LAJMI I FUNDIT:

Rritet deficiti dhe borxhi publik i Italisë

Rritet deficiti dhe borxhi publik i Italisë

Deficiti buxhetor në Itali arriti në 2.3 për qind të Produktit të Brendshëm Bruto në vitin 2017 ndërsa borxhi publik qëndroi në 131.8 për qind, raporton zyra e Statistikave ISTAT, duke rishikuar në rritje vlerësimet e mëparshme.

ISTAT raportoi në fillim të Marsit një deficit prej 1.9 për qind në raport me PBB dhe borxhin në 131.5 për qind. Zyra e Statistikave paralajmëroi atëherë se të dhënat ishin subjekt i rishikimeve për shkak se nuk përfshinte paranë publike të përdorur në shpëtimin e 3 bankave, përfshirë Veneto dhe Monte dei Paschi di Siena.


Duke përfshirë rekomandimet nga agjencia Europiane e Statistikave, Eurostat, deficiti buxhetor u rishikua në rritje me 6.5 miliardë euro për 2017-ën dhe borxhi me 7 miliardë.

Qeveria e Paolo Gentilionit që largohet, kishte shënjestruar rënien e deficitit këtë vit në 1.6 për qind të PBB, por ka dyshime tashmë për arritjen e këtij objektivi.

Në zgjedhjet parlamentare më 4 Mars, Lëvizja 5-yjet dhe Liga e Veriut patën performancë të fortë me premtimet e tyre për të ulur taksat dhe shtuar shpenzimet në mirëqenie. Të dy partitë kanë thënë se do të rrisin deficitin nëse është e nevojshme. /Telegrafi/