LAJMI I FUNDIT:

Rokeri nobelist

Rokeri nobelist
Jon Fosse

Çmimi Nobel për Letërsi për vitin 2023, i është ndarë shkrimtarit 64-vjeçar norvegjez, Jon Fosse – “për dramat dhe prozën e tij novatore që ia japin zërin të pathënës”. Veprat e tij përfshijnë serinë e romaneve Septology, Alis at the Fire, Melancholy dhe A Shining.

“Vepra e tij e madhe, që përfshin shumëllojshmëri të zhanreve, mbërthen rreth 40 drama dhe një mori të romaneve, përmbledhje të poezive, eseve, librave për fëmijë dhe përkthime”, ka thënë Anders Olsson, kryetar i Komitetit të Nobelit për Letërsinë. “Fosse në gjuhë dhe në natyrë ndërthur rrënjët e prejardhjes së tij norvegjeze, bashkë me teknikat artistike të modernizmit”.


Jacques Testard, botuesi i letërsisë të Fossesë, kur dëgjoi lajmin tha: “Është shkrimtar i jashtëzakonshëm, i cili ka arritur të gjejë një mënyrë krejtësisht unike për të shkruar letërsi. Siç e tha kohët e fundit redaktorja e tij norvegjeze – Cecilie Seiness, në një intervistë – nëse hap ndonjë libër të Jonit dhe lexon disa rreshta, ato nuk mund të shkruhen nga askush tjetër. Letërsia e tij është e mrekullueshëm, mistike dhe e rrënjosur në peizazhin e fjordeve perëndimore ku ai u rrit. Është e rëndësishme të kujtojmë se ai shkruan në ninorshk, ose në norvegjishten e re, një gjuhë e pakicës në Norvegji, gjë që në vetvete paraqet një akt politik. Ai është gjithashtu dramaturg dhe poet i jashtëzakonshëm. Është mendje e jashtëzakonshme”.

Kritikja Catherine Taylor, për këtë çmim ka thënë: “Të lexosh veprën e Jon Fossesë, kjo është një përvojë e thellë, shpirtërore, për të mos thënë fetare. Fosse ka pohuar se ‘ne në fakt jemi të dëshiruar për Zotin, sepse qenia njerëzore është një lutje e vazhdueshme’ – dhe, pavarësisht nëse kjo është e vërtetë apo jo, librat e tij nuk janë asgjë më pak se një mrekulli.”

I lindur në vitin 1959 në Haugesund në bregun perëndimor të Norvegjisë, Fosse u rrit në Strandebarm. Në moshën shtatëvjeçare ai  gati vdiq në një aksident, për të cilin tha se ishte “përvoja më e rëndësishme” e fëmijërisë së tij dhe se kjo atë “e krijoi” si artist. Në adoleshencë aspiroi të bëhej kitarist i muzikës rok, përpara se t’i kthente ambiciet në shkrim.

Diskutimet dhe kontroversat më të mëdha për Nobelin e Letërsisë
Lexo po ashtu Diskutimet dhe kontroversat më të mëdha për Nobelin e Letërsisë

Romani i tij debutues, Raudt, svart (E kuqe, e zezë), u botua më 1983. Drama e tij e parë që u shfaq, Og aldri skal vi skiljast (Dhe, kurrë nuk do të ndahemi), u vu në skenë në Teatrin Kombëtar në Bergen. në vitin 1994. Megjithatë, drama e parë që shkroi, Nokon kjem til å komme (Dikush do të vijë), do të shpie në zbulimin e tij në vitin 1999 – pasi regjisori francez Claude Régy atë e inskenoi në Nanterre.

Dramat tjera që ka shkruar Fosse janë Namnet (Emri), Vinter (Dimri) dhe Ein sommars dag (Një ditë vere). Veprat e tij më të gjata përfshijnë trilogjinë Septology, vëllimi i tretë i së cilës u përfshi në listën e ngushtë për çmimin ndërkombëtar Booker më 2022. Septology, të cilën Fosse e filloi gjatë një pauze nga dramaturgjia dhe pasi u konvertua në katolicizëm në vitin 2013, ka të bëjë me piktorin e moshuar Asle, që jeton i vetëm në bregun jugperëndimor të Norvegjisë dhe që reflekton mbi jetën e vet. Atje, në Bjorgvin, jeton një tjetër Asle i cili gjithashtu është piktor, por që lufton me varësinë ndaj alkoolit. Jeta e dyfishtë konsumohet nga të njëjtat pyetje ekzistenciale për vdekjen, besimin dhe dashurinë.

Në vitin 1989, të njëjtin vit kur doli romani Naustet (Shtëpia varkë), shkrimtari i jepte mësime autorit tjetër norvegjez, Karl Ove Knausgård, që ishte student në Akademinë e Shkrimit në Hordaland. “Zëri i Fossesë është i pagabueshëm në çdo gjë që ai shkruan”, shkroi Knausgård më 2019.

Para Nobelit, Fosse ishte shkrimtar i nderuar me shumë çmime. Në vitin 2003 merr Urdhrin Kombëtar të Meritave të Francës, ndërsa më 2007 fitoi çmimin Nordik të Akademisë Suedeze. Në vitin 2010 fitoi Çmimin Ibsen (në fakt është quajtur “Henrik Ibseni i ri”). Atij më 2014 iu nda edhe Çmimi Evropian për Letërsi. /Telegrafi/

Të gjitha lajmet për Nobelin për Letërsi
Lexo po ashtu Të gjitha lajmet për Nobelin për Letërsi