Studentët përfaqësojnë target grupin më të rëndësishëm të shoqërisë në Kosovë për rolin dhe qasjen e tyre konstruktive në të kaluarën historike dhe perspektivat integruese të së ardhmes. Si bartës të dijes, ruajtës dhe kultivues të vlerave demokratike, ata u bënë faktorë dhe aktorë potenciale të demonstratave të vitit 1968 në qytetet kryesore të Kosovës (Prishtinë, Ferizaj, Gjilan e Podujevë), të udhëhequra nga kërkesa madhore kombëtare për vetëvendosje të shqiptarëve, ndryshimi i statusit të Kosovës nga Krahinë Autonome në Republikë në kuadër të RFJ-së dhe thirrja për “çlirim” nga vargojtë e robërisë intelektuale, ashtu sikundër ishin studentët që i dhanë tonin nga pikëpamja kuantitative dhe kuolitative demostratave të marsit 1981. Për më tepër, ata u bënë promotorë të “lirisë akademike”, me organizimin e protestës së 1 tetorit 1997, kundër diskriminit të arsimit shqip në Kosovë, duke lëvizur vetëdijen ndërkombëtare, jo vetëm për gjendjen e edukimit, por edhe të çështjes së Kosovës. Por, kontributi me përmasa historike i studentëve, që ndryshoi rrjedhën dhe fatin e shoqërisë së tyre, ishte padyshim mobilizimi imediat në radhët e UÇK-së, përkushtimi dhe lufta e paepur kundër pushtuesit deri në fitoren heroike të lirisë, me çmimin e derdhjes së gjakut, me të cilin u shkrua faqja më e ndritur e historisë së Kosovës.

Përpos rolit dominues në kthesat historike, të rinjtë konsiderohen bartës të proceseve për ndryshime pozitive e integruese në jetën shoqërore në Kosovë. Ata përbëjnë resursin më të madh (mbi 65% e popullsisë është nën moshën 30 vjeç) , fakt që dikton shkallën e shfrytëzimit të burimeve të tjera në rang kombëtar. Për këtë arsye, niveli i formimit arsimor e kulturor të brezit të ri është përcaktues për ritmet e zhvillimit ekonomik e shoqëror të vendit, si dhe për fatet e demokracisë së brishtë. Detyra e institucioneve të arsimit të lartë konsiston në gjenerimin e vlerave, të cilat duhet të mirë integrohen në strukturat shoqërore.

Duke e konceptuar edukimin në themel të ndërtimit dhe progresit të shoqërisë nevojitet reformimi i sistemit arsimor në përputhje me përvojën e përparuar Perëndimore, me qëllim lehtësimin, përshpejtimin dhe jetësimin e aspiratës integruese të Kosovës në familjen evropiane. Objektiv ky që konvenon me shprehjen proverbiale të Volterit “Më lini në dorë arsimin dhe edukimin e rinisë dhe shihni po nuk ja ndryshova fytyrën Evropës”. Në këtë sentencë sintetizohet misioni i universiteteve për të formuar personalitete individuale dhe kolektive, dhënien e kapitalit kulturor e social, me orientim praktik dhe profesional. Realizimi i këtij qëllimi mbështetet në marrëdhënien reciproke studentë-profesorë të ndërtuar mbi një kurrikul bashkëkohore.

Konkretisht, reformimi i sistemit arsimor vë në qendër studentin si output, që nënkupton një qytetar aktiv, të aftë për të perceptuar problemet, të pasur në formim e me një individualitet të fortë, të frymëzuar me shpirt iniciative dhe vetërealizimi, me sens përgjegjësie e kriticizmi konstruktiv, të përgatitur për të vepruar në rrugën e ndryshimit. Formimi cilësor i studentëve kushtëzohet nga niveli i kualifikimit të stafit akademik, puna e tyre kërkimore-shkencore dhe implementimi i metodave bashkëkohore të mësimdhënies, si ndërtimi i ligjëratave interaktive, puna në grupe, prezantimet vizuale dhe auditive, pjesëmarrja aktive në diskutimet gjatë ligjëratave etj., që stimulojnë procesin e të nxënit te studentët. Ky raport i suksesshëm akademik e shkencor midis profesorëve e studentëve bazohet në një masë të konsiderueshme në aplikimin e një kurrikule bashkëkohore, që konvenon me kërkesat e tregut të punës. Zhvillimi i lëndëve të formimit të përgjithshëm e të specialitetit, të trajtuara falë shfrytëzimit të literaturës adekuate shkencore dhe përfshirja e praktikës profesionale garantojnë cilësinë e studimeve universitare. Në mënyë të veçantë, puna praktike duhet konceptuar pjesë integrale e obligative e programit, që “konsiston në aktivizimin dhe involvimin e studentëve në aktivitete të ndryshme, brenda dhe jashtë universitetit, në të cilat studentët mund të aplikojnë dhe zbatojnë në praktikë njohuritë, aftësitë dhe shkathtësitë profesionale të fituara gjatë kohës së studimeve.”

Përpos praktikës profesionale, në një numër të kufizuar degësh studimi, aplikohet intershipi (një program punësimi për një periudhë 2-3 mujore i studentëve pranë administratës shtetërore, institucioneve publike e private), që mundëson pjesëmarrjen e të rinjve në formulimin e politikave dhe procesin e vendimmarrjes në nivel kombëtar. Intershipi synon ndërgjegjësimin e tyre për rolin aktiv në demokratizimin dhe zhvillimin kulturor e social-ekonomik të vendit. Të angazhuar për të ndihmuar në përmbushjen e objektivave të stafit të institucioneve respektive, gjatë programit nxitet e promovohet vullnetarizmi dhe mundësitë rekreative te studentët, si dhe fitohen përvoja të çmuara për perspektivën post-diplomike të punësimit. Në bazë të marrëveshjes së nënshkruar midis Ministrisë së Tregtisë e Industrisë dhe UBT-së (Universitetit për Biznes dhe Teknologji), për vitin akademik 2009-2010, 200 studentëve u ofrohet praktikë falas në biznese të rëndësishme që operojnë në Kosovë. Kjo strategji integrimi shoqëror duhet jo vetëm të zgjerohet nga pikëpamja kuontitative, por dhe të shtrihet implementimi i saj obligativ në të gjitha degët e studimeve universitare.

Sipas studiuesit Lester Milbrath, arsimi përbën kushtin thelbësor për rritjen e nivelit të pjesëmarrjes së grupeve të ndryshme sociale në shoqërinë civile. Integrimi shoqëror është një veprim në solidaritet me të tjerët, që ka si qëllim të ruajë ose të transformojë strukturën/ vlerat e sistemit të interesave të përbashkëta në një shkallë më dominuese. Ai kushtëzohet nga krijimi i identiteteve kolektive dhe formësimi e konsolidimi i kapitalit social. I pari, identifikimi me grupin nënkupton përkatësinë në dy nivele: a) një identitet shoqëror, si “vetëdije e anëtarësisë objektive në një grup dhe një sens psikologjik i lidhjes me të” dhe b) një ndjesi ndërvarësie reale ose të një fati të përbashkët. Ky i fundit përkon me qasjen e interesave reale, që i jep përparësi të padiskutueshme objektivave konkretë të individëve, të cilët identifikohen me një grup të caktuar dhe veprojnë kolektivisht mbi bazën e këtij identiteti. Ndërsa ndërtimi i kapitalit social bazohet në ekzistencën e një grupi shoqëror, i cili vendos marrëdhënie të besimit reciprok, mbështetur në vlerat e përbashkëta, duke realizuar kohezionin e grupit, si kusht për ndërtimin e tij. ...që kapitali social të vihet në funksion dhe për t’u bërë i efektshëm, duhet të vihen në lëvizje “motorët” e solidaritetit dhe të angazhimit qytetar, që e “gjallërojnë” kapitalin, me spektër të gjerë social.

Në këto kushte krijimi i identitetit të përbashkët dhe veprimi i kapitalit social konsiderohen dy anë të së njëjtës medalje, që përcaktojnë shkallën e suksesit të pjesëmarrjes qytetare në shoqërinë civile. Sipas magjisterit Jaka Krista, rinia kosovare në përgjithësi, dhe studentët si target grup i rëndësishëm i saj, përjetojnë fazën e tranzicionit kulturor të vlerave sepse u mungon koncepti si dhe horizonti i ristrukturimit dhe ridefinimit të identitetit në shumë sfera vepruese, pavarësisht interesimit dhe angazhimit maksimal të tyre për të kontribuar në perspektivën shoqërore. Për rrjedhojë, kultivimi i një identiteti të mirëfilltë të organizatave a bashkimeve studentore stimulon sensibilizimin, solidarizimin dhe mobilizimin e tyre në mbrojtje të kauzës së përbashkët, me synim mirë integrimin permanent në jetën shoqërore në Kosovë.

Për të realizuar këtë objektiv madhor, studentët duhet të shfrytëzojnë mekanizmat kryesore demokratike të pjesëmarrjes, si: 1) format konvencionale e jokonvencionale dhe 2) mjetet e komunikimit masiv. Konkretisht, vështirësitë me të cilat përballen studentët nga implementimi i metodave klasike të mësimdhënies, përdorimi i një literature bazë jo në nivelin e duhur akademik e shkencor, mungesa e praktikave profesionale të detyrueshme, vlerësimet joobjektive të profesorëve, ndërtimi i marrëdhënieve jo të përshtatshme midis profesorëve dhe studentëve, që cenojnë dinjitetin e këtyre të fundit e shumë të tjera, mund të zgjidhen në rrugë konvencionale nëpërmjet respektimit të rregullave morale, institucionale e ligjore, mbi të cilat mbështetet aktiviteti i përfaqësuesve të zgjedhur të studentëve në Këshillin e çdo fakulteti (2 studentë), në Senatin e Universitetit të Prishtinës (7 studentë në cilësinë e senatorëve) dhe në Parlamentin e studentëve. Mirëpo, mungesa e efikasitetit të këtyre instancave dikton përdorimin e mjeteve jokonvencionale të integrimit shoqëror, po ashtu demokratike, si lëvizjet sociale (protestat). Ato janë përpjekje kolektive për përmbushjen e interesave ose arritjen e qëllimit të përbashkët nëpërmjet veprimit kolektiv jashtë sferës së institucioneve të ngritura. Protesta të tilla, që demaskojnë problemet e arsimit të lartë në Kosovë, janë sporadike në gjirin e studentëve, për shkak të frustrimit nga autoritetet drejtuese apo stafi pedagogjik, niveli i ulët i ndërgjegjësimit për rëndësinë që mbartin dhe problemet me organizimin.

Përpos impaktit të mobilizimit social brenda dhe jashtinstitucional, media shërben “si infrastrukturë e fuqishme integruese, si i vetmi realitet i mundshëm, i aftë të stimulojë një kontekst të përbashkët, në ndarjen e vlerave, në unifikimin e vizionit politik, shoqëror e shpirtëror”. Në komunikimin medial gjallojnë dy procese: “ndikimi” dhe “opinioni publik”. I pari nënkupton forcën sqaruese e bindëse për të vetëdijesuar shoqërinë për ndryshime në sjelljen dhe veprimtarinë e saj. Ndikimi te pranuesit e informatës apo të mendimit të kumtuar realizohet drejtpërsëdrejti në mënyrë racionale, por edhe emocionale. Ai kushtëzohet nga rëndësia dhe koha e kumtimit, gjendja materiale e shpirtërore e mjedisit të auditorit pranues të informatës dhe zotësia profesionale e subjektit kumtues. Ndërsa opinioni publik është forcë sociale që prodhohet natyrshëm në shoqëri dhe konsiderohet i dobishëm për funksionimin e saj, duke përpunuar parime, informacion dhe gjykim shoqëror konsensual që ndikon në mbajtjen ngritur të kohezionit social dhe nivelit bashkëpunues midis njerëzve në shoqëri.

Mbështetur në përparësitë e pushtetit të katërt, studentët duhet të kërkojnë dhe shfrytëzojnë me insistim hapësirën mediatike për të sensibilizuar mbarë opinionin publik, për problemet në ambjentet universitare, potencialin e tyre veprues dhe kontributin social-kulturor në perspektivën integruese. Ata duhet të posedojnë kohën televizive për të ideuar dhe realizuar emisione me tematikë ekonomike, shoqërore e kulturore; të moderojnë debate për probleme të arsimit të lartë, si Karta e Bolonjës, procesi i akreditimit të universiteteve, rishikimi i kurrikulave, implementimi i intershipeve etj., duke vënë përballë në njërin panel përfaqësues të personelit akademik e autoritete drejtuese të institucioneve arsimore dhe në tjetrin studentë të zgjedhur e drejtues të unioneve studentore. Këta të fundit duhet të artikulojnë zëshëm mbrojtjen e të drejtave dhe ruajtjen e dinjitetit të tyre kundrejt mungesës së korrektësisë dhe sjelljes jo të përshtatshme të ndonjë profesori. Ata duhet të bëjnë publike nëpërmjet medias së shkuar e vizive edhe probleme, si: privimi i së drejtës për të konkurruar dhe parregullsitë në procesin e rekrutimit të asistentëve të rinj. Pasi sigurimi i mbështetjes dhe përshirja natyrshëm në strukturat universitare të studentëve të talentuar shënon zanafillën drejt procesit të mirë integrimit shoqëror. Ata, si bartës të energjive pozitive dhe përçues të vlerave demokratike, përbëjnë një aset të çmuar për formësimin e rrjedhave të gjithëmbarshme social-kulturore të vendit. Për këtë arsye investimi në arsimin e lartë dhe përdorimi i mekanizmave demokratike kushtëzon pjesëmarrjen e suksesshme të studentëve në perspektivën shoqërore në Kosovë.

(Autorja është pedagoge në Universitetin “ Aleksander Moisiu” Durrës. Kumtesë e lexuar në tribunën shkencore “Roli i studentëve në proceset integruese në Kosovë", mbajtur në Prishtinë më 28.10.2009)