LAJMI I FUNDIT:

Rikonfirmohet vazhdimi i përkrahjes për Termokos-in nga Qeveria Gjermane

Rikonfirmohet vazhdimi i përkrahjes për Termokos-in nga Qeveria Gjermane

Kryeshefi Ekzekutiv i “Termokos”-it, Naser Canolli me bashkëpunëtorë ka pritur në takim përfaqësuesit e Bankës Gjermane për Zhvillim (KfW), përkatësisht shefin e Divizionit për energji dhe transport për Evropën Juglindore dhe Turqi, Jurgen Kern, menaxherin përgjegjës për projektet e KfW-së në sektorin e energjisë në Kosovë dhe Bosnjë e Hercegovinë, Nico Schuetzhofer si dhe zëvendësdrejtoreshën e KfW-së për Kosovë, Ganimete Huruglica.

Në ketë takim është , rikonfirmuar vazhdimin e mbështetjes së Qeverisë Gjermane nëpërmes KfW-së për realizimin e projekteve të “Termokos”-it, i ka paraprirë aktit të nënshkrimit të marrëveshjes financiare në mes Qeverisë Gjermane dhe Qeverisë së Kosovës për një grant mbështetës prej 10 milionë eurosh për zgjerimin dhe rehabilitimin e rrjetit të ngrohjes së “Termokos”-it.


Kryeshefi Naser Canolli duke e vlerësuar lartë bashkëpunimin e deritanishëm me Qeverinë Gjermane, përkatësisht KfW-në, i ka falënderuar për kontributin dhe angazhimin e pakursyer për realizimin e fazës së parë dhe të dytë të Projektit të kogjenerimit.

Ai ka njoftuar delegacionin nga KfW-ja me të arriturat e “Termokos”-it, vijimin e suksesshëm të sezonit ngrohës 2017/2018, sukseset e shënuara deri më tani si dhe projektet, që janë në proces për modernizimin e shërbimeve të ngrohjes.

Ndërkaq, shefi i Divizionit për energji dhe transport për Evropën Juglindore dhe Turqi, Jurgen Kern ka shprehur kënaqësinë e tij, që sot me Qeverinë e Republikës së Kosovës do të nënshkruajnë marrëveshjen financiare për grantin prej 10 milion eurosh, për të mbështetur zgjerimin dhe rehabilitimin e rrjetit të ngrohjes së “Termokos”-it.

Duke u mbështetur në suksesin e bashkëpunimit të deritanishëm, që ka pasur me stafin e “Termokos”-it, Kern është shprehur optimist se realizimi i kësaj faze të Projektit të kogjenerimit do të jetë shumë më i lehtë dhe më i suksesshëm. /Telegrafi/