LAJMI I FUNDIT:

Rizvanolli: Janë paraparë tri projekte të reja për sektorin e ujërave në vlerë mbi 20 milionë euro

Rizvanolli: Janë paraparë tri projekte të reja për sektorin e ujërave në vlerë mbi 20 milionë euro

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli në seancën dëgjimore lidhur me Projektligjin për Buxhetin për 2023 ka thënë se për herë të parë me planifikimet buxhetore janë paraparë tri projekte të reja për sektorin e ujërave në vlerë mbi 20 milionë euro.

Ndërsa, Rizvanolli gjatë raportimit në Komisionin për Ekonomi, kërkoi të bëhet një amendament në Ligjin për Buxhetin për eficiencë të energjisë në vlerë 5.26 milionë euro, pasi që siç tha ajo mjetet buxhetore ekzistojnë nga kontigjenca e Ministrisë së Financave.


Kryetari i Komisionit, deputet i PDK-së, Ferat Shala ka kritikuar ministren e këtij dikasteri për rritjen e buxhetit për mallra dhe shërbime, e në anën tjetër sipas Shalës ka shkurtim të buxhetit për shërbimin gjeologjik, departamentin e minierave, për trupat inspektuese, për eficiencë të energjisë dhe mos rritjen e buxhetit për Trepçën.

Deputeti Shala tha se shuma prej 3 milionë euro janë të pamjaftueshme për Trepçën, duke propozuar që për këtë ndërmarrje publike të ndahen 10 milionë euro.

Rizvanolli ka arsyetuar rritjen e buxhetit për shërbime dhe mallra dhe theksoi se sa i përket Trepçës, ajo tha se kjo kompani është në rrugë të mirë dhe mbështetja qeveritare për të nuk do të mungojë.

Sa i përket shumës së mjeteve për projektet e sektorit te ujërave, deputeti nga AAK-ja, Pal Lekaj ka thënë se këto mjete janë të pamjaftueshme. /KP/