Bashkëthemeluesi i Institutit për Siguri, Integrim dhe Deradikalizim, Arbër Vokrri, vlerëson se personat e kthyer në Kosovës nga luftërat në Lindjes e Mesme po ballafaqohen me stigmatizim sistematik, prandaj edhe kanë humbur besimin ndaj institucioneve në vend.

Vokrri thekson se rikthimi i besimit të të kthyerve nga Siria mbetet ndër sfidat kryesore.

“Sfida më e parë është humbja e besimit në institucionet vendore. Si ato shtetërore dhe jo qeveritare e kanë humbur kredibilitetin e kësaj kategorie të shoqërisë sonë për shkak se për një periudhë të gjatë kohore ata të kthyerit nga Siria janë ballafaquar me stigmatizim. Madje shpesh me stigmatizim në mënyrë sistematikë dhe tani nuk është lehtë që të komunikohet dhe të binden për të bashkëpunuar dhe për të marrë pjesë në programe që synojnë riintegrimin e tyre në shoqëri. Rikthimi i besimit ka qenë dhe mbetet sfida kryesore”, tha ai, për KosovaPress.

Vokrri ka treguar disa nga faktorët që i kanë shtyrë qytetarët e Kosovës që të marrin pjesë në luftërat në Lindjen e Mesme.

“Njëri ka të bëjë me faktorët socio-ekonomik, tjetri grup i arsyeve ka të bëjë me interpretimet e gabuara e devijante të teksteve fetare dhe grupi tjetër i faktorëve ka të bëjë me faktorët psiko-social. Tek personat e ndryshëm, një grup i këtyre faktorëve mund të ketë luajtur rol më të madh sesa tjetri, por zakonisht është i kombinuar. Ka persona që thonë se janë ndier të përjashtuar nga shoqëria”, tha ai.

Gjatë kësaj jave INSID ka lansuar Grupin Ndërkombëtar të Përfshirjes që synon ofrimin e ideve me qëllim të luftimit të radikalizimit në botë. /Telegrafi/