LAJMI I FUNDIT:

Rrëfimi i nënës që vjehrra nuk e lejon të shikojë të birin: “Ti e merr vetëm të vdekur” (Video)

Rrëfimi i nënës që vjehrra nuk e lejon të shikojë të birin: “Ti e merr vetëm të vdekur” (Video)

Egla është një nënë e re e cila po përballet me divorcin. Megjithëse nuk e ka harruar dhunën fizike e psikologjike, frika e saj më e madhe është kujdestaria e djalit të cilën e ka fituar ligjërisht por pala tjetër po ia mbajnë larg.

Ajo ka vendosur të thërrasë avokaten e saj në rubrikën “Ka një mesazh për ty”. Ajo me vete kishte edhe lodrën e të birit që e mban gjithmonë me vete, në mungesë të të birit.


“Më duket sikur Argi im është gjithmonë me mua”, thotë Egla për lodrën e djalit.

Ajo rrëfen në studio për historinë e saj dhe njohjen me bashkëshortin, ku janë njohur nëpërmjet rrjetit social “Facebook”.

Pas kësaj njohje ata vendosën të krijojnë familje me shumë sakrifica, pasi burri i saj nga Saranda ishte pa punë, ndërsa vetë Egla punonte mësuese letërsie në qytetin e Kuçovës.

Në muajin e katërt të shtatzënisë Egla merr vesh që bashkëshorti i saj luante kumar.

Këtë gjë e kupton teksa në shtëpinë që kishin marrë me qira në Kuçovë, vjen pronari për t’i marrë qiranë. Egla është habitur, pasi mendonte se kjo qira ishte paguar nga Armando.

“Marr Armandon për të biseduar në lidhje me këtë gjë dhe shikoj një shpërfytyrim të atij njeriu që deri dje unë e kisha dashur dhe e kisha adhuruar. Përveç fjalëve ofenduese, shikoj që ai kishte edhe dhunën. Para se kjo gjë të ndodhte, unë jam munduar të shkoja në Sarandë dhe të jetoja atje, por ishte e pamundur. Unë nuk gjeja dot një punë, por edhe familja e tij jetonte me qira dhe në shtëpi punonte vetëm kunata. Nga ana tjetër Armando është shumë i lidhur me nënën e tij, një marrëdhënie që nuk di çfarë emri t’i vendos. Ajo ishte shumë posesive dhe ndërhynte në çdo gjë, tek veshja ime, tek mënyra sesi duhet të shkoja unë në shkollë, tek oraret e mia, pra në krah unë kisha më shumë vjehrrën sesa Armandon. Unë jam edukuar me dashurinë e të dy prindërve, ndërsa Armando jo. Duke qenë se familja është gjëja më e shenjtë, unë nuk doja që ta shkatërroja që në hapat e para. Por ishte e pamundur! Dhuna psikologjike dhe fizike më shkatërroi. Nëse unë isha në mësim dhe më binte telefoni duhet ta hapja me patjetër që ai të dëgjonte nëse unë isha në mësim. Nuk e di nga i buronte e gjithë ajo xhelozi!”

Egla rrëfen më tej në studion e “E Diela Shqiptare” se shqetësimin e kumarit e ka konsumuar edhe me nënën e Armandos, por kjo e fundit nuk i ka dalë në mbrojtje duke i thënë se “ai është mashkull dhe do të luaj edhe bixhoz”.

Ajo justifikonte edhe dhunën e djalit të saj. Rastet e dhunës tek Egla kanë qenë të shumta, por ajo për të mos prishur familjen që sapo kishte ndërtuar justifikonte çdo shenjë dhune të tij.

“Mbaj mend një të bërtitur dhe një ofezë shumë të madhe dhe pastaj e gjej veten tek fundi i shkallëve. Dëgjoj time motër që i bërtiste atij, “mos e godit”! Unë isha në muajin e nëntë të shtatzënisë dhe falë Zotit, im bir është sot i shëndetshëm. Kushdo që e shikon, pohon që i ngjan babait në tipare. Uroj që në karakter mos t’i ngjaj atij”.

Kjo lidhje e gabuar që Egla krijoi, do t’i mbesë peng për gjithë jetën pasi zhgënjeu babain e vet.

Ky i fundit i kishte thënë që ky djalë nuk ishte i përshtatshëm për të, nuk kishte të njëjtin formim dhe përgjegjësi për familjen.

Por zgjedhjet e gabuara në jetë, bëjnë që të reflektojmë më tepër për vazhdimësinë e jetës dhe t’i dëgjojmë këshillat e njerëzve më të dashur. Ajo tashmë prej një muaji është larg djalit të saj të vogël.

“Pas lindjes së djalit, shkëputemi në Sarandë. Bëj nëntë muajt e lejes së lindjes dhe duhet të kthehesha sërish në punë, në Kuçovë. Kam një dhimbje të madhe për tim bir, pasi hapat e parë nuk ia kam parë kurrë, as dhëmbët e parë. Bëja rrugë gati çdo javë nga Kuçova për në Sarandë për të parë tim bir. Kur unë i thashë Armandos që të vinte edhe ai në Kuçovë të jetonte me mua, duke pasur parasysh kushtet në të cilat jetonim, vjehrra e kundërshton këtë ide, duke i thënë djalit të saj se nëse ti del nga kjo derë nuk ke për të qenë më kurrë djali im. Unë nuk e mora me vete djalin tim, me idenë se do të filloja një punë në Sarandë, ose Armando do të vinte në Kuçovë. Por kjo gjë nuk u realizua kurrë dhe në momentin që kam dashur të marr tim bir, kam gjetur vetëm një përplasje dere në fytyrë”.

Një histori e cila nuk mbyllet me kaq. Në ditëlindjen e djalit të vogël. Egla shkon për të festuar këtë ditë të shënuar.

Si çdo fëmijë edhe Argi i hidhet në qafë nënës së tij duke e përqafuar, pasi kishte shumë kohë pa e parë.

Por ky moment i bukur nuk zgjat shumë, pasi vjehrra i thotë nipit “hajde tek mamaja jote, pasi unë jam nëna jote”.

Sipas saj, ajo quhet nënë pasi Egla, nuk paska ditur të kujdeset për djalin.

“Unë i them Armandos, që a mund ta marr djalin unë sot për ditëlindje? Ndërkohë ajo më thotë që: djali është i imi, ti e merr vetëm të vdekur. A ka ligj në botë t’i ndalojë nënës, fëmijën? Unë asaj i jam mirënjohëse se e do fëmijën tim, e ka rritur, por jo të kthehet në rolin e nënës”.

Egla ka sakrifikuar shumë për këtë familje, ka marrë kredi për familjen e Armandos, por të gjitha paratë kanë shkuar në kumar.

Të gjithë dhunën psikologjike dhe fizike që kishte marrë gjatë kësaj periudhe, vendos t’i japë fund duke i kërkuar divorc.

Armando në fillim nuk e pranoi një gjë të tillë duke i bërë presione dhe kërcënime të shumta.

Nga këto kërcënime Egla, mori një urdhër mbrojtje. Tani është në fazën e ndarjes, ku në Shkallën e Parë ka fituar të drejtën e kujdestarisë së djalit. Procesi ka shkuar në Gjykatën e Apelit. Ndërkohë avokatja i shkon gjyqtares dhe i thotë asaj se çfarë do të bëhet me djalin, që t’i kaloj nënës, në bazë të urdhrit të parë.

“Vjehrra që del bashkë me Armandon nga gjykata dhe thonë të njëjtën gjë. Fëmija do vdesë në duart tona dhe ti s’ke për ta gëzuar kurrë. Unë nuk arrita ta merrja djalin në bazë të një mase sigurie, pra disa gjëra ligjore”.

Një nga mbështetëset e saj kryesore për të fituar djalin është avokatja Stela. Ajo kurrë nuk lodhet me këtë histori dhe i jep forcë, mbështetje morale e shpirtërore Eglës për të ecur përpara. Ajo sot kishte ftuar pikërisht avokaten e saj Stelën në rubrikën “Ka një mesazh për ty”, pasi ka frikë se ajo mund t’ia lërë procesin përgjysmë.

“E dashur Stelë të kam thirrur këtu, ku përveç falënderimit, që të jam mirënjohëse në këtë betejë që kemi marrë bashkë, doja të të pohoja edhe diçka. të lutem mos më braktis, qëndro me mua derisa të marrim Argin e vogël”.

Avokate Stela ia dha premtimin publik Eglës se do të jenë bashkë deri në fund të kësaj beteje ligjore për të marrë sërish Argin e vogël. /tvklan.al/

Në trend Lajme

Më shumë
Këshilltari i kryetarit shqiptar në Zubin Potok për mediat në Serbi: Lista Serbe e ka fajin për gjithçka

Këshilltari i kryetarit shqiptar në Zubin Potok për mediat në Serbi: Lista Serbe e ka fajin për gjithçka

Politikë
Në sy të mbesës 8-vjeçare, çifti i të moshuarve nga Kosova arrestohen sapo zbresin në Gjermani

Në sy të mbesës 8-vjeçare, çifti i të moshuarve nga Kosova arrestohen sapo zbresin në Gjermani

Lajme
Sulm fizik ndaj një gruaje dhe kanosje ndaj vozitësit tjetër, Prokuroria ngrit aktakuzë ndaj të dyshuarit në Prishtinë

Sulm fizik ndaj një gruaje dhe kanosje ndaj vozitësit tjetër, Prokuroria ngrit aktakuzë ndaj të dyshuarit në Prishtinë

Drejtësi

"Vuçiq e mendonte Slloveninë Eldorado serbe, kurse diplomatët e saj vegla të tij", ish-diplomatë serbë flasin për skandalin e fundit të Vuçiqit

Lajme
Pezulloi detyrat publike për shkak të akuzave ndaj bashkëshortes, Rama i del në krah kryeministrit spanjoll

Pezulloi detyrat publike për shkak të akuzave ndaj bashkëshortes, Rama i del në krah kryeministrit spanjoll

Lajme
Çka tha diplomati slloven Zhbogar në OKB që u irritua Vuçiqi?

Çka tha diplomati slloven Zhbogar në OKB që u irritua Vuçiqi?

Lajme
Kalo në kategori