LAJMI I FUNDIT:

Roli në komedi, po i bëhet realitet: Aktori qesharak, në garën për president të Ukrainës

Roli në komedi, po i bëhet realitet: Aktori qesharak, në garën për president të Ukrainës

Volodymyr Zelenskiy (skenarist, aktor dhe regjisor) është kandidati kryesor për të zënë vendin kryesor të shtetit të tij, transmeton Telegrafi.


Është një skeç i denjë për skenar të Armando Iannuccin. Megjithatë, është i vërtetë. Në balotazhin presidencial të kësaj jave në Ukrainë, aktori dhe komediani 41-vjeçar Volodymyr Zelenskiy, një anonim politik, kryeson grupin e kandidatëve. Pjesa e tij prej 30 për qind të votave ka lënë në hije rivalin e tij, presidentin në detyrë Petro Poroshenko (17 për qind). Me votën përfundimtare më 21 prill, reputacioni i Zelenskiyt si “një nga komedianët më të popullarizuar të Ukrainës” ka shkaktuar emocione të çuditshme në mbarë botën. Por, kush është ai? Dhe si duket komedia e tij?

Komediani, Volodymyr Zelenskiy udhëheq në zgjedhjet për president në Ukrainë
Lexo po ashtu Komediani, Volodymyr Zelenskiy udhëheq në zgjedhjet për president në Ukrainë

Në serinë televizive ukrainase, “Shërbëtori i Popullit”, karakteri i Zelenskiyt – mësues i quajtur Vasiliy Petrovych Goloborodko – aksidentalisht bëhet president kur një video e tij që flet për politikën përhapet viralisht. Dhe, ashtu si karakteri i serisë, edhe në jetën reale Zelenskiy del i dashur, karizmatik dhe gazmor.

“Shërbëtori i popullit” është si një kryqëzim në mes të satirës televizive “The Thick of It” dhe filmave “Johnny English”. Madje ka pak elemente edhe të serisë “House of Cards” (versioni origjinal britanik) me shumë oligarkë ukrainas që konkurrojnë në versionin post-sovjetik të karakterit të serive “Yes Minister” dhe “Yes Prime Minister”, Sir Humphrey Appleby. Aty ka ndjekje me makina, politikanë të dehur që bien me fytyrë së pari në ushqimin e tyre e pastaj në banketet shtetërore.

Kanalet në gjuhën ruse në YouTube janë të mbushura me klipet e Zelenskiyt, i cili ka qenë punonjës në televizionin ukrainas që nga viti 2003, kryesisht për shkak të punës së tij si anëtar themelues i Studio Kvartal 95, një kompani prodhimi me grupin e skeçeve. Humori i tyre përshkruhet si në gjysmë të rrugës mes shkollës tallëse dhe asaj të vjetër. Zelenskiy kohët e fundit i tha BBC-së se ka simpati për grupin Monty Python.

Në një prodhim për Krishtlindje nga Studio Kvartal 95, paraqet një skenë ku Romeo dhe Zhuljeta diskutojnë fatin e Ukrainës, në rima, teksa Zhuljeta mendon nëse duhet ta helmojë ose jo veten. Në një nga skeç Zelenskiy thotë: “Doni të futeni në politikë? Zhvishni pantallonat”.

Ueb-faqja e Studio Kvartal 95 përmend “zërin unik dhe seksi” të Zelenskiyt që i “çmend gratë”. Ndërkaq, Zelenskiy thotë: “Ma ndien për njerëzit. Jo për politikën. Jo për ambicien. Njerëzit janë ata që kanë vlerë”! /Telegrafi/