LAJMI I FUNDIT:

RETRO: Bekim Fehmiu, me sytë e Uliksit

RETRO: Bekim Fehmiu, me sytë e Uliksit

Fëmijëve në shkollat e Beogradit u thuhej nga mësuesit se doktoresha Sahadete Mekuli, merrte të sapolindurit serbë apo malazez nga inkubatori në spitalin e Kosovës, ku punonte dhe i vriste… Pas heshtjes së gjatë, aktori komenton atë që ndodhi në ish Jugosllavi. Përse vendosi të lërë skenën dhe si i përjetoi vitet e krizës dhe të luftës. Jeta me gruan serbe dhe djalin që i vuri emrin e Uliksit. Si dhe premtimi për t’u treguar femijëve të vërtetën për vitet e jetuara në Kosovë… Telegrafi rikthen intervistën që Bekim Fehmiu kishte dhënë për Danas, më 2001…

“Njeriu nuk duhet të fajësojë për diçka që i ndodh as babanë, as vëllezërit, as fqinjën, as perënditë, por vetëm veten. Njëra nga tragjeditë tona lidhet me atë, që duke jetuar për shekuj së bashku, nuk kemi mësuar nga njëri- tjetri, por dhe kur e kemi bërë këtë, kemi mësuar vetëm të keqen”, shprehet ai.

Bekim Fehmiu është një nga artistët më të mëdhenj që kanë dalë prej këtyre anëve. Nga viti 1987, kur në mënyrë demonstrative braktisi shfaqjen “Madame Kolontine” të Anete Playel, ku luante Leninin dhe Stalinin, në teatrin jugosllav të dramës, ai i dha lamtumirën aktivitetit artistik në Jugosllavi.

Pas disa kohësh mori dhe vendimin për t’i dhënë fund karrierës edhe në aktivitetet artistike botërore. Pak kohë më parë në Jugosllavi është botuar libri me kujtime i Bekim Fehmiut, “Shkëlqim dhe frikë”, në të cilin përshkruhet periudha që nga lindja e tij në Sarajevë, duke përfshirë gjithçka deri në vitin 1955, kur u pranua në teatrin e dramës së Prishtinës.

Kjo është hyrja e një interviste mjaft interesante që aktori shqiptar, Bekim Fehmiu i ka dhënë gazetës serbe “Danas”, pikërisht pas publikimit të autobiografisë së tij “Shkëlqim dhe frikë”. Një intervistë ku Fehmiu shpjegon origjinën dhe lidhjet e tij, tregon për prindërit e tij shqiptarë dhe gruan serbe, si dhe vendimin për t’i lënë femijët të bëjnë zgjedhjen e tyre në jetë. Përgjatë gjithë krizës së përgjakshme që përfshiu ish Jugosllavinë, madje edhe disa vite më parë kur ai vendosi të braktisë skenën e Jugosllavisë, Bekim Fehmiu nuk kishte dhënë asnjë intervistë për mediat. Ishte tërhequr në kujtimet e tij, për t’u rishfaqur vetëm pas rreth 15 vjetësh, atëherë kur gjithçka kishte mbaruar, kur Milosheviqi ishte dërguar në Hagë dhe kur Kosova e lirë kishte institucionet e saj. Jo vetëm kaq, por pas 30 vjetësh, Bekim Fehmiu shkeli për herë të dytë në Shqipëri, vendin për të cilin pohon se ka ndjerë përherë mall.

Kjo intervistë me Bekim Fehmiun, e cila theu heshtjen e gjatë të aktorit shqiptar, heshtje që ai e përkufizon si një mënyrë të dhimbshme proteste.

* Hamleti ka thënë: “Tani e tutje, vetëm heshtje”. Cila është arsyeja e vërtetë e heshtjes suaj 14-vjeçare?

Intervistën e fundit, atë të lamtumirës, e kam dhënë më 14 prill 1987 për gazetën serbe “Politika”, kur braktisa shfaqjen “Madame Kolontine”. Shkaqet për këtë vendim nuk kishin të bënin me të ashtuquajturin “mosorganizim” të shfaqjes, por arsyeja e vërtetë kishte të bënte vetëm me zgjerimin e propagandës dhe shtrirjen e urrejtjes antishqiptare, kudo në ish Jugosllavi.

Ato vite të fushatës antishqiptare pushtuan faqet e gazetave dhe programet televizive. U publikuan fotografi të montuara ku citohej poema e Rakiqeviqit “Simonida”, në të cilën thuhej: “Një shqiptar që të nxjerr sytë”.

Shkëlzen Maliqi, shpjegoi gjithçka rreth të vërtetës mbi këto vargje, se sytë e mbretëreshës Simonida nuk u nxorrën nga urrejtja, por për shkak të një riti fetar apo një supersticion, që nuk ishte vetëm i shqiptarëve, por edhe i serbëve dhe i gjithë popujve të rajonit, ku heqja e pluhurit nga sytë apo organet gjenitale të figurave në kishë do të thoshte shërim i të verbërve ose i grave shterpe.

Goditja e fundit për mua ishte kur shkova në shtëpi dhe gjeta Brankën, (gruaja aktore serbe) dhe Uliksin në gjendje shoku. Mësuesja e letërsisë në shkollën e mesme kishte vlerësuar poezinë e poetit shqiptar Esad Mekuli, por dënonte aktin e gruas së tij, doktoreshës Mekuli, e cila merrte të sapolindurit serbë apo malazez nga inkubatori në spitalin e Kosovës, ku punonte dhe i vriste.

I shpjegova Uliksit që kjo ishte një gënjeshtër e ulët, se po ta kishte bërë këtë ajo do të kishte përfunduar në burg dhe nuk do të punonte më si mjeke. Tridhjetë e pesë shpirtra nxënësish të helmuar pra dhe tridhjetë e pesë familje, anëtarëve të të cilëve kush e di se sa në numër, u ishte injektuar urrejtja. Për disa, heshtja është mënyrë miratimi ose tërheqjeje. Për mua, heshtja është mënyrë e dhimbshme proteste.

* Kohët e fundit ka pasur shumë debate mbi fajtorët dhe ne zakonisht fajësojmë të tjerët për problemet tona. Si do t’i përgjigjeni kësaj pyetjeje?

Njëra nga tragjeditë tona lidhet me atë që duke jetuar për shekuj së bashku serbë dhe shqiptarë, nuk kemi mësuar nga njëri- tjetri, por dhe kur e kemi bërë këtë kemi mësuar vetëm të keqen. Gjërat e mira të shqiptarëve serbët nuk i kanë pranuar, ashtu si dhe shqiptarët nuk kanë marrë atë çka serbët kishin pozitive. Rininë e kam kaluar në Prizren dhe po të shante njëri nga nëna kërciste pushka. Nëna dhe Zoti janë të shenjtë. Unë nuk e dija që gjetkë shahej normalisht. Kur erdha në Beograd dhe dëgjova gjëra të tilla, në fillim skuqesha nga turpi. Para disa vitesh dëgjoja në Prishtinë sesi vajza të reja shaheshin me fjalë të pista dhe betoheshin si bandite.

* A besoni se qeveria e re do të ketë sukses në zgjidhjen e problemeve në Kosovë?

Fillimisht duhen ndryshuar hartat mendore. Dëshiroj që kjo të ndodhë dhe do ta besoja një gjë të tillë. Por, gjithmonë më vjen ndërmend anketa e vitit 1994, ku 70% e popullsisë serbe nuk donte të bashkëjetonte me shqiptarët, në kohën qe 59% e serbëve nuk donin të jetonin me kroatët. Gjithmonë kur kujtoj këto shifra bëhem pesimist. Në vitin 1912, Dimitrije Tucoviq ka thënë se miqtë më të mirë të serbëve janë shqiptarët. Dhe ja ku jemi përsëri bashkë, serbë dhe shqiptarë po përjetojmë ankthin e natës së bashku, me surrealistin nga gjithë ëndrat surrealiste. Më besoni sa keq e kam ndier veten, kur dëgjova që një shqiptar ka ngritur dorën duke vrarë një grua serbe dhe një plak serb në vitin 1999, i pari rast që dëgjoj në gjithë historinë e shqiptarëve.

Të gjithë i kemi kapërcyer kufijte që nuk duhen kaluar, pavarësisht nga tragjeditë që mund të kenë kaluar shqiptarët. Pse çuditemi me këtë dënim të tmerrshëm të Zotit që po përjetojmë? Pse që nga viti 1912 deri sot, bajoneta, topa dhe tanke janë çuar në Kosovë, “tokën e shtrenjtë serbe”? A nuk është ky dënim i Zotit?

* I keni dhënë vetes besën se femijëve tuaj do t’u tregoni të vërtetën rreth asaj që keni ndjerë duke jetuar në Kosovë?

Kështu është. Por jo vetëm në Kosovë. Ata tani dinë gjithçka nga pjesa e dytë e dorëshkrimit. I kam dhënë vetes besën që do t’u tregoj gjithçka fëmijëve që të jenë të mirinformuar plotësisht. Kujtimet e mia, i kisha hedhur në letër pa kurrfarë qëllimi për t’i botuar. Por, atëherë, miqtë e mi dhe gruaja ime, Branka Petriq, më bindën që ta botoj dorëshkrimin. Fëmijëve u kam treguar të vërtetën duke i lënë të lirë të zgjedhin mënyrën si të jetojnë, ashtu siq kam bërë dhe vetë. I respektoj zgjedhjet e fëmijëve ashtu si nëna ime Dija ka respektuar zgjedhjet tona.

* Homen est nomen, (emri bën njeriun) thonin romaket. Emri juaj në shqip do të thotë të jesh i bekuar nga Zoti. Mendoni se është e vërtetë? Thuhet se secili nga ne sjell mesazhe të reja pozitive nga Zoti me lindjen e tij. Ju ç’mesazh keni sjellë?

Kam dashur që me punën time të nderoj njerëzit. Për mua aktrimi i dikurshëm ishte një mision i bekuar. Arti ka qenë mesazhi që unë kam sjellë. Po të mos kisha qenë aktor do të isha dentist ose piktor. Në të vërtetë, më pëlqen të pikturoj. Mendoj se dhe nëna ime Dija ishte e bekuar duke lindur tetë fëmijë dhe që i la të gjithë pas, por ka lënë edhe shtatë nipër dhe tre stërnipër. Kjo është dhe përgjigja ime për përrallën e bombës demografike në Kosovë.

* Mendoni se keni qenë me fat, që keni patur tërë këtë karrierë? Do të dilni përsëri në skenë, tani afër?

Një fjalë e urtë shqiptare, thote: “Puno pak se Zoti të ndihmon shume”. Duket sikur pavaresisht nga puna e madhe dhe vetëmohuese, unë kam patur fat në jetë, si individ por edhe si familje. Megjithatë jeta e njerëzve në rajon, sidomos në Kosovë nuk është aspak e lehtë.

Për vite me radhë kam refuzuar të luaj dhe mendoj se do të vazhdoj ende. Për shkak te gjithë kësaj të keqe të madhe, kam humbur çdo lloj sensi detyre dhe nuk ndjej asgje për aktrimin. Nuk dua të luaj me.

* Ju lutem, mund të na tregoni diçka për punën tuaj me regjisorin John Houston?

Ishte një nder dhe privilegj për mua të punoja me të. Ai ishte një njeri i rrallë autentik, aventurier i madh, artist brilant me zemër të madhe. Ai udhëtoi në mbarë botën. Me qëllim që të realizoja më mirë rolin e kapiten Kaleb-it, duhet të aplikoja rregullin e famshëm Stanislavski: “Çfarë do të bëja unë në një situatë si kjo?”. John Houston ishte një burrë me eksperiencë jashtëzakonisht të madhe, boksier, aktor, oficer i kavalerisë meksikane në rininë e tij. Ky njeri nuk kishte nevojë të pyeste: “çfarë do të bëj?”, sepse ai ishte gjeneral. Në shfaqjen e parë të filmit, nga fundi ai më përqafoi dhe më tha: “Je i mirë djalosh!”. Ky ishte një nga momentet më të lumtura në të gjithë jetën time. (Sanja DOMAZET, “DANAS”). /Telegrafi/

Aktori Bekim Fehmiu është një nga emrat më të dëgjuar shqiptarë të aktrimit. I lindur në Sarajevë në vitin 1936, ai do të bëhej i famshëm me filmin “Unë kurrë nuk kam parë ciganë të lumtur”, në vitin 1966. Deri në atë kohë, ai kishte studiuar dhe ishte bërë i njohur nga shumë shtëpi filmi nëpër botë. Ai është aktori i parë shqiptar i filmit dhe i teatrit, i cili ka luajtur me sukses në filmat dhe skenat e gjithë hapësirës së ish Jugosllavisë. Ka qenë një nga përsonalitetet që ka lënë gjurmë në kinematografinë ballkanike, por mbi të gjitha, ai është i madh për kontributin artistik në kinematografinë botërore.

Rolet e tij në “Prova speciale”, “Odiseja”, “Aventurieri”, “Rruga”, “Vitet e ngrohtë”, “Dezertori”, përmenden si kryevepra. Nga filmat e parë ka qenë “Ko puca otvoriqe mu se”, “Vitet e nxehta”, “Protesta”, “Eskadrionet e partizanasve” dhe “Të kuq dhe të zinj”. Ai ka bashkëpunuar me John Huston, Olivia de Havilland, Ava Gardner, Robert Show, Dirk Bogart, Sharl Aznavur, Irene Papas, Claudia Cardinale, etj. Ka interpretuar në shqip, serbisht, maqedonisht, turqisht, në gjuhën rome, në spanjisht, anglisht, frengjisht dhe italisht.

I martuar me një artiste serbe, ishte nga ata njerëz që nuk e braktisi, në asnjë moment Beogradin dhe nuk iu tremb të qenurit shqiptar. Shqipërinë e ka vizituar në vitin 1972 dhe nuk e ka fshehur kurrë mallin që kishte për të. I pyetur për dëshirën e tij ai ka thënë thjesht se: “Do të doja të njihja më mirë shqipen”. Në të gjithë hapësirën ballkanase është gati në përmasat e një miti. Ndoshta kjo ka qenë një nga arsyet, që i biri quhet Uliks.