Këshilli për Mbrojtjen e Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ) ka reaguar pasi Kuvendi i Shqipërisë të enjten ka miratuar rezolutën me të cilën synon të hedhë poshtë akuzat për trafikimin me organe të qenieve njerëzore gjatë luftës në Kosovë, pretendime që burojnë nga raporti i ish senatorit Dik Marty, të miratuar në Këshillin e Evropës.
Në reagimin e KMDLNJ-së thuhet se “dje, Kuvendi i Shqipërisë e votoi një Rezolutë me të cilin do të iniciojë një kërkesë që nga Asambleja e Përgjithshme e Këshillit të Evropës të kërkojë të rishqyrtohet raporti i Dik Martit, me të cilin pohohet se në disa lokacione në Shqipëri janë mbajtur në mënyrë të kundërligjshme një numër i personave që janë trajtuar në mënyrë çnjerëzore sikur që iu janë marrë organet të cilat pastaj janë trafikuar”.
“Ky raport i Dick Martit ka shërbyer si detonator për shpërthimin zinxhiror pas së cilës, në kushte shantazhi dhe ultimative një pjesë e deputetëve të Kuvendit të Kosovës kanë votuar për themelimin e kësaj Gjykate të quajtur paradoksalisht, Dhoma të Specializuara. Ecuria e procesit dihet dhe, për pasojë sot në këtë burg, sui generis, mbahen peng tetë qytetarë të Kosovës, dy prej të cilëve janë dënuar me dënime kapitale për vepra penale që, më shumë e inkriminon Prokurorinë dhe Gjykatën Speciale në Hagë se vet të akuzuarit, tash të dënuarit. Salih Mustafa është në pritje të vendimit të Gjykatës ndërsa, edhe pse janë mbi dy vjet si të paraburgosur, procesi ndaj presidentit Hashim Thaçi, kryeparlamentarëve Jakup Krasniqi dhe Kadri Veseli si dhe shefit të GP të LV–së, jo që nuk ka filluar, por as nuk dihet se kur fillon”, thuhet në reagimin e KMDLNJ, transmeton Telegrafi.
“Rezoluta e Kuvendit të Shqipërisë është dokument politik dhe nuk prodhon asnjë efekt juridik përveç se i rrit shpresat dhe pritjet e të akuzuarve, familjeve të tyre dhe që iu siguron mbrojtësve një alibi për mbrojtjen që ua kanë bërë deri më tani e që KMDLNj e konsideron më shumë si mbrojtje folklorike se juridike. Hiç faktin se procesi ende nuk ka filluar, për KMDLNj –në është shqetësuese që deri më tani mbrojtja nuk ka arritur ta rrëzojë asnjë vendim të Gjykatës Speciale për caktim të paraburgimit për asnjërin të akuzuar e tash edhe të dënuar”.
Më tej KMDLNJ thotë se “është e habitshme që për një Rezolutë për të cilën të gjithë deklarojnë se paraqet interes kombëtar dhe shtetërorë e për të cilën është dashur të shpenzohen vetëm tre minuta, aq sa zgjatë votimi, është diskutuar më shumë se pesëmbëdhjetë orë duke e shndërruar Kuvendin e Shqipërisë në një arenë gladiatorësh politikë që, në emër të patriotizmit folklorikë, donin të përfitonin politikisht. E pabesueshme është që për një dokument të rëndësishëm shtetërorë dhe kombëtar, të ketë aq shumë mllef dhe fyerje të pakontrolluara”.
“KMDLNj vlerëson se në tekstin e kësaj Rezolute nuk është dashur fare të përmendej Kosova për faktin se Shqipëria po bënë përpjekje që të pastrojë emrin nga një njollosje e një mercenari juridik si puna e Dik Martit aq më parë që pretendimet e Dik Martit nuk janë përfshirë në asnjërën nga aktakuzat përveç se nëse nuk është në pjesët e redaktuara të aktakuzës”.
Më tej në reagim thuhet se “KMDLNj që në fillim ka deklaruar se Raporti i Dik Martit është keq-përdorur si bombë shokuese për themelimin e Gjykatës Speciale e pastaj ka rënë nga aktualiteti”.
“KMDLNj nuk ka asnjë pritje se kjo Rezolutë në mënyrë qenësore do të ndikojë në punën e Gjykatës Speciale apo se do të përmirësojë situatën e të burgosurve prandaj është kundër çdo manipulimi me këto pritje, nga cilado palë qoftë ajo”.
“Kosova nuk është anëtare e Këshillit të Evropës prandaj nuk mund të llogarisë se Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut është adresë ku mund të kërkohet drejtësi për të drejtat e qytetarëve të Kosovës përkatësisht pengjeve që po mbahen në Hagë kurse, në anën tjetër, Shqipëria e ka këtë të drejtë dhe këtë mundësi”, thuhet në reagim.
Më tej KMDLNJ thotë se “Shqipëria e ka një rrugë të gjatë për ta bërë në përpjekje që të pastrojë emrin nga ndotjet që ia ka bërë një mercenar juridik, Dik Marti sikur që edhe Kosova e ka një rrugë të gjatë në ballafaqim me një Gjykatë Speciale të cilën vet e ka themeluar e që tani duke i dalë 100 për qind nga dora, po e luan rolin e Pandorës. Institucionet e Kosovës nuk mund dhe nuk duhet të ndërhyjnë në punën e kësaj Gjykate Speciale, pavarësisht punës që po e bënë por duhet të angazhohet që viktimave dhe të akuzuarve t’ua mbrojë të drejtat e njeriut sikur që edhe të sigurojë mjete të nevojshme financiare për mbrojtjen e tyre dhe familjeve të tyre, pa asnjë kufizim, ashtu siç e parasheh Ligji”.
“Angazhimi i Shqipërisë është kryesisht e natyrës politike kurse ajo e Kosovës e natyrës juridike dhe në këtë kontekst bashkëpunimi i Shqipërisë me Kosovën është, jo i nevojshëm, por i domosdoshëm”, thotë KMDNJ.
Kuvendi i Shqipërisë, të enjten, me 125 vota pro ka miratuar rezolutën kundër raportit të Dick Marty-t për Kosovën.
Përmes kësaj rezolute të posaçme, Kuvendi vlerëson se pretendimet e ngritura, mbeten të paargumentuara, të paprovuara dhe të pabazuara në prova dhe fakte, e për rrjedhojë duhet të konsiderohen si të tilla nga të gjitha institucionet kombëtare e ndërkombëtare.
Dhe, po ashtu vetë aktakuza e ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi dhe udhëheqësve të tjerë të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ishte një provë se asgjë e tillë nuk ka ndodhur.
Pas kësaj Shqipëria do të kërkojë nga Këshilli i Evropës rishikimin e rezolutës së vitit 2011 duke qenë se të gjithë hetimet e deritanishme nuk kanë nxjerrë asnjë provë apo fakt të tillë.
Kryeministri Edi Rama tha se këtë Shqipëria do ta kërkojë me ngulm në Strasburg.
Ndryshe, raporti i vitit 2010, i hartuar nga senatori i atëhershëm zviceran, Dick Marty, dhe i miratuar nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës, pretendon se në trafikim me organe kanë qenë të përfshirë udhëheqës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, gjatë luftës së viteve 1998-99.
Këto pretendime janë hetuar nga prokurori amerikan, Clint Williamson, i cili në korrik të vitit 2014 ka bërë të ditur se gjetjet e ekipit të tij nuk përfshijnë dëshmi të bazuara për trafikim organesh, por për krime të tjera lufte.
Kjo, në vitin 2015, ka çuar në formimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës, për të hetuar krimet e pretenduara të pjesëtarëve të UÇK-së kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë, që dyshohet se janë kryer nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.
Në Dhomat e Specializuara në Hagë, që ndryshe njihen edhe si Gjykatë Speciale, ka nisur tashmë procesi ndaj disa ish-udhëheqësve të UÇK-së, përfshirë: Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin.
Ata ndodhen në paraburgim në Hagë qysh nga nëntori i vitit 2020./Telegrafi/