ushqyer drejt, je edukuar drejt, je arsimuar drejt, atëherë ti do të bëhesh njeri shumë i kontrollueshëm. Njeriu që ka arritur të jetë i lirë, që është i mbushur me energji, t’i shfrytëzojë të mirat, ta shijojë jetën në maksimum, nuk lejon të manipulohet, ai është vetvetja.

Për këta persona jeta është shumë e mirë, jeta është e freskët, është kënaqësi, kënaqësia është kur ti bën seks, kur ti e shijon lumturinë e shpirtit. Kush ka arritur ta zbulojë veten, është i lirë. Ai që ka arritur ta shijojë kënaqësinë e seksit, ai shpërndan lumturi, shpërndan gëzim, nuk ngutet, nuk ofendon, shijon çdo gjë. Ky është edhe qëllimi i jetës.

Mos u mundo ta ndryshosh veprimin tënd, përpiqu ta gjesh qenien tënde, qenia jote është jeta jote. Ti zbuloje qenien tënde, atëherë vjen veprimi i yt. Qenia është ajo që ti je, veprimi është ai që ti bën, thelbi yt përmban përvojën tënde, të kaluarën tënde, të ardhmen tënde, të tashmen. Qenia jote është vetvetja jote, është liria jote.

Të jesh vetvetja është të shkosh përpara të ngrihesh në lartësinë e duhur. Ti ecën drejt përjetësisë sate. Kur ti arrin ta zbulosh veten tënde, ti do ta kesh çelësin që ta hapësh drynin e tjetrit, ti e kupton gjuhën e dashurisë, ti do të shikosh më larg, sepse ti e njeh veten, ti e ke njohur veten në thelb, atëherë ti je i aftë edhe tjetrin ta njohësh në thelb.

Kujdes, asgjë nuk e ndryshon njeriun, prandaj mos e masko veten, kujdes mos u shtir, mos bëj skena. Paraprakisht mos e përgatit veten. Nëse thua nuk mundem, ti nuk mundesh, kuptoje këtë dhe mos bëj përpjekje për t’u shtirur, sepse kjo është gënjeshtër.

Ti veç veten gënjen, nuk gënjen askënd tjetër. Njeriu që ka arritur të jetë vetvetja dhe i lirë me veten, kriteri i vetëm i zhvillimit të tij është dashuria.

Ka tri mundësi të vërtetosh a je me të vërtetë i lirë me vetveten:

– nëse shumë kohë nuk ke njohur një femër, nuk e ke prekur me dorë një vajzë të bukur, ti mund të jesh viktimë, mund të harrosh lirinë tënde, dashuria do të të hipnotizojë, kështu në shumicën e rasteve ndodh me të rinjtë,
– mundësia tjetër është të jesh i përmbajtur, të jesh i ftohtë, të mos nënshtrohesh, ta kontrollosh veten, të mos i dorëzohesh dashurisë,
– mundësia e tretë, nëse ke arritur ta zbulosh veten dhe të jesh i lirë plotësisht, atëherë ti je plot dashuri, mirëkuptim, ti je solidar, ti di se çfarë i nevojitet një ferme, ti je gati t’i plotësosh ëndrrat e saj.

Nëse do të ndodhte e para femër, i gjithë mundimi yt është i kotë, është humbje kohe. Nëse do të ndodhë e dyta, atëherë je i zakonshëm, por nuk ke arritur lirinë e plotë të vetvetes sate. Në rastin e tretë thjesht tregon se ti ke bërë zakon ta marrësh nën kontroll veten, sjelljen tënde.

Njeriu që ushtron dhe beson, arrin edhe të paarritshmen për njeriun normal, kjo ndodh edhe në seks. Dëshira, interesimi për seks ekziston, por kontrolli i marrëdhënies në seks është shumë delikat.

Dashuria e vërtetë është jetë, ti gjithnjë mendon për tjetrin, kurse egoja mendon vetëm për veten, dashuria është gjithnjë e vëmendshme, e kujdesshme të shërbejë të shpërblejë. Nëse ti je i lirë, me besim të plotë ndaj vetes sate, dashuria vjen në mënyrë automatike, vetvetiu, ajo të ndjek sepse rrezaton si hije.

Ti je i lirë, i vetëdijshëm, kënaqu me qenien tënde, kjo është e gjitha. Njeriu që arrin të gjejë kohë për veten e vet, të qëndrojë në heshtje pa e penguar askush, mësoni të qëndroni vetëm, ta zbuloni veten në vetminë e vet, kjo është e gjitha.

Të mos mendojmë se nëse një kohë qëndrojmë vetëm, jemi të vetmuar, përkundrazi, njerëzit nëse për vete nuk kanë kohë, janë të vetmuar sepse nuk e kanë shijuar lirinë, nuk kanë besimin në vetvete, nuk kanë zbuluar veten e vet. Njeriu që është i lirë, që është vetvetja, ai shkon drejt dashurisë, ai është i arsyeshëm, atë nuk e befason asgjë, e pranon realitetin e vet ashtu siç është. Njerëzit e rëndomtë nuk e pranojnë botën ashtu siç është, ata përpiqen gjithnjë ta ndryshojnë atë, përherë mundohen ta bëjnë ndryshe.

Është bukur të jesh i dashuruar e të jesh me njerëz, atëherë nuk është e nevojshme të shqetësohesh në vetmi, qetësia është akumulim, është energji ta shpalosësh brendinë tënde. Ti nëse ke arritur të kënaqesh me rrethin me marrëdhëniet, ti ke nevojë të akumulosh energji në vetminë tënde. Marrëdhëniet e shëndosha krijojnë nevojën për vetminë.

Kur ti je i rrethuar me marrëdhënie të shëndosha, dhe je thellë me dikë, te ti lind nevoja e thellë të jesh vetëm, të jesh i qetë me lirinë tënde absolute. Ti tani ke dëshirë të veprosh në vetmi, që ta mbledhësh sërish veten, që të akumulosh energji, që të shpërndash përsëri dashuri.

Dashuria të shpie drejt tjetrit. Ti zhytesh, ti dorëzohesh. Ti, sa më shumë që jep, aq më shumë ke nevojë të jesh vetëm. Kur ti je vetëm, ti krijon përsëri nevojën për dashuri. Shumica e njerëzve dorëzohen, lodhen në bashkësinë e tyre, nuk dinë as vetë se kush janë, ata nuk janë ndeshur asnjëherë me veten, asnjëherë nuk kanë qenë vetë, ata i frikësohen vetmisë, besimi i tyre është i luhatshëm. Ata jetojnë me të tjerët, ata jetojnë në bashkësi, ata janë pjesë e turmës, ata nuk janë vetvetja.

Shumica e njerëzve janë të zbrazët, ndihen të mërzitur, janë dorëzuar në emër të besimit, janë dorëzuar në emër të familjes së lavdishme, janë dorëzuar në emër të kombit, janë pajtuar me një pritje të pafundme. Pranoje jetën ashtu siç është, me të gjitha dimensionet e saj.

Kur ti fillon të komunikosh, ti e di se jeton, ti nuk je vetëm, prandaj ti lodhesh, kërkon një lloj hapësire që të jesh vetëm, sepse e ndjen veten të lodhur të rraskapitur. Dhe kur të jesh vetëm, ti do të shohësh ëndrra të mëdha të bukura. Sa gjë e bukur do të jetë kjo, askush nuk të futet te liria jote, askush nuk përpiqet të manipulojë me ty, ti mendon vetëm për veten tënde.

Njeriu jeton në ankth dhe vazhdon të shpresojë, njeriu do të vazhdojë të shpresojë se nesër do të bëhet më mirë. Herët apo vonë njeriu fillon ta ndjejë se ka nevojë që një kohë të jetë vetëm. /Telegrafi/