LAJMI I FUNDIT:

Rikthehet furnizimi i rregullt me energji elektrike në Fushë Kosovë e Podujevë, nga KEDS-s thonë se janë sanuar prishjet

Rikthehet furnizimi i rregullt me energji elektrike në Fushë Kosovë e Podujevë, nga KEDS-s thonë se janë sanuar prishjet

Gjatë ditëve të fundit ka pasur ndërprerje të energjisë elektrike në Fushë Kosovë dhe në disa fshatra të Komunës së Podujevës.

Këto ndërprerje kanë ndodhur si pasojë e disa prishjeve të cilat tashmë janë sanuar.


Zëdhënësi i KEDS-it, Viktor Buzhala për Telegrafin ka thënë se tashmë qytetarët e Fushë Kosovës janë duke u furnizuar me energji elektrike, ndërsa theksoi se ka qenë edhe një prishje në asetet e KOSTT-it.

“Sa i përket furnizimit me energji elektrike të Fushë Kosovës sot çdo gjë është në normalitet, pra konsumatorët po furnizohen në mënyrë të rregullt. Aty dje ka pasur prishje që janë sanuar brenda një kohë të shkurtër, por ka qenë edhe një prishje në asetet e KOSTT-it, për çka duhet t’i drejtoheni kësaj kompania për detaje shtesë”, tha Buzhala.

Kurse sa i përket Podujevës, Buzhala tha se edhe aty sot furnizimi është i rregullt.

“Edhe aty një problem është evituar brenda një kohë të shkurtër, ndërsa 4 konsumatorë kanë qenë pa energji elektrike për një kohë më të gjatë, por edhe atyre u është rregulluar problemi”, u shpreh Buzhala.

Ndër të tjera, ai theksoi se nuk parashihet të ketë ndonjë problem me furnizim të energjisë elektrike dhe se ekipet i kanë të gatshme për të intervenuar kudo që të jetë nevoja.

“Sa i përket furnizimit të gjithmbarshëm nuk parashihet të ketë ndonjë problem. Ne kemi siguruar energjinë elektrike në bazë të bilancit elektro-energjetik dhe i kemi të gatshme ekipet të intervenojnë në rast të ndonjë të papriture nga faktorë ekstrën”, sqaroi ai. /Telegrafi/