LAJMI I FUNDIT:

Rikthim i frikshëm i skenarëve destabilizues në rajon

Rikthim i frikshëm i skenarëve destabilizues në rajon

Së pari, duke ndjekur me indinjatë shtesë kërcitjen e zinxhirëve të tankeve dhe avionëve rusë në kufijtë shtetërorë të Kosovës, sjell qëllimisht në vëmendje thirrjen ulëritëse të gazetarit të mirënjohur çek Julius Fucik: “Njerëz, jini vigjilentë”! Ky mesazh-epitaf mbetet kambanë aktuale për të zgjuar dhe mbrojtur popujt nga projektet vrastare, si fashizmi apo regjimet barbare të çdo forme tjetër!

Profesionalisht, këtë zhvillim e gjej si përgjigje të vonuar për disa nga pikëpyetjet strategjike që u kam adresuar publikisht udhëheqësve të Beogradit dhe rajonit në 15 vjetët e fundit. Rikthimi te armët sigurisht që kënaqë ekstremistët, krimin e organizuar, oligarkët e pushtetit dhe gardën e sekserëve të korruptuar, por nuk u shërben aspak qytetarëve, as masave të mirëbesimit reciprok dhe as agjendës së integrimit euroatlantik të vendeve të rajonit. Si e tillë, shërben vetëm si mekanizëm i agjendës së politikanëve zullumqarë, për të mbajtur me çdo mjet/çmim (edhe me gjak) pushtetin, për të vjedhur pasuritë publike, si dhe për të vrarë shpresat e bashkëjetesës paqësore mes qytetarëve të Ballkanit.


Duke e parë kështu, rikthimi i frikshëm te tanket, aeroplanët Mig-29, raketat dhe bashkë me to ëndrrat ruse, te fryma e urrejtjes ndëretnike, te rrënjët e destabilitetit si dhe te konfliktet e përgjakshme, përçmon kujtimin për 300 mijë të vrarët si dhe vuajtjet dhe sakrificat e papërshkruara të qytetarëve të vendeve të Ballkanit nga makineria kriminale e Millosheviqit!

Falni, por mos harroni … Kjo thënie mbetet edhe sot si mesazh-epitaf jo vetëm për Kosovën e martirizuar, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi, Bosnjën, Kroacinë, Slloveninë dhe Shqipërinë që e paguan aq shtrenjtë marrëzinë e Millosheviqit, por edhe për ShBA-në, NATO-n, BE-në, OKB-në etj. që kontribuuan aq shumë për paqen e rajonit të mbërthyer nga urrejtja dhe luftërat e përgjakshme !

Së dyti, përsëris edhe më qartë se përtej statuseve dhe protagonizmit populisto-nacionalist të udhëheqësve pa fuqi/këllqe në Facebook: Mbetet domosdoshmëri kritike dhe përgjegjësi e lartë shtetërore përgatitja dhe jetësimi i një platforme partneriteti strategjik midis Republikës së Shqipërisë dhe asaj të Kosovës. Për më qartë, jetësimi i konceptit “dy shtete një komb” dhe atij të mençur mbi sovranitetin, sigurinë dhe mbrojtjen mbarëkombëtare, si dhe zhvillimi i 12 projekteve të përbashkëta do të duhet të konfirmohet si përqasja afatmesme e Tiranës dhe Prishtinës zyrtare! Thënë këtë, duhet nënvizuar edhe më fortë se kjo përqasje e vonuar nuk përben asnjë kërcënim ndaj Serbisë apo vendeve të tjera të rajonit!

Për më tepër, të gjitha vendet e rajonit, përfshirë Serbinë, mbeten shumë të mirëpritura të bëhen pjesë e projekteve mbi emergjencat civile – përfshirë zjarret, përmbytjet, aksidentet industriale, ambientaliste, epidemitë, sigurinë kibernetike, reciprocitetin në dogana etj. Po ashtu, jam i bindur që kjo qasje e mençur do të inkurajohej dhe mbështetet nga ShBA-ja dhe nga NATO, pasi ka dekada që zbatohet me sukses mes vendeve baltike (Lituani, Estoni, Letoni), mes vendeve Skandinave (Norvegji, Finlandë, Suedi), vendeve të ulëta (Belgjikë, Holandë, Luksemburg) etj.

Së fundmi, përtej heshtjes së gjatë dhe dështimit të frikshëm të politikanëve zullumqarë për rikthimin te forca e armëve, shpresoj që fuqia e arsyes së mendjeve të hapura të zgjohet, paqja dhe integrimi euroatlantik të triumfojnë si opsion dhe agjenda të vetme për rajonin e mbushur me histori dhe udhëheqës gjakatarë!

Por, paqja, stabiliteti dhe demokracia funksionale, si ShBA-ja dhe gjithë Evropa, nuk janë dhurata të përjetshme! Në të kundërtën, ato mbeten kambana alarmi dhe mision i vetëm për të ndenjur zgjuar, punuar dhe luftuar fort kundër rikthimit te errësira e urrejtjes dhe gjakderdhjes shekullore!

Në vend të mesazhit përmbyllës, ritheksoj edhe më fortë: Stop rikthimit te tanket, aeroplanëve, raketave ruse, skenarëve të destabilitetit, mendjeve të ndryshkura, si dhe heshtjes së frikshme të politikanëve zullumqarë në rajon!