LAJMI I FUNDIT:

Rikard Ljarja – i Miri, i Keqi dhe i Bukuri te një individ

Rikard Ljarja – i Miri, i Keqi dhe i Bukuri te një individ
Rikard Ljarja

Nga: Lorenc Vangjeli

Ka njerëz të cilët e dëshmojnë praninë edhe me mungesën e tyre. Madje shpesh mungesa e bën më të fortë praninë. Njëlloj si heshtja që ndodh të ulërijë më shumë se zhurma.

Ka njerëz me të cilët koha vepron ndryshe: i sheh, i ndjen dhe i dëgjon në moshë të re; duken të pashëm, të ndritshëm nga drita e suksesit, të largët, të përjetshëm e të paprekshëm dhe në të njëjtin moment ju ndjen rrjedhën e viteve, mundimin e lodhjes, peshën e heshtjes dhe virtytin e thinjave.

Rikard Ljarja kishte epërsinë e jashtëzakonshme që jep ekrani i kinemasë. Atë mund ta takoje njëkohësisht edhe në filmat e tij, nga bardh e zija e kohës së dikurshme gri të Shqipërisë, edhe në pjekurinë e pashmangshme e plot me ngjyra të moshës. E takoje në celuloid, e takoje edhe në shoqërinë e miqve të tij të shumtë – Roki, Koli, Beni apo dhe Tosi që ka ikur përpara tij – mes të cilëve ai fekste si kujtim adoleshence.

Rikardi zemërartë vendosi të ikë në kohë të keqe! Duke bërë të ndjehen keq të gjithë ata që ndjeheshin mirë që e kishin njohur dhe trishtoi atë shumicë dërmuese shqiptarësh që e kishin dashur nëpër vite. Qoftë kur ishte “i Miri” në filmat e tij, qoftë kur ishte “i Keqi”, por duke qenë gjithmonë “i Bukuri”: njeriu i bukur në mendje dhe i mrekullueshëm në shpirt. Përgjithësisht, njerëzit e zakonshëm kanë vetëm dy nga këto tre mbiemra. Rikardi, falë filmave të tij, kishte një më shumë gjithmonë!

Fati është kapriçioz. Njeriu që mund të recitonte si pakkush fjalimin e Mark Antonit në funeralin e Jul Çezarit, shkodrani më i famshëm i Tiranës, bashkudhëtar i jetës së së paku dy breza shqiptarësh, e bëri me shumë pak vetë udhëtimin e tij të fundëm. Kësaj here në drejtimin e kundërt, nga Tirana drejt Shkodrës. Dy skaje shumë më afër sot se dje, në kohë dhe hapësirë, por sot shumë më të izoluar prej njëri-tjetrit se nga e djeshmja e largët, për shkak të hallit të përbashkët. Në një kohë normale do të ishte ndryshe. Shumë ndryshe. Dhe, çdo spektator, lexues apo dhe thjesht i njohur i Rikard Ljarjes, do të mund të thoshte në funeralin e tij se kishte ardhur “jo të varroste, por të lëvdonte me lotë mikun e pamunguar”!

Bota e ka provuar edhe herë të tjera izolimin e sotëm. Tre dekada më parë shqiptarët e dinin shumë mirë se çdo të thoshte të ishte mbas një gardhi me tela me gjemba. Deri në momentin që të lindurit në kafaz nuk i dallonin më hekurat e kafazit, nga ku ftonte për pak arrati lirie edhe Rikardi. E keqja harrohet shpejt kur largohet. Njeriu për të fat të mirë ka kujtesë të shkurtër. Nëse do të mbante mend gjithçka, me siguri do të çmendej. Por, vlen herë pas here e liga për të kuptuar të mirën. Ia vlen herë pas here mbyllja në errësirë për të kuptuar dritën. Ia vlen të mbash frymën për të kuptuar mrekullinë e mbushjes së gjoksit me ajër.

Ia vlen edhe pandemia e koronavirusit që të marrin kurorën e duhur gjërat e vogla të së përditshmes. Edhe takimi i miqve në funeralin e një miku. Edhe ndjesia dhe prova se jeta përbëhet nga një mori gëzimesh të vogla që në përditshmëri nuk ndjehen, nuk dallohen dhe nuk i llogarit askush.

Si për të kuptuar edhe më mirë kontrastin. Si për të afruar një bindje më shumë se në fund të fundit, triumfon gjithmonë kontrasti sepse gjithçka varet nga kontrasti dhe pika e krahasimit.

Këshilla e hershme e Dantes së madh, autorit të Komedisë hyjnore, mund të ndihmojë këdo për të kuptuar më mirë dramën e përditshme të gjithësecilit. “Nuk ka mjerim më të madh se kur kujton kohën e lumtur kur ke rënë në fatkeqësi”! Fatkeqësia e përbotshme, në të gjitha mënyrat ngjan se është një nga ato të këqija që nuk vijnë vetëm për të bërë keq. Njëlloj si malli i pakujtuar për Rikardin kur ishte në Tiranë që ulërin tani kur ai vendosi të kthehet sërish në Shkodër.

Dhembja dhe vuajtja, frika për atë që është duke ndodhur dhe ankthi për atë që mund të ndodhë, pasiguria, zymtësia, izolimi apo edhe prishja e rutinës së zakonshme të gjithësecilit, në pjesën më të madhe të globit, janë të mjafta për ta klasifikuar si të frikshme përditshmërinë e gjithësecilit. Stacione të tilla dramatikë kujtojnë se njeriu është gjithmonë e më shumë krijesë e vetvetes dhe e dramave që krijon vetë me vetëpërshtatjen.

Ikja e Rikard Ljarjes kujton më shumë praninë e tij. Që kishte vite që nuk binte në sy në Tiranën kaotike, që rend nga mëngjesi në darkë në luftën për mbijetesë, e shtyrë nga nevoja dhe vaniteti, nga dëshira apo pamundësia, nga etja për pushtetin e përkohshëm dhe përkohshmëria e çdo pushteti tjetër veç vdekjes.

Rikardi, i Miri, i Keqi dhe i Bukuri tek një individ i vetëm, do të jetë gjithmonë njeriu, të cilit në funeralin e tij të gjithë do të donin t’i thoshin se kishin shkuar ta takonin dhe ta lëvdonin me lotë mirënjohjeje dhe malli.