LAJMI I FUNDIT:

“RoboCop-i ishte Jezusi amerikan”

“RoboCop-i ishte Jezusi amerikan”
Skenë nga filmi i vitit 1987, “RoboCop”

Tridhjetë e pesë vjet pas premierës, gazetari Simon Bland i rikthehet filmit “RoboCop”, duke biseduar me regjisorin Paul Verhoeven dhe aktoren Nancy Allen. Shkrimin e publikuar në ditoren “The Guardian”, Telegrafi e sjell të plotë si më poshtë

Paul Verhoeven, regjisor: Fillimisht e refuzova skenarin, sepse ishte shumë më ndryshe nga ajo çfarë kam punuar në Holandë. Më vonë, gjatë xhirimeve, u ndihmova së tepërmi duke e pasur gjithmonë pranë njërin prej skenaristëve, Ed Neumeier, i cili më pengonte ta bëja ndonjë marrëzi. Ka pasur shumë momente ku kam mundur të gaboj. Në skenar dikush thoshte, “Hej vëlla”, e unë pyesja: “Kush është vëllai?”


Në fillim mendova se Nancy Allen – e cila e luante partneren e RoboCop-it, rolin e Annes – duhet të kishte një lidhje sekrete me të, diçka që ishte shumë holandeze për mua. Ed e shkroi një draft të ri, por nuk funksionoi. Ndihej kaq joamerikane. Dhe, nëse e shikoni kostumin e RoboCop-it, gjithsesi nuk ka shumëçka sa i përket organeve gjenitale.

Menduam ta merrnim Arnold Schwarzeneggerin, por thamë se do të dilte shumë i madh sapo ta vishte kostumin. Kuptuam se duhej ta kemi dikën që ishte i hollë, që të mund ta ndërtonim një kostum vërtet të fuqishëm të robotit. Ishte e rëndësishme të ketë mjekër të mirë, megjithëse duhej të ishte tamam e theksuar. Sigurisht, aktrimi ishte i rëndësishëm, por nuk mund të mohoj se mjekra e Peter Wellerit ishte një nga arsyet kryesore se pse e ka marrë atë rol.

Në ditën e tij të parë me kostumin, Peteri shkoi në dhomën e grimit në orën gjashtë të mëngjesit e ne shpresonim të bënim xhirime rreth orës nëntë të mëngjesit. Më në fund filluam të xhironim në orën katër pasdite, sepse nuk mund të ecte me kostumin. Në fund, duhej t’i ndalnim xhirimet dhe të punonim me të për dy ditë të plota. Ai në fakt duhej të mësonte përsëri se si të ecte.

Skena ku ekzekutohet personazhi i Peterit është jashtëzakonisht e dhunshme – si kryqëzim. Dhe, ajo që ndodh më pas është një lloj ringjalljeje. Fillova ta shikoja filmin me këta terma – e nuk jam i krishterë. Ishte një nga arsyet pse e shtyra RoboCop-in të ecte mbi ujë kur në fund e vret djalin e keq, Clarence Boddickerin. Ndjeva se ishte si Jezus amerikan – teksa Boddicker ishte personifikim i së keqes. Madje, ia dhamë syzet Boddickerit, kështu që dukej paksa si Heinrich Himmler – për të treguar se është ultra i keq.

Kur RoboCop-i i thotë Annes se mund ta ndiejë familjen e vet, por nuk mund t’i kujtojë ata, është gjë bukur kjo. Them se njerëzit mendojnë se filmi nuk është vetëm fantashkencë, por diçka me njëfarë ngrohtësie. RoboCop është viktimë, por e kapërcen viktimizimin.

Nancy Allen, aktore: Skenari thoshte RoboCop dhe unë mendova: “O Zot, duhet ta ndryshojnë titullin – është i tmerrshëm!” Kështu që, e mora duke menduar se ishte bërllok, por nuk munda ta hidhja. Ishte i zgjuar, qesharak, politik, që me zemër e shpirt e tregoi historinë e heroit. Në mendje nuk e kisha asnjë dyshim se do të ishte film i mirë. Dhe, personazhi i Annes më ftoi. Babai im ishte polic, kështu që e dija se kush janë ata njerëz dhe se sa i rëndësishëm është partneri i tyre, sepse jeta juaj mund të varet nga ta. Më duhej ta bëja.

Paul Verhoeven ishte si gjeni i çmendur – por vetëm ana e duhur e të çmendurit. Energjia e tij është energjia e filmit. Në sheshxhirim ju nxiste të ushtroni. Shprehia e çamçakëzit të Annes ishte në skenar. Pauli thoshte: “Dua një flluskë të madhe të bukur!” Ishte detaj i vogël i mirë, por të përtypësh çamçakëz dhe të frysh flluska nuk është e lehtë kur duhej të flisje.

Në ditën e parë të aktrimit përkrah RoboCop-it, kalova ndoshta tetë orë duke pritur në zhveshtore. Ata fjalë për fjalë duhej ta bashkonin Peterin, si të ishte lodër. Kishte disiplinë për ta përballuar këtë – e dija se kishte dhimbje dhe moti ishte i nxehtë. Duhej t’ia hiqnin helmetën dhe t’i hidhnin ajër në kostum, por e di se vërtetë vuante.

Kujtoj se mendova: “Ky është shans për të treguar diçka ndryshe – Anne ka pavarësi dhe forcë.” Por, edhe pse filmi u prit mirë, pati vështirësi për mua. Për rolin duhej të shtoja peshë dhe flokët m’u prenë shkurt. Por, në vend që njerëzit e këtij zanati të thonë, “Oh, Zoti im, është e mrekullueshme!”, ata ishin më shumë si: “Çfarë ndodhi me të?” Më pas e kisha të vështirë të gjeja role. Megjithatë, m’u kanë afruar policët dhe më kanë thënë: “Punë e mirë!” Dhe, një herë shpëtova nga një gjobë sepse një polic më njohu. /Telegrafi/