Rrëfimi i Aro Muric për karrierën e tij - Nga marrëdhënia me Pep Guardiolën te ajo me Vincent Kompany, specialitetin për pritjen e penalltive dhe ëndrra për ta dërguar Kosovën në 'Euro 2024'

I lindur në Schlieren të Zvicrës, por me rrënjë nga Rozhaja e Malit të Zi, Aro Muric vendosi të largohet nga grupmoshat e malazezëve për ta përfaqësuar Kosovën.
Shumë pak kishin njohuri për të në vitin 2018, kur një djalosh i ri 20-vjeçar në atë kohë erdhi për ta prezantuar Kosovën.
Në ndeshjen e parë ndaj Maltës qëndroi në bankë, derisa debutimin e tij me fanellën e Dardanëve e bëri më 20 nëntor ndaj Azerbajxhanit.
Arijanet Muric që nga ajo kohë është portieri numër një i Kosovës dhe një nga shtyllat kryesore të Përfaqësueses dardane.
Këtë vit Aro është bërë me klub të ri, pasi ka shkëlqyer me fanellën e skuadrës angleze Burnely, ku iu bashkua nga Manchester City pas një sezoni të jashtëzakonshëm në Turqi si i huazuar te Adana Demirspor.
Në një intervistë për Telegrafin, Aro flet për të gjitha, formën e mirë te Burnley, periudhat jo të mira gjatë huazimeve, raportin me Pep Guardiolën e tani me Vincent Kompanyn.
24-vjeçari ka folur edhe për specialitetin e tij, pritjen e penalltive si dhe ndjenjën që luan me Kosovën dhe gjasat e Dardanëve për tu kualifikuar në Kampionatin Evropian 2024.
Viti i parë me Burnleyn dhe je duke kaluar formë fantastike? Aro Muric: Nuk kam ndonjë sekret, unë vetëm e jap më të mirën në çdo stërvitje dhe në ndeshje. Tentoj që gjithmonë ta mbajë mentalitetin lartë dhe ta ndihmojë ekipin të marrim rezultatet që duam. Qëllimi ynë është që të rikthehemi në Ligën Premier.
E ke nisur karrierën si i ri te Grasshoppers, por ke luajtur edhe për skuadra si Manchester City, Nac Breda, Nottingham Forest, Girona, Willem II, Adana Demirspor dhe tani Burnley. Ku jeni ndier më mirë? Aro Muric: Unë tani ndihem shumë mirë te Burnley ku të gjithë kemi një qëllim dhe duam ta arrijmë atë së bashku. Por kohë të mira kam kaluar edhe te Manchester City, Willem II dhe Adana gjithashtu.
Çfarë do të thotë të kesh trajner njërin nga më të mirët në botë Pep Guardiolan? Aro Muric: Natyrisht për mua është nder që kam punuar me një trajner të tillë siç është Pep Guardiola. Kam mësuar shumë për futbollin gjatë kohës sa jam trajnuar nga ai dhe për mua personalisht ka qenë një hap i madh që kam qenë nën urdhrat e Pep. Jo shumë lojtarë kanë pasur fatin të punojnë me Guardiolan dhe unë e cilësoj vetën me fat në këtë rast.
Cila është ndeshja jote më e mira me fanellën e Kosovës dhe nuk do ta harrosh kurrë? Aro Muric: Mendoj që ndeshja me Greqinë në Athinë vitin e kaluar kur kemi barazuar 1-1. Kam pasur një ndeshje të mirë me shumë raste të pritura, por edhe një penallti të mbrojtur.







































