Merimangat do të qëndrojnë larg shtëpisë nëse spërkatni një përzierje natyrale brenda shtëpisë

Nuk ka pothuajse asgjë më të pakëndshme sesa të hysh në dhomën e gjumit dhe të shohësh një merimangë të madhe duke u ngjitur në mur. Megjithatë, ekziston një mënyrë e thjeshtë për t'i penguar ato të hyjnë në shtëpinë tuaj këtë vit.
Merimangat zakonisht hyjnë brenda sapo moti fillon të freskohet në fund të verës, pasi kërkojnë një vend të ngrohtë për t'u strehuar. Ato tërhiqen gjithashtu nga mizat që ende qarkullojnë nëpër shtëpi.
Ato pritet të bëhen një problem më i madh nga fundi i gushtit, pasi atëherë fillon sezoni i çiftëzimit. Gjatë kësaj periudhe, shpesh mund të shihni merimanga të mëdha mashkullore në vaskë, në qoshe të dhomave ose duke ecur në dysheme.
Megjithatë, ia vlen të merrni masa parandaluese që tani, pasi ekziston një metodë shumë e lehtë për t'i larguar. Për të qenë sa më efektive, kjo metodë duhet të përsëritet një herë në javë.
Anna nga Northwest Exterminating ka treguar se mënyra më e mirë natyrale për të larguar merimangat, e cila "ia vlen kohën tuaj", është spërkatja e vajit esencial të mentes (peppermint) nëpër shtëpi.
Ajo tha:
"Vaji i mentes është repelenti natyral ndaj merimangave që është studiuar më së shumti. Përzieni 10 deri në 15 pika vaj menteje me një gotë ujë në një shishe me spërkatës. Spërkateni çdo javë në qoshe, pragjet e dritareve, pikat e hyrjes dhe përgjatë bazamenteve të mureve. Aroma e fortë zgjat vetëm 5 deri në 7 ditë, prandaj përsëritja e rregullt është thelbësore".
Merimangat orientohen kryesisht përmes qimeve ndijore në këmbët e tyre, të cilat i përdorin për të gjetur ushqim dhe për të dalluar rrezikun nga grabitqarët.
Vaji i mentes përmban një përqendrim të lartë të mentolit, i cili ka një aromë shumë të fortë menteje që shumë insekte e konsiderojnë të padurueshme.
Kur spërkatet, ai irriton receptorët ndijorë në këmbët e merimangave, duke i bërë ato të largohen më shpejt. Përveç kësaj, aroma e pazakontë mund t'u sinjalizojë atyre se në atë zonë mund të ketë rrezik.
Gjithashtu, vaji i mentes ndërpret gjurmët kimike të feromoneve që merimangat përdorin për të shënuar lëvizjet e tyre, gjë që i dekurajon ato të vendosen në atë ambient.
Kjo është një nga mënyrat më të thjeshta për t'i mbajtur merimangat larg shtëpisë pa shpenzuar para për spërkatës kimikë ose pa qenë nevoja t'i mbani dritaret të mbyllura gjatë gjithë verës.
Megjithatë, disavantazhi më i madh i vajit të mentes është se efekti i tij zgjat vetëm disa ditë. Për këtë arsye, rekomandohet që ta spërkatni shtëpinë të paktën një herë në javë për t'i mbajtur merimangat larg gjatë gjithë sezonit.
Si të parandaloni hyrjen e merimangave në shtëpi
Do t'ju nevojiten:
10–15 pika vaj esencial menteje (peppermint) ose uthull e bardhë;
Disa pika detergjent për larjen e enëve;
500 ml ujë;
Një shishe bosh me spërkatës.
Duhet pasur parasysh se vajrat esencialë duhen përdorur me kujdes nëse keni kafshë shtëpiake. Aroma e tyre e fortë mund t'i stresojë dhe, në disa raste, mund të jetë edhe toksike.
Nëse keni mace ose qen, një alternativë më e sigurt është uthulla e bardhë. Ajo përmban acid acetik, i cili njihet se ndihmon në largimin e merimangave.
Mënyra e përdorimit
Fillimisht, pastroni mirë shtëpinë. Merimangat tërhiqen nga vendet me pluhur ose rrëmujë, prandaj mbajtja e shtëpisë së pastër ndihmon ndjeshëm në largimin e tyre.
Kaloni fshesën me korent, fshini sipërfaqet dhe, nëse keni fruta të ekspozuara, mbulojini për të zvogëluar numrin e mizave që hyjnë në shtëpi.
Më pas, hidhni në shishen me spërkatës ujin, vajin e mentes dhe detergjentin për enët. Tundeni mirë shishen para çdo përdorimi, në mënyrë që vaji të mos qëndrojë i ndarë në fund.
Spërkatni lehtë zonat ku merimangat krijojnë zakonisht rrjetat e tyre, si kornizat e dritareve, bazamentet e mureve (listelat), qoshet e dhomave dhe pikat e hyrjes.
Përsëriteni spërkatjen çdo 5–7 ditë, sapo aroma të fillojë të zbehet. Me përdorim të rregullt, shtëpia juaj ka më shumë gjasa të mbetet pa merimanga edhe gjatë vjeshtës.


































