LAJMI I FUNDIT:

Reshje të dendura bore në Kosovë

Reshje të dendura bore në Kosovë

Reshje të dendura bore sot ka rënë në territorin e Kosovës, ndërkaq edhe temperaturat kanë shënuar rënie.

Për të shtunën temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet -1 deri 0 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 0-3 gradë Celsius.


Do të fryjë erë kryesisht nga verilindja me shpejtësi 1- 7m/s.

Ndërkaq, për të dielën parashikohet të mbajë mot i vranët dhe vende-vende me fjolla të dobëta bore

Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet -3 deri -1 gradë Celsius, ndërkaq maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 0 deri 2 gradë Celsius.

Do të fryjë erë e lehtë deri mesatare nga drejtimi i verilindjes dhe veriperëndimit.

Ndërkaq, ditë më parë Policia e Kosovës ka bërë të ditur se pjesëmarrësit në trafik duhet t’i kenë gomat e dimrit dhe zinxhirët.

Policia u ka bërë thirrje të gjithë shoferëve që të kenë kujdes të shtuar në trafik.

“Policia e Kosovës apelon për të gjithë pjesëmarrësit në trafik që të kenë kujdes të shtuar për fillimin e sezonit dimëror ku ndryshimet atmosferike janë të pranishme. Sigurohuni që gomat e mjetit tuaj janë ndërruar para fillimit të sezonit dimëror, gjithashtu presioni i ajrit të tyre duhet të jetë sipas rekomandimeve të prodhuesit, në temperaturat e ulëta!”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Vozitësi që drejton automjetin pa pajisje dimërore, dënohet për kundërvajtje, me gjobë prej 40 eurosh.

Ndërkaq, sipas Ligjit, dënohet për kundërvajtje, me gjobë prej 100 deri në 300 euro, edhe personi juridik apo institucioni publik në emër të të cilit dhe brenda autorizimeve të të cilit ka vepruar shoferi. /Telegrafi/

Lipjan / Foto: MeteoKosova

Fushë Kosovë / Foto: MeteoKosova