Këngëtarja me famë botërore, Rita Ora, është ylli i ditës në edicionin digjital të Numero Netherlands, ku ka realizuar një fotosesion të zjarrtë që po bën xhiron e rrjeteve sociale.

Në njërën prej fotografive më të komentuara, Rita shihet duke pozuar mbi një motor, me një paraqitje jashtëzakonisht atraktive, ndërsa vë në pah linjat e saj trupore të tonifikuara dhe elegancën që e karakterizon. Pjesë e këtij fotosesioni janë edhe disa poza të saj me kostume verore, ku ylli shqiptar shfaqet në top formë fizike, duke reflektuar stil dhe vetëbesim.


Në përshkrimin e publikuar nga revista në Instagram, thuhet: “Numéro Netherlands Digital prezanton Rita Orën, yllin e ditës në kopertinë, realizuar nga fotografi Lee Malone. Rita ngriti temperaturat me publikimin e këngës së shumëpritur ‘Heat’, e cila u lansua në të njëjtën ditë me performancën e saj në World Pride Music Festival në Washington D.C.".

Revista thekson gjithashtu arritjet mbresëlënëse të artistes: “Me mbi 10 miliardë dëgjime globale dhe 13 këngë në Top 10 në Mbretërinë e Bashkuar – katër prej tyre në vendin e parë – Rita ishte ndër të parat që mori çmimin BRIT Billion, pasi kaloi një miliard dëgjime në Mbretërinë e Bashkuar”.

Përveç muzikës, ajo po shkëlqen edhe në fusha të tjera. Në vitin 2024, Rita lansoi brendin TYPEBEA, një linjë për kujdesin e flokëve që bazohet në performancë dhe që e zhvilloi në bashkëpunim me Anna Lahey.

Ndërkohë, në televizion ajo ka qenë pjesë e jurive në emisione të njohura si The Masked Singer në SHBA dhe Britani, si dhe The Voice Australia.

Karriera e saj në aktrim po zgjerohet me projekte të reja kinematografike. Ajo pritet të shfaqet në filmat “He Bled Neon”, “Voltron”, dhe së fundmi është konfirmuar për rolin në “Descendants: Wicked Wonderland”.

Ky fotosesion i fundit e gjen Ritën më të pjekur artistikisht, më të guximshme në stil dhe më të përkushtuar se kurrë për të dhënë mesazhe fuqizuese për gratë, komunitetin LGBTQIA+ dhe për vetë përfaqësimin e rrënjëve të saj shqiptare në skenën globale. /Telegrafi/

Foto: Rita Ora/Instagram

Foto: Rita Ora/Instagram

Foto: Rita Ora/Instagram

Foto: Rita Ora/Instagram

Foto: Rita Ora/Instagram

Foto: Rita Ora/Instagram