Numri i fëmijëve të vaksinuar vazhdon të mbetet në nivel jo të kënaqshëm. Gjatë vitit 2025 është vërejtur rënie e vaksinimit të detyrueshëm, veçanërisht me vaksinën MRP kundër fruthit, shytave dhe rubeolës, ku përqindja ka rënë nën 70%.

Sipas mjekëve, kjo situatë paraqet rrezik serioz për shëndetin publik. Ndërsa, arsyet kryesore lidhen me frikën, mosbesimin dhe informacionet e pasakta që përhapen në rrjetet sociale.


“ Ulje më të theksuar është tek vaksinat që jepen në moshën e parë dhe të dytë, dhe ajo që më së shumti na shqetëson është ulja e vaksinimit me MRP nëse vitin e kaluar ka qenë 77 për qind tani është 67 për qind e fëmijëve që janë të vaksinuar me dozën e parë. Mirë është që vaksinimi i fëmijëve shkollorë vërehet një rritje, gjithashtu dhe doza e dytë e MRP që pranohet në moshën 6 vjeçare apo në klasë të parë ka një përfshirje të mirë prej 80 për qind”, deklaroi Katarina Stavriq, pediatre

Sipas mjekëve, mos imunizimi me vaksinën MRP rrit rrezikun e përhapjes së epidemive dhe rikthimit të sëmundjeve të rrezikshme.

“Kjo do të thotë se rritet rreziku, pra nëse paraqitet ndonjë rast morbil shumë lehtë në këto raste, me një përqindje kaq të ulët të vaksinimit mund të përhapet epidemi. Të mos flasin që në vitin e parë të jetesës së fëmijëve, ato janë më të ndjeshëm ndaj infeksioneve dhe për këtë i japim këto vaksina në muajin e dytë, katërt dhe të gjashtë”, deklaroi Katarina Stavriq, pediatre

Ka paragjykime që vaksinën MRP e lidhin me autizmin. Megjithatë, studimet shkencore të 20 viteve të fundit nuk kanë gjetur asnjë lidhje mes vaksinimit dhe autizmit. Prandaj, mjekët apelojnë që prindërit të informohen nga burime të sigurta dhe t’i vaksinojnë fëmijët për të mbrojtur shëndetin e tyre dhe të shoqërisë. /Alsat.mk