LAJMI I FUNDIT:

Rezerva Federale pritet të rrisë normën e interesit deri në 5 për qind

Rezerva Federale pritet të rrisë normën e interesit deri në 5 për qind

Investitorët tani presin që Rezerva Federale do të rrisë normat e interesit deri në 5 për qind vitin e ardhshëm, duke sugjeruar kështu se asaj do t’i duhet të frenojë aktivitetin ekonomik më shumë se sa pritej për të përballuar inflacionin e lartë.

Sipas tregjeve të kontratave të së ardhmes të cilat ndjekin normën e fondeve federale, tregtarët kanë vlerësuar se norma bazë e politikës monetare do të shkojë në 5 për qind në maj të vitit 2023 nga 4.6 për qind që ishte përpara të dhënave më të fundit të inflacionit që u publikuan në fund të javës së kaluar.

Pritshmëritë për rritjen e normës ishin shtuar pasi raporti i indeksit të çmimeve të konsumit për muajin shtator tregoi një përshpejtim alarmues të presioneve mujore të çmimeve në një grup të gjerë artikujsh dhe shërbimesh të përditshmërisë.

Rritja më e madhe nga sa pritej në çmimet e konsumit thjesht garantoi që FED do të zgjedhë përsëri një rritje agresive të normës së interesit në takimin e radhës të komitetit të politikave monetare, i cili do të mbahet në fillim të nëntorit. Kjo do të ishte rritja e katërt radhazi e normës së interesit me 0.75 pikë përqindje.

Po ashtu, kjo rritje do ta sillte normën e fondeve federale në një interval të ri prej 3.75 për qind deri në 4 për qind, dukshëm më të lartë se niveli afër zeros ku ishte deri në mars të këtij viti. Norma më e lartë mund të arrijë deri në 4.6 për qind, sipas vlerësimeve të shumicës së zyrtarëve në shtator.

Shifrat e larta të inflacionit, së bashku me shenjat e tjera që tregojnë një treg të paqëndrueshëm të punës, nxitën frikën se ritmi i rritjeve prej 0.75 pikë përqindjeje do të vazhdojë deri në dhjetor, me një tjetër rritje prej gjysmë pikë përqindjeje që pritet në shkurt. /Telegrafi/