LAJMI I FUNDIT:

Rigjykimi për shtytje në vrasje të rëndë, dëshmitari thotë se i akuzuari ia premtoi 10 mijë euro për vrasjen e Sabit Lushtakut

Rigjykimi për shtytje në vrasje të rëndë, dëshmitari thotë se i akuzuari ia premtoi 10 mijë euro për vrasjen e Sabit Lushtakut

Dëshmitari Lutfi Qosa ka deklaruar se i akuzuari për shtytje në vrasje të rëndë, Driton Latifi ia kishte premtuar 10 mijë euro të njëjtit për të vrarë personin Sabit Lushtaku, ndërsa dëshmitari Hashim Ahmeti deklaroi se kishte tentuar që ta pengojë Qosën për ta realizuar vrasjen.

Këto deklarime u dhanë nga dëshmitarët të enjten në Gjykatën Themelore në Mitrovicë në rigjykimin e çështjes penale ku Driton Latifi po akuzohet se në gjysmën e parë të vitit 2010 ka paguar Lutfi Qosën për të vrarë Sabit Lushtakun, por gabimisht i vrarë kishte mbetur viktima N.L.


Ndryshe, Gjykata Themelore në Mitrovicë me aktgjykimin e datës 1 shtator 2021 e kishte shpallur fajtor të akuzuarin Driton Latifi për veprën penale “Shtytja për kryerjen e veprës penale Vrasja e rëndë” dhe të njëjtit i kishte shqiptuar dënim me burgim me kohëzgjatje prej 20 viteve, në të cilin dënim do të llogaritej edhe koha e kaluar në paraburgim që nga 13 janari i vitit 2016.

Në afatin ligjor kundër këtij aktgjykimi kishin parashtruar ankesë në Gjykatën e Apelit mbrojtësit e të akuzuarit Latifi, avokatët Mahmut Halimi dhe Florent Latifaj, si dhe përfaqësuesi i autorizuar i palës së dëmtuar Bajram Lushtaku, avokati Faruk Korenica, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Mbrojtësit e të akuzuarit Latifi, avokatët Mahmut Halimi dhe Florent Latifaj përmes ankesës kishin kërkuar nga Apeli që për shkak të shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës penale, vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike, shkeljes së ligjit penal dhe vendimit lidhur me dënimin të aprovohet ankesa dhe aktgjykimi të ndryshohet ashtu që i akuzuari të lirohet ose aktgjykimi të prishet dhe të kthehet në rivendosje.

Kështu, Gjykata e Apelit me vendimin e datës 28 mars 2022 kishte aprovuar ankesën e mbrojtësve të të akuzuarit dhe kishte anuluar aktgjykimin e Themelores duke ia kthyer të njëjtës gjykatë në rigjykim dhe rivendosje.

Ndryshe, ankesën e përfaqësuesit të autorizuar të palës së dëmtuar Bajram Lushtaku, avokatit Faruk Korenica për ndryshimin e vendimit lidhur me lartësinë e dënimit si dhe të merrët vendimi lidhur me shpenzimet e të dëmtuarit dhe angazhimit të tij si mbrojtës, Apeli e kishte vlerësuar si jolëndore.

Tutje, në seancën e parë të rigjykimit të pranishëm në sallë ishin prokurori Njazi Rexha, i akuzuari Driton Latifi me mbrojtësit e tij avokatët Mahmut Halimi dhe Ali Rexha, i dëmtuari Bajram Lushtaku me përfaqësuesin e tij të autorizuar, avokatin Faruk Korenica, si dhe dëshmitarët Lutfi Qosa dhe Hashim Ahmeti.

Pas konstatimit se e konsiderojnë aktakuzën të lexuar, i akuzuari Driton Latifi u deklarua i pafajshëm për veprën penale që i vihet në barrë.

Tutje, palët mbetën pranë fjalëve hyrëse të dhëna sipas procesverbalit të shqyrtimit gjyqësor të datës 27 shtator 2019.

Përfaqësuesi i autorizuar i palës së dëmtuar Bajram Lushtaku, avokati Faruk Korenica në fjalën e tij hyrëse shtoi se në aktvendimin e Gjykatës së Apelit me të cilin çështja është kthyer në rigjykim ka shumë paqartësi dhe konfuzitet.

Procedura e provave vijoi me dëgjimin e dëshmitarit Lutfi Qosa, i cili duke u përgjigjur në pyetjet e prokurorit Rexha konstatoi se të akuzuarin e kishte njoftuar rreth viteve 2008-2009 pasi kishte punuar si taksist dhe i akuzuari kishte udhëtuar shpesh me të dhe kohë pas kohe ishte takuar me të njëjtin, ndërsa shtoi se ai i kishte kërkuar që ta vrasë Sabit Lushtakun nga Skenderaj dhe për këtë do të paguhej 10 mijë euro.

Në lidhje me këtë ai kishte shkuar për të biseduar me një mik të tij nga Skenderaj, Hashim Ahmetin, të cilin e kishte pyetur në lidhje me personin që i akuzuari Latifi i kishte kërkuar ta vrasë.

Ai shtoi se nuk e ka ditur arsyen e mosmarrëveshjeve në mes të të akuzuarit Driton Latifi dhe Sabit Lushtakut.

Duke u përgjigjur në pyetjet e përfaqësuesit të autorizuar të të dëmtuarit, avokatit Korenica, se kur ishte njoftuar me dëshmitarin Hashim Ahmeti, të cilit i kishte treguar në lidhje me kërkesën e të akuzuarit Latifi, ai tha se të njëjtin e ka njoftuar në burg në Hungari, dhe pasi ishin kthyer në Kosovë ishin takuar disa herë.

“Pasi jena shoqnu me të akuzumin, më ka pytë sa lyp me vra një djalë të Skenderajit, Sabit Lushtakun, ndërsa për këtë punë në Prishtinë kur jemi taku mi ka folë 30 mijë euro”, deklaroi dëshmitari Qosa.

Ai tha se të akuzuarin Driton Latifi nuk e kishte njohur me emrin e tij të vërtetë pasi ai i ishte prezantuar me emrin Hashim.

“Unë jom shku në Skenderaj edhe e kam takuar Hashim Ahmetin edhe i kam tregu për këtë ofertë që e kam marrë, ndërsa i kam thanë që nëse e njeh njëfarë Sabit Lushtaku, qoj të fala se dikush është ka don me likfidu”, tha dëshmitari Qosa.

Ai shtoi se dëshmitari Hashim Ahmeti i kishte thënë largohu nga këto punë se kështu “nuk bahen”, ndërsa tha se i njëjti kishte shkuar në Podujevë ku kishte banuar Qosa dhe ia kishte kërkuar armën me arsyetimin se e ka një darsëm, ndërsa tha se më nuk ia kishte kthyer.

Dëshmitari Qosa deklaroi se kishte kaluar shumë kohë me tashmë të akuzuarin Latifi të cilin e kishte njohur me emrin Hashim, ndërsa tha se së bashku kishin blerë armë, të cilat policia i kishte konfiskuar pas vrasjes në gusht të 2010-ës.

Në deklaratën e tij dëshmitari Qosa shumë herë përseriti faktin se është dënuar me 25 vite burgim për vrasjen e N.L-së, vendim ky i mbështetur në bazë të deklaratës së Hashim Ahmetit i cili kishte thënë se Qosa kishte marrë 10 mijë euro për këtë vrasje, ndërsa tha se asnjëherë nuk ka pranuar asnjë pagesë, ndërsa tha se nuk e din se kush i ka marrë ato para.

Tutje, mbrojtësi i të akuzuarit Latifi, avokati Mahmut Halimi, e ballafaqoj dëshmitarin Qosa me deklaratat e tij të mëparshme duke specifikuar që të njëjtat kanë dallime të theksuara me deklaratën e sotme në gjykatë, sidomos me konstatimet lidhur me njoftimin me dëshmitarin Ahmeti, si dhe shtoi se në asnjërën deklaratë të mëhershme nuk kishte deklaruar se të akuzuarin Latifi e kishte njoftuar rreth viteve 2008-2009.

“Unë veç jam përgjigjë në pyetjet që më janë parashtruar, çka nuk më kanë pytë nuk jom përgjigjë”, shtoi dëshmitari Qosa.

Ai shtoi se emrin e vërtetë të të akuzuarit Latifi e kishte mësuar dy-tre muaj pasi ishte burgosur.

Avokati Halimi përsëri e ballafaqoi dëshmitarin me deklarata të kaluara, pasi i njëjti kishte thënë se për emrin e vërtetë të të akuzuarit ishte njoftuar nga policia 10 ditë pas burgimit, ndërsa e pyeti të njëjtin se për cfarë arsye po i ndryshon deklaratat, pasi nuk është kontestuese se këtë informatë e ka marrë nga policia.

Tutje, dëshmitari Qosa në seancën e sotme deklaroi se që nga oferta e marrë nga i akuzuari Latifi për vrasjen e Sabit Lushtakut kishte kaluar rreth një muaj deri kur kishte kontaktuar me Hashim Ahmetin të cilit i kishte kërkuar t’i ofronte informata lidhur me Sabit Lushtakun.

Ndërsa, avokati Halimi kërkoi të dinte se cila është e vërteta, pasi e bllafaqoi dëshmitarin me deklaratën e dhënë më 23 janar 2020 ku kishte thënë se kishte kontaktuar me Hashim Ahmetin menjëherë atë ditë pasi e kishte marrë ofertën për vrasje nga i akuzuari Latifi.

Dëshmitari Qosa tha se kanë kaluar gati 13 vite nga ngjarja dhe nuk i kujtohet saktë kjo pjesë.

“A keni njohuri se deklara e Hashim Ahmetit në gjykimin tuaj është veçuar nga shkresat e lëndës dhe aktgjykimi kundër jush nuk është bazuar fare në deklaratën e këtij dëshmitari”, ishte pyetja e rradhës nga mbrojtja drejtuar dëshmitarit Qosa i cili është në vuajtje të dënimit me burgim tash e 12 vite.

Në lidhje me këtë nuk kishte përgjigje nga dëshmitari Qosa.

Tutje procedura vijoi me dëgjimin e dëshmitarit Hashim Ahmeti, i cili duke u përgjigjur në pyetjet e prokurorit Rexha se çfarë i ka treguar Lutfi Qosa në lidhje me ofertën e marrë për vrasjen e Sabit Lushtakut, deklaroi që ky i fundit ka pasur një mosmarrëveshje me miqtë e tij, por tha se nuk i ishin treguar detaje.

“Lutfi Qosa më ka thanë mua se është i paguar 10 mijë euro për të vrarë Sabit Lushtakun”, tha dëshmitari Ahmeti.

Ai shtoi se Lutfi Qosa kishte shkuar në Skenderaj për ta takuar dhe e kishte pyetur konkretisht nëse e njeh Sabit Lushtakun, ndërsa tutje i kishte thënë se është i paguar për ta vrarë të njëjtin.

“E ka nxjerrë revolën në tavolinë dhe më tha se me këtë revole kam me e vra”, tha dëshmitari Ahmeti.

Pas kësaj dëshmitari Ahmeti deklaroi se e kishte gjetur kontaktin e Sabit Lushtakut dhe të njëjtit i kishte thënë të lajmërohet në polici sepse dikush është duke planifikuar që ta vrasë.

“Pastaj kom shku në Podujevë të Lutfi Qosa dhe ia kam kërkuar revolën, me arsyetimin se e kam një dasëm, por kjo vetëm për ta pamundësuar kryerjen e vrasjes së planifikuar”, tha dëshmitari Ahmeti.

Ai deklaroi se më nuk kishte kontaktuar asnjëherë me Lutfi Qosën ndërsa tha se dy herë kishte shkuar në Podujevë për të tentuar ta pengojë Qosën që të kryej vrasjen e planifikuar.

Duke u përgjigjur në pyetjen e avokatit Korenica, se kur ishte njoftuar për vrasjen e të ndjerit N.L, ai tha se për këtë është njoftuar nga policia pasi ishte arrestuar nga të njëjtit si i dyshuar për atë vrasje.

Dëshmitari Ahmeti tha se Sabit Lushtaku pas vrasjes kishte qenë i mllefosur me të sepse kishte menduar se ai e kishte kryer vrasjen, por më pas janë qartësuar.

“A të ka tregu Lutfiu se Sabiti ka pasur problem me të akuzuarin Driton para disa viteve në Austri”, ishte pyetja e të dëmtuarit Bajram Lushtaku drejtuar dëshmitarit Ahmeti.

Ky i fundit deklaroi se nuk i kujtohet një detaj i tillë.

Duke u pyetur nga i dëmtuari Lushtaku se përse nuk e kishte lajmëruar rastin në polici, ai tha se ia kishte lënë Sabit Lushtakut në dorë që të vendosë të lajmërohet në polici pasi ai ishte i rrezikuar.

Tutje, avokati Halimi lexoi deklaratën e dëshmitarit Ahmeti të shqyrtimit gjyqësor të datës 22 janar 2020, ku ai kishte deklaruar se Lutfiu në herën e parë kur ishin takuar nuk kishte pasur informata për Sabit Lushtakun, por në takimin e dytë kishte thënë se e ka mësuar shtëpinë e të njëjtit, orarin e punës, kur del e kur kthehet nga shtëpia.

Dëshmitari Ahmeti e pohoi këtë dhe konstatoi se deklaratat e tij të mëhershme janë më të freskëta dhe rrjedhimisht mbetet në tërësi pranë tyre.

Në fund të shqyrtimit gjyqësor mbrojtja e të akuzuarit Latifi propozoi që masa e paraburgimit ndaj tij të zëvendësohet me masën e arrestit shtëpiak pasi që i njëjti ndodhët në paraburgim për më shumë se 6 vite e 7 muaj, dhe në bazë të paragrafit 3 të nenit 5 të Kodit të Procedurës Penale të Kosovës çdo heqje lirie, e sidomos kohëzgjatja e paraburgimit në procedurë penale, duhet zvogëluar në kohën sa më të shkurtër të mundshme.

“Kalimi i kohës prej më shumë se 6 vjet e 7 muaj në masën e paraburgimit shkel në mënyrë të drejtëpërdrejtë edhe parimin e prezumimit të pafajësisë”, konstatoi avokati Halimi.

Ai shtoi se të mbrojturit të tij i është konfiskuar pasaporta ndaj rrjedhimisht nuk ekziston mundësia e arratisjes së të njëjtit.

Propozimin e mbrojtjes e kundërshtoi prokurori Rexha duke konstatuar se ende ekzistojnë bazat ligjore mbi të cilat i është caktuar paraburgimi të akuzuarit me vendimin e gjykatës.

Në lidhje me këtë propozim kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Radosllav Markoviq konstatoi se do të vendoset jashtë seancës.

Në këto rrethana, shqyrtimi gjyqësor u ndërpre ndërsa seanca e rradhës pritet të mbahet më 29 korrik 2022.

Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, të ngritur më 22 nëntor 2018, Driton Latifi po akuzohet se në gjysmën e parë të vitit 2010 ka shtyrë të pandehurin Lutfi Qosen, që të kryej veprën penale të vrasjes ndaj viktimës Sabit Lushtaku.

Gjithnjë sipas aktakuzës, i akuzuari Driton Latifi i kishte premtuar se për këtë veprim do t’ia paguaj shumën prej 30.000 euro, ashtu që, me ç`rast i pandehuri Lutfi Qosa merr veprimin e vrasjes ndaj viktimës.

Në aktakuzë thuhet se Qosa, më 3 gusht 2010, shkon në fshatin Prekaz, në lagjen e Lushtakëve, që t’a vras Sabit Lushtakun, dhe më të parë se në oborr hynë një veturë e kuqe “Audi 80”, me një vozitës mashkull e ku vozitës ishte viktima, tani i ndjeri N.L, e që Lutfi Qosa ka shtënë në drejtim të tij katër herë, duke e goditur të njëjtin për vdekje dhe menjëherë ikën nga vendi i ngjarjes.

Me këtë, Driton Latifi nga organi i akuzës ngarkohet me veprën penale “Shtytja për kryerjen e veprës penale Vrasja e rëndë” nga neni 147 pika 7 lidhur me nenin 24 të Kodit Penal të Përkohshëm të Kosovës.

Në trend Lajme

Më shumë
Gjeti trupin e 9-vjeçares në Bunë, peshkatari: Pashë me dritë telefoni, dukej si kukull

Gjeti trupin e 9-vjeçares në Bunë, peshkatari: Pashë me dritë telefoni, dukej si kukull

Lajme
DW: Sinjale alarmi nga Ballkani - po përsëritet historia?

DW: Sinjale alarmi nga Ballkani - po përsëritet historia?

Lajme
Policja që u raportua e zhdukur paraqitet në stacionin e Rahovecit

Policja që u raportua e zhdukur paraqitet në stacionin e Rahovecit

Kronika e Zezë
Zëvendësministri për Kthim: Sot është tentuar të vritet Marko Jablanoviq, sulmuesit i dështoi “Shkorpioni”

Zëvendësministri për Kthim: Sot është tentuar të vritet Marko Jablanoviq, sulmuesit i dështoi “Shkorpioni”

Siguri
Pahor: Kandidatura ime do të paraqitet në Bruksel, do të jem ndërmjetës i ndershëm në dialogun Kosovë-Serbi

Pahor: Kandidatura ime do të paraqitet në Bruksel, do të jem ndërmjetës i ndershëm në dialogun Kosovë-Serbi

Lajme
Deputeti finlandez: Serbia nuk mund t'u imponohet shteteve për të kundërshtuar Kosovën në KiE

Deputeti finlandez: Serbia nuk mund t'u imponohet shteteve për të kundërshtuar Kosovën në KiE

Lajme
Kalo në kategori