Rritja e çmimit të biletave të transportit publik në Prishtinë, LVV dorëzon padi në Gjykatën Supreme


Lëvizja Vetëvendosje dega në Prishtinë, ka njoftuar se ka dorëzuar padi në Gjykatën Supreme kundër vendimit për rritjen e çmimit të biletave të transportit publik në kryeqytet.
Sipas njoftimit, përmes kësaj padie kërkohet anulimi i vendimit dhe pezullimi i menjëhershëm i zbatimit të tij deri në marrjen e një vendimi përfundimtar nga Gjykata.
Grupi i asamblistëve pretendon se kryetari i Komunës së Prishtinës nuk ka kompetencë ligjore për të përcaktuar çmimin e biletave të transportit publik, duke theksuar se kjo kompetencë i takon Kuvendit Komunal.
Në njoftim thuhet, se vendimi krijon trajtim diskriminues ndaj qytetarëve, pasi përcakton çmime të ndryshme për të njëjtin shërbim bazuar në mënyrën e pagesës, pa një arsyetim objektiv dhe proporcional.
Megjithatë, grupi i asamblistëve ka ngritur pretendime se vendimi është marrë në kundërshtim me parimin e ligjshmërisë, duke mos respektuar procedurat dhe standardet e kërkuara ligjore, si dhe duke mos përmbajtur arsyetimin e nevojshëm.
Sipas Lëvizjes Vetëvendosje, në një shtet të së drejtës çdo autoritet publik duhet të veprojë brenda kompetencave të përcaktuara me ligj dhe vendimet që prekin qytetarët duhet të jenë në përputhje me legjislacionin në fuqi.
“Tani është radha e Gjykatës Supreme të mbrojë ligjshmërinë dhe interesin publik”, thuhet tutje në njoftim. /Telegrafi/




































