LAJMI I FUNDIT:

Rritet shitja e produkteve vendore, pas taksës ndaj Serbisë

Rritet shitja e produkteve vendore, pas taksës ndaj Serbisë

Ditë më parë Qeveria e Kosovës ka rritur taksën ndaj mallrave serbe dhe atyre të Bosnjës nga 10% në 100%. Kjo masë erdhi si pasojë e lobimit të vazhdueshëm të Serbisë kundër Kosovës, e sidomos pas mosanëtarësimit në INTERPOL.

Drejtori ekzekutiv i  Klubit të Prodhuesve të Kosovës, Astrit Panxha, tha se me vendosjen e taksës 100% ndaj prodhimeve Serbe dhe atyre të Bosnjës janë krijuar kushte të reja në tregun kosovar të cilat në fokus kanë prodhimet vendëse.

“Klubi Prodhuesve të Kosovës e ka përkrah masat e ndërmarra nga Qeveria e Kosovës ndaj Bosnjës dhe Serbisë dhe ne besojmë që ka pas edhe arsye ekonomike përveç atyre politike të ndërmerren këto masa sepse prodhuesit e Kosovës nuk janë trajtuar njëjtë si trajtohen prodhuesit e Bosnjës apo Serbisë në Kosovë”, tha Panxha në një intervistë për Ekonomia Online.

“Ne kemi tentuar të eksportojmë në ato dy vende, kemi pas shumë vështirësi, tash ne besojmë që në tregun e Kosovës janë krijuar kushte të reja ku vakum i krijuar nga mungesa  e produkteve serbe mund të mbulohet nga prodhimet vendore”.

“Nuk mund ta mbulojmë më grurë, por me produkte tjera mund ta bëjmë. Besojmë që do të shtohen ndërrimi i dytë edhe i tretë nëpër fabrika tona. Por gjithmonë duhet të shikojmë edhe për alternativa tjera”, tha ai.

Ai tha se efekti i kësaj takse mund të ndihet në festat e fundvitit pasiqë ende në treg ka rezerva të produkteve nga këto dy vende.

“Efekti nuk mundë të vërehet sepse ka pasur shumë rezerva të produkteve nga Serbia të cilat ende janë duke u konsumuar, besoj qe nëse masa vazhdon sidomos gjatë festave ku konsumi i produkteve është shumë i lartë atëherë do të kemi edhe efektet  e para”, shtoi Panxha.

Prezantohen rezultatet e sondazhit Made in Kosova nga Pyper në Konventën e Prodhuesve të Kosovës - rritje e besimit në prodhime vendore!
Lexo po ashtu Prezantohen rezultatet e sondazhit Made in Kosova nga Pyper në Konventën e Prodhuesve të Kosovës - rritje e besimit në prodhime vendore!

Pronari i kompanisë “Frutex”, Shaqir Palushi tha se me vendosjen e masës 100% nga Qeveria është rritë konsumi i produkteve vendore gjithashtu edhe vetëdija e konsumatorëve për të konsumuar produkte vendore.

“Masa e fundit e marr nga Qeveria për taksë për produktet nga Serbia ka pas impakt pozitiv sepse është rrit konsumi i produkteve të prodhuara në Kosovë dhe unë mendoj që është rrit edhe kultura dhe vetëdija e konsumatorëve për  rëndësinë dhe peshën e prodhimeve të prodhuara në Kosovë”.

“Për produktet tona nuk ka qenë shumë konkurrent produktet e ardhura nga Serbia, por prapë se prapë ka ndikuar në ngritjen e vetëdijes së qytetarëve për konsum të prodhimeve të prodhuara në Kosovë  është rrit shitja e prodhimeve dhe ne presim qe ditët dhe muajt në vijim të ketë rritje të vazhdueshme natyrisht presim rritje më të madhe në eksport”.

“Mendoj që importi kaq i madh i Serbisë nga një vend i cili ka bë aq shumë dhe vazhdon të bëjë kundër Kosovës mendoj që e meriton një masë  të tillë sepse në vazhdimësi ka lobuar dhe ka ndikuar negativisht në çështjen e Kosovës”, tha Palushi.

Astrit Berisha pronar i kompanisë “Plastika” tha se do të jap rezultate pozitive në favor të prodhimit vendor ndërkaq bëri thirrje që prodhuesit që të mos ngritin çmimet.

“Kjo masë është vendos para pak ditësh nuk është se ka ndonjë histori sigurisht në të ardhmen do të reflektohet dhe do të jep rezultate pozitive në favor të prodhimit vendor. Kjo mendoj që është një masë e duhur, por masa më e mirë do të ishin konsumatorët, ata duhet ta japin vulën duhet ta përkrahin prodhimin vendor edhe të përkrahin prodhimet e  miqve tanë”.

“Ka filluar me u ndi efekti i masës së 100%. Mos të frikohet askush që Kosova do të pësoj kolaps prej kësaj takse, unë bëj thirrje që çmimet të mos ngritën dhe kjo do të jetë apeli jonë qe kemi bë dhe ka qenë edhe deklaratë e jona. Sa i përket zbrastirave që do të shfaqen ne sa të stabilizohemi sigurisht që ka edhe rrugë tjera ku ne vet si kompani kemi filluar të gjejmë burime tjera, për disa lëndë të cilat i marrim edhe në Serbi”.

“Serbia ka qenë pak si më afër më lirë, tash jemi duke i marr diku tjetër. Na vjen keq që tregu i Serbisë për neve ka qenë gjithmonë i ndaluar me vështirësi kemi depërtuar, ne kemi pas treg në Serbi me produktet tona mirëpo ai treg nuk është i sigurt”.

Edhe përkundër reagimeve nga Beogradi, madje duke kërcënuar edhe me ndërprerje të dialogut, Ramush Haradinaj vazhdon të përsërisë se kjo taksë do të zgjasë deri sa Serbia ta njoh Kosovën.