LAJMI I FUNDIT:

Rritet numri i shoqërive me përgjegjësi të kufizuar për 532 biznese

Rritet numri i shoqërive me përgjegjësi të kufizuar për 532 biznese

Kryeshefi ekzekutiv në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve që vepron në kuadër të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, Gazmend Mejzini, ka thënë se këtë vit është shënuar progres sa i përket regjistrimit të shoqërive me përgjegjësi të kufizuar.

“Në periudhën janar-tetor të vitit 2017 kemi të regjistruara 532 biznese si shoqëri me përgjegjësi të kufizuar më shumë se në vitin e kaluar. Po ashtu, edhe shoqëri me përgjegjësi të kufizuar sa iu përket bizneseve të huaja kemi 44 sosh më shumë”, ka thënë Mejzini.


Ai ka thënë për gazetën “Epoka e re” se në këtë vit, sa i përket periudhës janar-tetor, numri i bizneseve të regjistruara në Kosovë ka shënuar rënie për 1 067 biznese më pak. “Numri i bizneseve të regjistruara për periudhën janar-tetor të vitit 2017 është 8074 biznese, kurse në periudhën e njëjtë të viti paraprak kishim të regjistruar 9 141 biznese”, ka thënë Mejzimi.

Sipas tij, rënie të numrit të bizneseve të regjistruara kishte te bizneset individuale të regjistruara për 1 615 më pak. “Në vitin 2017 kemi 4 061 biznese individuale të regjistruara, kurse në vitin e kaluar për të njëjtën periudhën kishim të regjistruara 5 676 biznese individuale”, ka bërë me dije ai.
Mejzini ka treguar se edhe numri i bizneseve të huaja të regjistruara këtë vit ka shënuar progres. “Kompani të huaja të regjistruara në periudhën janar-tetor në vitin 2017 janë 36, kurse vitin e kaluar ishin 42”, ka thënë ai.

Sipas tij, këtë vit ka shënuar progres numri i korporatave bujqësore të regjistruara. “Korporata bujqësore të regjistruar gjatë muajve janar-tetor të vitit 2017 janë 34, kurse në periudhën e njëjtë të vitit 2016 ishin vetëm 3. Po ashtu, edhe numri i shoqërive aksionare ka shënuar rritje sa i përket regjistrimit, pasi këtë vit kemi 23 shoqëri aksionare të regjistruara, kurs në vitin paraprak kishim 18. Po ashtu, rritje ka edhe te shoqëritë me përgjegjësi të kufizuar, pasi në këtë vit kemi të regjistruara 3 899, kurse vitin e kaluar kishin 3 367. Kurse kemi rënie të ortakërive të përgjithshme këtë vit për 14 më pak”, ka deklaruar Mejzini.

Duke folur për numrin e bizneseve të shuara, ai ka thënë se në këtë drejtim ka rënie. “Në këtë vit kemi të shuara 1 270 biznese, kurse në vitin e kaluar gjatë periudhës janar-tetor ishin të shuara 2 008 biznese. Numri i bizneseve të huaja të regjistruara në periudhën janar-tetor është 596, kurse në periudhën e njëjtë të vitit 2016 ishin të regjistruara 533 biznes”, është shprehur ai.

Mejzini ka shtuar se numri i bizneseve të huaja të shuara në periudhën janar-tetor të këtij viti, po ashtu ka shënuar rënie. “Numri i bizneseve të huaja të shuara ka shënuar rënie në këtë vit, pasi janë të shuara 32 biznese, kurse në periudhën paraprake ishin 40”, ka thënë Mejzini.

Sa i përket llojit të bizneseve të regjistruara sipas Mejzinit, ngritje ka pasur te bizneset individuale dhe shoqëritë me përgjegjësi të kufizuar. “Në vitin 2017 janë regjistruar 452 shoqëri me përgjegjësi të kufizuar, ndërsa në vitin 2016 ishin 408, kurse biznese individuale në vitin 2017 kemi të regjistruara 94, në periudhën paraprake të vitit 2016 ishin 79”, ka thënë kryeshefi ekzekutiv në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve, Gazmend Mejzini. /Epoka e Re/Telegrafi/